Nis mësymja e refugjatëve në Shqipëri, përdorin të njëjtat rrugë që kanë përdorur shqiptarët prej vitesh

0
155

Nis mësymja e refugjatëve të parë sirianë drejt Shqipërisë. Dje janë ndaluar 6 sirianë në kufirin me Greqinë, ndërsa një shqiptar është vënë në pranga për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Po konstatohet se ata po përdorin të njëjtat rrugë dhe shtigje që i kanë përdorur prej vitesh shqiptarët për të shkuar në qytetet greke. Sipas burimeve zyrtare, personat janë evidentuar me anë të kamerave termike në vendin e quajtur “Mulliri” në Kakavijë. Ata kishin hyrë ilegalisht nga kufiri jeshil me Greqinë dhe po lëviznin në drejtim të Gjirokastrës. Menjëherë Shërbimet e Policisë Kufitare kanë bërë bllokimin e tyre ku rezultoi se ishin 7 persona, nga këta 6 shtetas Sirianë dhe një shtetas shqiptar,  Zija Çollaku, 47 vjeç nga Delvina, i cili po i shoqëronte dhe i ndihmonte të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt shpërblimit. Të gjithë këta persona janë shoqëruar ne Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë ku u intervistuan. Nga procedurat e intervistimit rezultoi se 6 shtetasit Sirianë i kishte shoqëruar personi nga Delvina për të kaluar kufirin në mënyrë ilegale kundrejt shumës 300 Euro. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal. Policia bën të ditur se shtetasit sirianë u kthyen në Greqi. Nga ana tjetër policia i trembet trafikut masiv të refugjatëve.   Rrugët e kalimit   Refugjatët po përdorin si rrugë alternative kalimin përmes Shqipërisë, për të shkuar drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Europës. Lajmin e mësymjes së refugjatëve sirianë drejt Shqipërisë e ka paralajmëruar CNN grek ditë më parë. “Rrugët e paligjshme në kufirin shqiptaro-grek, të paarritshme dhe të fshehura në male, që janë përdorur gjerësisht në fillim të viteve 1990, mbeten gjithmonë aktive”, është shprehur CNN grek. Ishin 100 refugjatë që u vendosën fillimisht në Konicë, shumë afër kufirit shqiptar. Mediat greke kanë lajmëruar se vendosja e tyre aty vjen pasi Greqia pretendon se qeveria shqiptare do ndryshojë qëndrim dhe do hapë kufirin. Shqipëria dhe Italia do të bashkëpunojnë ngushtë për të përballuar çdo fluks të mundshëm refugjatësh. 20 policë dhe ekspertë italianë erdhën në Shqipëri, për të asistuar efektivët tanë në kufi. Aktualisht me dhjetëra forca policore kanë blinduar kufirin nga Kapshtica në Kakavijë, teksa tashmë italianë do të ndihmojnë për të shmangur trafiqet e mundshme, sidomos kalimin e terroristëve. Përveç policëve, do të ketë dhe ekspertë që do të monitorojnë situatën që do të vendosen në pikat doganore, teksa të tjerët do të patrullojnë në kufi. Po ashtu, në dispozicion do të jetë dhe një avion që do të monitorojë kufirin ujor, Jon-Adriatik.    Mafia shqiptare   Sipas prestigjiozes “The Economist”, mafia shqiptare ka nisur të bëjë gati gomonet për trafikimin e tyre. “Po qarkullojnë zëra se mafiozët shqiptarë po kërkojnë të blejnë gomone në Itali për të transportuar emigrantët në Itali, ashtu siç bënë me mijëra kurdë në vitet ’90. Autoritetet shqiptare kanë nisur të shqetësohen se Shqipëria do të duhet të bëjë llogaritë me shumë më njerëzit që vijnë sesa me ata që largohen. Disa parashikojnë se refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Iraku, shumë prej atyre që janë bllokuar në Greqi në përpjekjet për të hyrë në Europë nga Maqedonia, tani mund ta provojnë fatin e tyre përmes Shqipërisë. Një numër i vogël është kapur rrugës për në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje”, është shprehur revista pak më pare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here