Artriti reumatoid, këshillat për lehtësimin e dhimbjeve në kyçe

0
182

 

Dhimbjet e kyçeve po shfaqen në masë edhe tek moshat më të reja.  Vitet e fundit numri i pacientëve që manifestojnë dhimbje të kyçeve, të njohura ndryshe si artriti rheumatoid është shtuar në mënyrë të ndjeshme. Ndërkohë që kjo sëmundje nuk ka ende të njohur shkaktarët konkretë të shfaqjes së saj, autoritetet shëndetësore konfirmojnë se femrat janë më të rrezikuarat nga këto dhimbje, të cilat nëse nuk marrin kujdesin e duhur në kohë mund të bëhen shkak  për uljen e aftësisë për punë.

 

Çfarë është artriti rheumatoid dhe si shfaqet?

 

Artriti rheumatoid është një sëmundje kronike që prek artikulacione (kyçe) të shumta të trupit të njeriut. Është një ndër sëmundjet më të përhapura inflamatore që karakterizohet nga një ecuri valë-valë, me periudha acarimi dhe qetësie. Kjo lloj prekjeje karakterizohet nga dhimbje, skuqje, ënjtje dhe ngurtësim në lëvizjen e kyçeve. Ky ngurtësim çon gradualisht në uljen e funksionimit normal të artikulacioneve dhe në lëvizshmëri të kufizuar të tyre. Është një sëmundje që prek rreth 0.5-1 për qind te të rriturve në të gjithë botë. Prek të gjitha moshat, por kulmin e ka midis moshës 30-50 vjeç dhe kryesisht femrat. Kjo predispozitë vjen me sa duket si rezultat i hormoneve femërore. Rëndohet shumë pas lindjes dhe përmirësohet gjatë shtatzanisë, sidomos në tremujorin e fundit. Nëse sëmundja nuk trajtohet, individi mund të jetë i paaftë për punë brenda një periudhe tre vjeçare që nga fillimi i sëmundjes.

 

Cilat janë shkaqet e sëmundjes së artritit rheumatoid?

 

Shkaqet e kësaj sëmundjeje që gradualisht dëmton kockat dhe indet përreth ende nuk janë të njohura mirë. Mendohet si një bashkëveprim kompleks midis faktorëve të mjedisit dhe atyre familjare. Megjithatë ndër shkaktarët më të shpeshtë që çojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje listohen të jenë: “Histori familjare me artrit rheumatoid (në rreth 40 për qind të rasteve), seksi femër, mosha e mesme ose e vjetër, pirja e duhanit për një kohë të gjatë, përdorimi i shumtë i kafes, infeksionet e shpeshta të dhëmbëve, etj”. Ndërsa së fundmi është vënë re se përdorimi i kontraceptivëve oralë, konsumimi i çajit, përdorimi i vitaminës D, shoqërohet me një ulje të riskut për artrit rheumatoid.

 

Cilat janë simptomat më të shpeshta klinike të artritit rheumatoid?

 

Situata klinike mund të ketë disa forma shfaqjeje, por më e zakonshmja fillon ngadalë dhe shenjat e plota vendosen pas javësh e muajsh nga koha fillestare e nisjes së sëmundjes. Fillon me shenja sistemike si dobësi e përgjithshme, dhimbje muskulo-skeletike. Artriti rheumatoid karakterizohet me skuqje, ënjtje dhe ngurtësim të një ose disa artikulacioneve në të njëjtën kohë. Kyçet që preken më shpesh janë kyçet e vogla të gishtave të këmbëve dhe të duarve. Kyçet e prekura janë të dhimbshme, të fryra, të nxehta në prekje dhe kanë kufizim në lëvizje, ngurtësim. Ngurtësimi është më i shprehur në mëngjes, zgjat rreth 45 minuta deri në një orë. Gjatë kësaj kohe pacienti përpiqet të lëvizë duart apo këmbët. Pas kësaj periudhe kohore lëvizjet sikur lehtësohen. Kjo simptomë njihet me emrin “ngurtësim mëngjesor” dhe është tipike për artritin rheumatoid. Kjo simptomë mund të shfaqet papritur ose për një periudhë të gjatë kohore. Kur shfaqet papritur vjen zakonisht pas një gjendjeje të ulur imunitare, si për shembull pas një temperature ose gjendjeje virale. Gradualisht sëmundja përparon dhe përveç artikulacioneve përfshihen edhe indet përreth. Përveç artikulacioneve të vogla preken dhe ato të mëdhatë si për shembull bërrylat, gjunjët ,të kofshës, etj.

 

Terapia që duhet ndjekur mbi parandalimin e shpejtë të ndërlikimeve që mund të sjellë kjo sëmundje

Përsa i përket terapisë, pacienti drejtohet tek mjeku i familjes fillimisht dhe natyrisht që përgjegjësinë për trajtimin adekuat të sëmundjes e mban mjeku rheumatolog. Por, për qetësimin e dhimbjeve rezulton mjaft efikas “paracetamoli” dhe “ibuprofeni”, gjithmonë duke u konsultuar me mjekun e familjes. Kur dëmtimet e artikulacioneve janë të mëdha gjen vend kirurgjia ortopedike. Në qoftë se trajtimi i sëmundjes fillon që në fillimet e saj, perspektiva është shumë e mirë. Sot synohet që të qetësohet dhe përmirësohet çdo shenjë e artritit rheumatoid, por nuk duhet harruar se është sëmundje kronike me periudhat e qetësisë dhe të acarimit.

 

Çfarë u rekomandohet të sëmurëve me artrit rheumatoid?

Ushtrimet e rregullta fizike dhe shëtitjet e rregullta në ajër të pastër luajnë rol pozitiv në ruajtjen e lëvizshmërisë së artikulacioneve dhe forcimin e muskujve përreth. Sigurisht nuk mund të mos theksojmë rolin e madh pozitiv të sportit të notit. Duke qenë se infeksionet e dhëmbëve dhe përdorimi i duhanit luajnë rol negativ në këtë sëmundje duhet bërë kujdes në këtë drejtim.

 

Faktorët nxitës

Histori familjare me artrit rheumatoid (në rreth 40 % të rasteve )

Seksi femër

Mosha e mesme ose e vjetër

Pirja e duhanit për një kohë të gjatë

Përdorimi i shumtë kafes

Infeksionet e shpeshta të dhëmbëve

 

Vaji i peshkut

Disa studime afatshkurtra kanë rezultuar se përdorimi i vajit të peshkut ndikon pozitivisht në përmirësimin e klinikës së sëmundjes.

Ushqehu shëndetshëm !!

Duhen konsumuar mjaft fruta dhe perime. Studimet kanë treguar se nëpërmjet ushqyerjes me një dietë të ekuilibruar, të pasur në fruta dhe perime, mund të sigurohen mjaft element ushqyes të nevojshëm për të reduktuar jo vetëm dhimbjet e kyçeve, por për të pasur kocka të shëndetshme në tërësi. Ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë marrjen e multivitaminave ose suplementëve të tjerë për njerëzit të cilët nuk marrin mjaftueshëm minerale dhe vitamina nga ushqimet. Por, edhe në këto raste nuk duhen neglizhuar asnjëherë rekomandimet e marra nga mjeku. Kjo përfshin njerëzit që kanë çrregullime gastrointestinale që kanë probleme me thithjen e vitaminave dhe mineraleve në organizmin e tyre. Marrja e tepruar e natriumit, proteinave dhe kafeinës mund të shkaktojë humbje të kalçiumit, prandaj është e rëndësishme për shëndetin e kockave që marrja e tyre mos të jetë mbi normat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here