Kauza për mbrojtjen e parkut/ Flet aktivisti Pavjo Gjini: Këndi i lojrave,shkencërisht i paqëndrueshëm. Projekti pilot shkatërro

0
572
Keni më shumë se një javë që protestoni me natë e me ditë. Si mendoni si do shkojë situata deri në fund?
Më saktësisht u bënë 12 netë dhe 13 ditë që vazhdon qëndresa gjatë gjithë ditës nga qytetarët tek Ulliri brenda Parkut të Liqenit, dhe tashmë janë me dhjetëra aktivitetet dhe protestat e organizuara në mbrojtje të parkut dhe kundra kësaj mënyrë të të bërit të politikave publike. Kjo vendosmëri dhe vazhdimësi tregon se qëndresa do të vazhdojë dhe bashkqytetarët tanë janë të mirëpritur të na bashkohen.
Ju si “Qytetarë për Parkun” po bashkëpunoni me grupe të tjera interesi për të mboshtur këtë kauzë?
Nuk mendoj se konceptet “grup” dhe “grup interesi” i shkojnë përshtat natyrës së kësaj qëndrese. Në rradhë të parë Parku i Liqenit është i qytetit dhe rrjedhimisht i të gjithë qytetarëve. Pra nuk mundet të ketë grupe specifike interesi për të, por i gjithë komuniteti është i implikuar. Gjithashtu implementimi i politikave antiligjore, antidemokratike dhe antishkencore, siç janë këto ndërtime brenda parkut, implikojnë, përsëri, të gjithë komunitetin. Bashkia është e të gjithëve qytetarëve dhe jo e grupeve të interesit.
Në mendimin tim qëndresa që po bëhet në mbrojtje të parkut ka më shumë natyrën e një lëvizje qytetare se sa të një organizimi ndërgrupacional. Unë vetë po marr pjesë te kjo kauzë thjesht si një qytetar i cili ka vendosur me jetu në Tiranë, dhe rrjedhimisht është i detyruar t’i dalë në mbrojtje çdo ngjarjeje dhe vendi që e bëjnë këtë qytet të banueshëm.
Angazhimi dhe kontributet e dhëna deri tani janë nga më të ndryshmet. Disa qytetarë po ndjekin proçedurat ligjore, disa po punojnë për mediatizimin e kauzës dhe shumë të tjerë po mbajnë qëndresën te Parku. Gjithashtu, kundër ndërtimeve në Parkun e Liqenit janë shprehur shumë organizata të shoqërisë civile, organizata mjedisore dhe grupe të ndryshme qytetarësh të cilat kanë dhënë kontributin e tyre në organizimin e protestave dhe aktiviteteve të ndryshme. Çdo kontribut është i rëndësishëm, prandaj janë të gjithë qytetarët të mirëpritur të na bashkohen në qëndresë si qytetarë, pavarësisht grupeve apo partive në të cilat bëjnë pjesë.
Mendoni se qytetarët ju kanë mbështetur mjaftueshëm?
Siç e thashë edhe mësipër, ky është një vetëorganizim qytetar dhe personalisht jam më se i kënaqur që qytetarë të vetëorganizuar në Tiranë po bëjnë një qëndresë me vendosmëri dhe vazhdueshmëri në mbrojtje të një vlere publike siç është Parku i Liqenit. Shpresoj që kjo qëndresë të shërbejë si shembull edhe për qytetarë të tjerë për t’u vetëorganizuar dhe për të mbrojtur çdo copë vlere, pasurie dhe vendi të përbashkët që kemi. Kjo është fryma që duhet shpërndarë ndërshqiptarë.
Po qytetarët që kalojnë aty nga mjesi në darkë a solidarizohen me ju ?
Po shtohen dita ditës sa më e qartë bëhet vendosmëria dhe vazhdueshmëria e qëndresës dhe sa më ftuese bëhet ftesa për të na u bashkuar.
KQZ nga ana tjetër ka hedhur poshtë dhe kërkesën e këshilltarëve të PD0së për këtë
cështje. Si e vlerësoni ju si vendim?
Institucionet që duheshin dhe duhen angazhuar sa më parë për këtë kauzë janë Prokuroria dhe Ministria e Mjedisit. Njëri prej këtyre institucioneve duhet të vendosë në lëvizje Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit i cili mund të ndalojë menjëherë punimet që po vazhdojnë. Më tej, Prokuroria duhet të hetojë ligjmërinë e veprimeve të Kryetarit të Bashkisë, pasi ndërtimet në Parkun e Liqenit kanë filluar pa Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, pa Leje Mjedisore, pa Projekt dhe Plan publik se çfarë do ndërtohet dhe pa Informimin Publik të qytetarëve. Ndërsa, Ministria e Mjedisit e cila duhet të bëjë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në mjedis nga ndërtimet në park.
Mendoni se Bashkia i ka “blrerë” të gjitha institucionet që kanë zë dhe pushtet për ta ndaluar këtë kantier ndërtimi?
Nuk mendoj se është i vërtetë konstatimi. Protestat dhe qëndresa qytetare tregojnë se ka guxim e demokraci mes qytetarësh dhe jo gjithçka është për tu shitur e blerë.
Cila është rruga e dretë dhe e vetme për të ndalur betonizimin që po i bëhët parkut?
Nuk ka një rrugë të drejtë dhe të vetme, por shumë angazhime që mund të ndërmerren si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana qytetare. E rëndësishme është të kuptohet se kjo qëndresë është një test/provë/sfidë për një vetëorganizim qytetar emancipues, diçka e cila vazhdimisht shpotitshëm deklarohet si e pamundur si të mos jetonin qytetar në këtë qytet. Prandaj është e rëndësishme që sa më shumë qytetarë të përfshihen në qëndresë, por si qytetarë, në mënyrë që të mblidhen sa më shumë ide dhe kontribute në mbrojtje të parkut.
Pas dokumentave të zbulluar nga Ministria e Mjedisit se nuk është dhenë leje mjedisore, a ka ndryshuar situata nëfavorin tuaj?
Ndërtimet po vazhdojnë brenda Parkut, rrjedhimisht mund të themi se puna e bërë nga Ministria e Mjedisit është një punë e lënë përgjysëm dhe jo e çuar deri në fund. Ministria duhet të ndalojë punimet brenda Parkut dhe të bëjë vlerësimin e dëmit, kjo është detyra e saj.
Megjithatë, kur institucionet tona përfaqësuese nuk e bëjnë punën e tyre, atëherë është detyra jonë si qytetarë dhe pjestarë të këtij populli t’i detyrojmë për ta bërë atë.
Por nga ana tjetër dhe në KKT nuk kanë firmosur të gjithë, ju favorizon kjo gjë?
E njëjta gjë vlen edhe për KKT.
Por ju si aktivistë keni deklaruar se pas këndit të lojrave fshihet kullarizimi i Liqenit. Keni të dhëna dhe fakte për këtë?
Mjafton të pyeten inxhinierë ndërtimi dhe pyjesh, gjeografë dhe studjues të tokës për të kuptuar se këndi i lojrave i cili po ndërtohet brenda Parkut të Liqenit është shkencërisht i paqëndrueshëm nga pjerrësia e madhe e tokës, tharja që po i bëhet asaj dhe erozioni që do shkaktohet nga shkulja e pemëve. Se çfarë do të bëhet kur të prishet ai kënd brenda pak kohësh këtë qytetarët mund ta imagjinojnë vetë nga eksperiencat e mëparshme të qytetit. Gjithashtu, ndërsa ndërtimet brenda zonës së Parkut vazhdojnë prej vitesh, qytetarët duhet të kuptojnë se ndërtimi i këtij këndi lojrash mu në zemër të parkut është projekti pilot për shkatërrimin përfundimtar të Parkut të Liqenit.
Me policinë jeni përleshuir disa herë. Jeni ulur qoftë dhe një herë të vetme të bisedoni me ta dhe çmendim ata per kete situatë?
Ne nuk jemi përleshur me policinë. Kjo duhet qartësuar! Policia ka ushtruar dhunë ndaj nesh dhe po mbron me dhunë një projekt të paligjshem brenda Parkut. Si qytetarë të kësaj Republike monopolin e dhunës ia kemi lënë në dorë policisë, ndërsa vetë jemi paqësor. Policia për fatin tonë të keq e ka thyer kontratën shoqërore me qytetarët dhe në vend që të mbrojë rendin publik, dhunon qytetarët për të mbrojtur shkatërrimin e një parku publik. Madje kemi vënë re se kur FRPD-ja, PD-ja apo eksponent të Partisë Demokratike organizojnë protesta të dhunshme te Parku, pas protestës policia bashkiake vjen dhe e nxjerr inatin duke na provokuar dhe sulmuar ne si qytetarë që vazhdojnë të qëndrojmë paqësisht në rezistencën tonë edhe kur PD-ja mbaron spektaklin e saj dhe largohet. Kështu ndodhi këtë të shtunë kur policia pas protestës erdhi dhe na shqeu çadrat dhe strehat që kishim improvizuar në park për tu mbrojtur nga shiu.
Me disa prej policëve bashkiak kemi biseduar dhe na kanë thënë se thjeshtë po bëjnë punën për të ushqyer familjet e tyre. Por kontradikta në këtë pikë është e tillë: a mundet dikush të dhunojë dikë, ta grabisë dhe më pas t’i kërkojë ndjesë duke i thënë “ma bëj hallall po për bukën e gojës e bëra”?! Zë vend në gjykatë ky argument mbrojtës?!
Nga ana tjetër po punëtorët që punojnë aty ju ka rastësisur të beni ndonjë bisedë me ata?
Natën e parë të qëndresës disa punëtorë dhe administratori i firmës “Kasel” Shpk. Kastriot Ponari kanë fyer verbalisht dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj disa prej qytetarëve që i janë afruar vendit ku po ndërtohej. Dhuna në fjalë është ushtruar edhe në prani të policisë dhe akoma nuk dihet nëse z. Kastriot Ponari po proçedohet për fyerje dhe dhunim qytetarësh. Ajo që dihet është se Z. Kastriot Ponari është shprehur publikisht se ka thyer këmbën në përleshje me protestuesit. Le ta marrim këtë deklaratë si të vërtetë, që është thyer këmba në përleshje, atëherë imagjinoni kurrizin dhe trupin e qytetarit në të cilin është drejtuar këmba e z. Kastriot Ponari.
Ju jeni aktiv në rrjetet sociale ju ka ndihmuar kjo formë për tu bashkuar me ju qytetarët?
Rrjetet sociale janë një instrument mjaft efektiv në shërbim të organizimit.
Po mediat ju kanë mbështetur apo ju kanë braktisur?
Shpjegimi i elementëve të renditura më lart është mbuluar shumë pak prej mediave. Megjithatë, të gjitha ato media që po i japin zë kësaj kauze përkundrejt të gjithë represionit pushtetor janë për tu përshëndetur dhe për tu nxitur që të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre me guxim.
Cili do ishte mesazhi i fundit për të gjithë qytatarët?
Kohët e fundit, në vendin tonë dilema kryesore dhe vendimi politik më i rëndësishëm që duhet të marrin shqiptarët është: Eksod a Vetëvendosje. Në të dyja rastet shqiptari ngelet refugjat brenda një kampi përqëndrimi. Në mënyrë që Tirana të mos mbesë në një kamp përqëndrimi dhe Këndi i Lodrave brenda Parkut të mos bëhet një tjetër kamp përqëndrimi për 200 000 fëmijë le të mblidhemi si qytetar për të mbrojtur të gjitha ato ngjarje dhe vende të cilat e bëjnë këtë qytet të banueshëm me dinjitet. Unë besoj te Populli Shqiptar!
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here