Plas fenomeni i fajdeve, kredi private me interesa deri 60 për qind

0
197

download (3)

 

Asnjë institucion nuk ndërhyn, huamarrja kryhet lirshëm tek noterët, nxitet nga bllokimi i kredive bankare

 

Ervin Kaduku

 

 

Shqiptarët e kanë kujtesën e shkurtër. Fenomeni i marrjes së kredive jashtë bankave nuk është ndalur. Madje, po shtohet kohët e fundit, nisur nga vështirësimi i dhënies së kredisë nga ana e bankave të nivelit të dytë. Në fakt, 2015-a ka qenë një vit tepër i dobët për kreditimin e bizneseve dhe individëve. Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-n. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Pas ritmeve të larta të rritjes deri në 2008-n, huaja për ekonominë filloi të reduktohej ndjeshëm pas krizës globale të atij viti, teksa bankat filluan të përballen me pasojat e kredive të pakthyera në afat. Rritje negative vjetore, që pas 2008-s është shënuar në 2013-n me -1.2% dhe në 2005-n. Huaja ka rënë me bazë mujore për 8 muaj të vitit.

 

Biznesi

 

Kredia e re për biznesin është në rënie edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në dy muajt e parë të vitit 2016 janë dhënë 22.6 miliardë lekë kredi e re për sipërmarrjet, në rënie me afro 15% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sektori më i kredituar i ekonomisë ngelet tregtia, me 10.8 miliardë lekë ose rreth 48% të totalit. Megjithatë, edhe kreditimi i tregtisë këtë vit është më i zbehtë dhe ka pësuar një rënie vjetore me 16%. Kreditimi paraqitet i dobët në shumicën e sektorëve. I vetmi përjashtim është industria përpunuese, ku kredia e re e dhënë nga sistemi financiar ka arritur në 4.3 miliardë lekë, në rritje me 42% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Megjithë optimizmin e Bankës së Shqipërisë, kreditimi i biznesit, që përbën edhe boshtin e kredisë për ekonominë ngelet mjaft i dobët. Kjo gjendje është rezultat i kërkesës së dobët nga njëra anë dhe i ofertës së shtrënguar të bankave nga ana tjetër. Sektori privat i ekonomisë po vepron nën potencialet e veta dhe kjo gjeneron më pak kërkesë të shëndetshme për kredi. Edhe bankat vetë duket se tani janë shumë konservatore në kreditim, të kushtëzuara edhe optimizmi i tepruar gjatë viteve të mëparshme, kur u përqendruan financime të shumta në sektorë apo grupe kompanish që, më vonë, nuk rezultuan të suksesshme gjatë viteve të krizës. Megjithatë, drejtuesit e bankave tregtare dhe Bankës e Shqipërisë këmbëngulin se përmirësimi në procedurat për mbledhjen e kredive të këqija do të sjellë edhe një rritje të kreditimit.

 

Fajdet

 

Ndërkohë, një treg paralel huaje jashtë bankave, kryesisht për individët, por edhe për biznesin, po zhvillohet me shpejtësi. Noterët faktojnë një rritje të aktivitetit në nënshkrimin e kontratave të huas, ku individët dhe bizneset marrin borxh te njëri-tjetri. Afatet janë të shkurtra dhe interesat variojnë 2-5% në muaj (30-60% në vit). Banka e Shqipërisë konfirmon se paraja jashtë bankave po rritet me shpejtësi. Tani kur interesat e depozitave në lekë nuk janë më shumë se 1.5% për afatet 12-mujore dhe bankat pothuajse kanë ndalur kredidhënien, një treg paralel huaje jashtë kanaleve bankare po zhvillohet vrullshëm. Me ndërmjetësinë e noterëve, madje edhe me kolateral, të cilësuara si kontrata të huas, qytetarët japin me interes kursimet e tyre. Kjo para që po del nga bankat janë kursimet e individëve, të cilët po i tërheqin nga llogaritë bankare për t’i investuar në forma të tjera me fitim më të lartë, e konfirmuar kjo dhe nga tendenca rënëse e kursimeve të individëve me afat në lekë. Noterët konfirmojnë se kontratat e huas ku palët japin dhe marrin para me interes janë rritur dukshëm, të paktën 30% në krahasim me një vit më parë. Por, sipas tyre, ky fenomen në rritje vjen edhe për faktin se, tani njerëzit kur japin borxh, qoftë edhe të afërmve të tyre, preferojnë të kenë një garanci në këtë rast noteri. Por si bankat, si “tregu i zi” i kredisë shihen të kenë një mbështetje ligjore. Për bankat dihet se kanë mision kryesor dhënien e huave dhe funksionet janë të rregulluara me ligj, por edhe kreditë në tregun e zi, në njëfarë mënyre, rregullohen pasi mbrohen nga Kodi Civil dhe kolaterali që administrohet ngakoncesionari privat i barrëve siguruese.

Por tani që fenomeni i parasë me fajde nga noterët ka tejkaluar rutinën e zakonshme, institucionet përgjegjëse nuk janë hedhur në veprim. Nga aspekti ligjor kontrata e huasë tek noteri është e ligjshme, pasi shkëmbimi i vlerave monetare dhe materiale mes dy personave hyn tek liritë themelore. Kredia jashtë bankave është e dënueshme vetëm ku vlerat monetare jepen me interes nga një grup i organizuar për qëllime fitimi. Por, tani kur huatë noteriale kanë kaluar rutinën e zakonshme dhe ofrohen me interesa tëlarta, rreziku për një fajde në hijen e ligjit është shtuar. Kontratat e huas jashtë bankave përgjithësisht janë për shuma të vogla dhe afate shumë të shkurtra. Palët e interesuara, në rastet kur shkojnë te noteri, bien dakord paraprakisht për kushtet, duke lënë edhe një kolateral që në të shumtën e rasteve janë pasuri të lëvizshme. Aktualisht, për një borxh 5 mijë euro, për tre muaj, kërkohen 6.500 euro. Nëse shuma nuk kthehet në kohë, fillon një penalitet ditor më shumë se 50 euro dhe, nëse edhe pas një muaji penalitetesh, përsëri shuma nuk ka mundur të likuidohet nga huamarrësi,atëherëpalët shkojnë në gjykatë. Po të llogariten me bazë vjetore interesat e huave në tregun e zi variojnë nga 30 deri mbi 60%. Akti noterial është titull ekzekutiv dhe në këtë mënyrë, gjykata i jep të drejtë palës që ka dhënë borxhin të nisë ekzekutimin e kolateralit (shiko aktin noterial të skanuar për një rast kredie te noteri, ku janë fshirë emrat e palëve). Pala huadhënëse, nëpërmjet përmbarimit, nis procedurat e ekzekutimit, njësoj si për bankat. Në përgjithësi, shumat janë të vogla, por interesat janë të larta në raport me bankën, gati katër herë ose më shumë. Mungesa e kredisë nga bankat është një faktor për nxitjen e transaksioneve të huave jashtë sistemit. Por së fundmi, shihet se nxitësi më i madh janë interesat e ulëta të depozitave në banka. Në përgjithësi, afatet e kthimit të huave në tregun informal janë të shkurtra. Por ka edhe kontrata të mëdha që shkojënë disa dhjetëra mijë euro, ku po lihen peng edhe shtëpitë. Ka dy lloje kontratash që firmosen te noteri, ato me interes dhe pa interes. Në përgjithësi, aplikohen kontrata pa theksuar interesat, për të shmangur tatimin, ndërsa palët e kanë një marrëveshje të fshehur. Kolaterali janë zakonisht makinat dhe sende të lëvizshme me vlerë si celularë etj. Vlerat e kolateralit në tregun e zi variojnë në ekstreme nga 100-200% të vlerës së borxhit të marrë. A do të vazhdojë të qëndrojë shteti duarkryq përballë kësaj situate? Nuk i trembet një situate shpërthyese si në vitin 1997?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here