Arsimi çështje e të gjithë popullit dhe e askujt

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

Loading...

 

 

Të flasësh për arsimin, edukimin, nxënësit, shkollat, është kthyer në një sport që përdoret nga shumë kush që del në një festë, konferencë apo aktivitete gjithë farë llojesh. Flet kryeministri, ministri brendshëm, ministri i mirëqenies sociale, i kulturës, i mbrojtjes, bujqësisë,  kryetari i bashkisë, madje edhe administratori apo kryeplaku i fshatit që nuk ka shkollë fare.

 

Është ky një pasion për arsimin apo demagogjia, për shërbimin më të rëndësishëm të një shteti?

 

Nëse të gjithë do të kishin një grimë ndërgjegje, dashurie, pasioni, dëshire, vullneti, detyrimin ndaj vetes, familjes e shoqërisë, kishin gjithçka në dorë që në tre vite: Të ndërtonin dhe rikonstruktonin shkollat, të shtonin laboratorët, mjetet didaktike, instrumente e sportit, të zhvillonin aktivitete në dobi të shkollës dhe jo politikës, ta vendosnin figurën e mësuesit në vendin që i takon, të rrisnin pagat e tyre, të reduktonin përdorimin e drogës, alkoolit, armëve të ftohta dhe të ngrohta në mjedisin e shkollës, të mos e kthenin shkollën në çerdhen e partisë dhe strehën e lloj-lloj e sos-soj njerëzish që nuk kanë të bëjnë me arsimin fare. Ishte e gjithë mundësia, që shkollat të merrnin fytyrë më të civilizuar. Nëse nuk bëheshin plotësisht komunitare të paktën,  të mos enden lart e poshtë nxënësit, si pasojë e rikonstruksioneve të rrjetit ngrohës, që ka 7 muaj që nuk po mbyllet në ato pak shkolla, që pretendohet se po punohet. Kryeministri ka pasur gjithçka në dorë për të bërë shumë më tepër për arsimin, por e ka përdorur këtë sektor si kavie, për të gjitha eksperimentet, dëshirat dhe tekat e tij. Kryeministri u premtoi mësuesve se do t’u rriste rrogat, por nuk e mbajti fjalën. Ishte kryeministri që premtoi libra më të mirë për nxënësit e shkollave, por në të vërtetë e ktheu tekstin shkollor në një biznes qeveritar, të grupuar në pak duar. Ishte kryeministri sportist, që premtoi më shumë orë të edukimit fizik, më shumë terrene sportive, por më shumë se ¼ e orëve të edukimit fizik, as nuk zhvillohen formalisht. Kryeministri premtoi plot bujë e melankoli se do të largoheshin të gjithë mësuesit pa arsim përkatës, nga sistemi arsimor. Në të vërtetë, ata janë aty dhe madje janë shtuar në numër e cilësi. Rasti i Trebishtit, Bulqizës, Rehovës e shumë zonave të tjera, tregon se gjendja nuk është përmirësuar por përkundrazi është përkeqësuar edhe më tej. Ministrja e Kulturës, e Arsimit, premtuan për një Lice Artistik krejt ndryshe, dy vite më parë. Sot Liceu, po rregullon banjat, nesër dritaret e më pas dyshemenë. Për cilësinë, nxënësit që duhet të regjistrohen, kurrikulën e re që do të zbatohet, statusin e këtyre shkollave, me kismet pas vitit 2020.

Ministri i Mirëqenies, mburrej dy vite rresht se kishte rritur numrin e nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, por e vërteta qëndron krejt ndryshe, që numri i tyre është ulur, në mënyrë dramatike. Dhjetëra shkolla profesionale janë drejt mbylljes, në shkollat e tjera shkojnë pak veta dhe është ulur cilësia e nxënësve që regjistrohen. Konviktet kanë gjithnjë e më pak nxënës. Qendrat e Formimit Profesional, janë në ditë të hallit. Për të dalë nga situata, ministri, sjell rastin kur duhen kasap e nuk ka kasap. Në fakt kjo është një tjetër trill i kësaj qeverie, që kërkon të tregojë se ka kërkesë në treg për mish, kur në fakt njerëzit nuk kanë lek për të blerë lakër të bardhë.

 

Në mungesë të investimeve reale, propaganda dhe spektakli i pështirë mediatik, largojnë vëmendjen nga realiteti

 

Pse është më e lehtë propaganda sesa investimi në arsim? Sepse ky sektor konsiderohet si domen i qeverisë dhe jo si ndonjë shërbim i shoqërisë. Çdokujt i kujtohet projekti famoz i “Shkollës Komunitare”. Tani pak kush flet për të. Flitet se për t’i dhënë një nxitje këtij projekti të rrënuar e diskretituar, do të vihen në dispozicion 400 milion lek. Më shumë se do t’i shërbejnë komunitetin, kjo shumë do t’i shërbejë politikës dhe përfituesve të saj qeveritar në prag të fushatës, për t’i thënë popullit: “Shiko sa transparent jemi ne, po ju hapim edhe dyert e shkollës”. Ndërsa mungojë lekët për infrastrukturën e shkollës, për rimbursimin e mësuesve, për më shumë komjutera në shkollë, ato shkojnë lum për projekte, që kanë dështuar që në lindje. Shkolla komunitare, festivali i ideve, etj., gllabërojnë milionat që shkojnë në xhepat e  mirëbërësve të qeverisë. Por propaganda është mësuar që të mbuloj gjithnjë të vërtetën. Propaganda ka nevojë për kazusin e radhës: njëherë një kurrikulë ë ere për arsimin, njëherë një pallavër për parashkollorin, broçkulla për 9-vjeçaren e në fund, dashuria ndaj Zotit, Krijuesit të Madh, bën që të “reflektojë” edhe kryeministri ynë. Në një fjalim që ishte pa fund e krye, me shumë pika e presje edhe aty ku s’duhej, u hodh një “ide e re” për edukimin fetar në shkolla, që vetëm ai e di si do të bëhet. Si Zeusi që kishte të drejtën të lëshonte i pari rrufetë, është gjithmonë kryeministri dhe askush tjetër që i paraprin “reformës së radhës” në arsim, apo përndryshe, dështimit të ardhshëm në këtë sektor.

Pasi gënjeu, talli, denigroi, ironizoi, përbuzi, u zgërdhi e u ngërdhesh me mësues e pedagog, tani në këtë vit 2016, do të merret me nismat e reja, për të harruar populli i mjerë, dështimin e të parave. Nuk ka asnjë analizë, koment, kritikë, investigim gazetaresk, pale më shtetëror e parlamentar që të merret me fakte të njohura: Si ka mundësi, që ligji 69/2012, nuk zbatohet në rastin e emërimit të drejtorëve të institucioneve shkollore? A është e ligjshme që njerëzit të rrinë të komanduar për një periudhë më shumë se 2 vjeçare në postin e drejtuesit të Drejtorisë Arsimore Rajonale? A është e ligjshme Kontrata Kolektive e Sindikatave të mësuesve, e cila, përfundon afatin më 31 maj 2017, fiks 1 muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme elektorale? Përse nuk kemi asnjë shifër zyrtare në lidhje me shkollat e reja të ndërtuara, të rikonstruktuara, mësues jashtë profilit, laboratorë të rinj etj?. Mungesa e këtyre pyetjeve, interesit të komunitetit të prindërve, pandjeshmëria e shoqërisë shqiptare, shuarja deri në ndjeke e zërave të shoqërisë civile, i kanë lënë fushë të lirë propagandës, që duhet thënë se ka një farë suksesi, pavarësisht, se përsëritet me të njëjtat ngjyra.

 

A jemi në kushtet e një amnezie të përgjithshme, apo na pëlqen të gënjehemi?

 

Çuditërisht që të dyja, janë në të njëjtën linjë. Veç amnezisë të imponuar nga frika, trauma e varfërisë, mungesës së perspektivës, nuk mund të mohohet se kemi edhe vetë qejf të gënjehemi. Është pak e rëndë ta pohosh, por kjo është e vërtetë, përndryshe nuk kishte asnjë mundësi, që njerëzit të gënjeheshin me kaq lehtësi. Të gjithë e dimë se ka prej 2013 e deri më sot, që mësuesit nuk marrin shpërblim në fund të vitit e as nuk u rritet rroga. Si mund të gënjehen dhe ta pranojnë gënjeshtrën e lëshuar nga ministri i brendshëm, një shoqëri kur thotë se, “mësuesve ju kemi rritur rrogat, pasi me uljen e taksave përfitojnë një rrogë të 13-të”. Ja pra ku qëndronte sekreti i premtimit të kryeministrit për rritjen e pagave të mësuesve: Ulja e taksave, mbush xhepat me mësuesve. Këtë broçkull që vështirë se lëshon edhe një nxënësi i vitit të dytë në gjimnaz, për çudi, pa çudi e beson një popull i tërë me shumë lehtësi.

 

Po nuk është vetëm kryeministri fajtori i vetëm, as ministrat e tij e natyrisht as prindërit e nxënësit. Duke parë se arsimi është fusha ku mund të luash pa top, të besosh se ke bërë gola edhe pa luajtur asnjë minutë, të bindësh veten se të ndjekin pas me qindra mijëra fansa, edhe aktor të tjerë, nuk e lanë rastin të shpëtoj. Si në një garë të shfrenuar, ku gjithkush kërkon të dali i pari, Avokati i Popullit, OJF, të vetëquajtur specialist, media, moderator, psikolog, studiues të shkencave sociale e politike, njerëz që mbahen me taksat e publikut dhe flasin në emrin e tij, duke deformuar të vërtetën, e kanë kthyer gjithashtu në një sport të preferuar arsimin. Kështu që kryeministrit, kabinetit dhe enturazhit të tij, nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’i shkojnë pas dëshirës së popullit, për më shumë propagandë, politikë, degjenerim, disintegrim, rrënim, shkatërrim, çthurrje, deri në asfiksim të sistemit arsimor në Shqipëri.

Kujt i mbete përgjegjësia? Gjithkujt që hesht edhe pse nuk miraton.

 

 

 

Loading...

Lini nje pergjigje