Standard.al

Përkujtohet Andon Zako Çajupi në 150 vjetorin e lindjes, dhurohet dekorata e tij për muzeun

0

Poeti Andon Zako Çajupi, korifeu i gjuhës shqipe është përkujtuar në këtë 150-vjetor të lindjes së tij. Në një ceremoni të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar ku Shoqata Atdhetare Kulturore “Çajupi” që me këtë rast i dhuroi Muzeut për t’u ekspozuar në ambientet e Pavijonit të Rilindjes, dekoratën që poetit të shquar i është akorduar nga Presidenti i Republikës që prej vitit 2013.  “Poetët kanë vetëm ditëlindje. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë përkujtohen ata”, tha kryetari i shoqatës atdhetare Andon Pano. Sipas tij, Çajupi është poeti që i ka kënduar tri elementëve kryesorë të jetës: të besimit e Perëndisë, të atdhetarizimit e atdheashurisë dhe të dashurisë. “Askush si ai nuk i ka kënduar dhimbjes, dashurisë, jetës si Çajupi. Madje askush si ai nuk ka fshikulluar problemet e mprehta të kohës”, – u shpreh Pano.

Ndërsa Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi tha se Çajupi është një nga më të rëndësishmit korife të gjuhës shqipe dhe askush si ai nuk i ka kënduar natyrës, lirizmit e botës femërore. “Duhet dhe shumë vite të tjera që vepra e shkruar që na ka lënë Çajupi të mund të zbërthehet tërësisht”, – tha drejtori i Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë aktivitet u lexua dhe një përshëndetje e Dritëro Agollit dhënë me rastin e akordimit të dekoratës “Nderi i Kombit” poetit Andon Zako Çajupi. “Çajupi është poeti që i këndoi popullit të tij që nga mërgimi, duke lënë vulën e tij në letërsinë shqipe, si i dyti poet i rëndësishëm i Rilindjes, pas Naim Frashërit, në thelbin e veprave të të cilit përndritnin idetë e rizgjimit të vetëdijes kombëtare”, – u citua nga fjala e Agollit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.