Gjykata e Durrësit ka lënë në burg kujdestaren e Shtëpisë së Foshnjes në Durrës, Dafina Fama, e cila dhunoi një djalë 3-vjeçar jetim.
Rasti në fjalë u publikua nga emisioni investigativ ‘Stop’, pasi punonjësja e Shërbimit Social, Daniela Deliallisi konstatoi shenjat e dhunës në fytyrën e djalit të mitur.
Kujdestarja Fama nuk ka pranuar akuzuat e ngritura në sallën e gjyqit duke pretenduar se shenjat në fytyrën e fëmijës ishin shkaktuar nga rrëzimi në tualet, ndërsa avokatja e saj mbrojtëse e ka konsideruar të paligjshëm arrestimin.
Por në raportin mbi rastin në fjalë thuhet se vetë fëmija e kishte konfirmuar dhunën dhe emrin e kujdestares, Dafina Fama.
Këtë gjë e kishte bërë gjatë bisedës larg dhunueses, pasi në prani të saj fëmija nuk fliste dhe kjo sipas punonjëses së Shërbimit Social konfirmon jo vetëm dhunën fizike, por edhe atë psikologjike të ushtruar kundrejt fëmijës.