Interesat në pikiatë, ku të leverdis të depozitosh kursimet?

0
184

Pas uljes së ndjeshme të normave të interesit të depozitave, dilemat janë shtuar për kursimtarët. Në cilën monedhë duhet t’i ruajë paratë, t’i mbyllë për një vit apo për një afat më të gjatë?

Një nga pyetjet më të shpeshta që dëgjon një punonjës banke është “Sa interesa fitoj po të vendos këtë shumë në një depozitë me afat?” Para disa vitesh, reagimi ishte shumë i shpejtë dhe pak a shumë i njëjtë. Punonjësi merrte një makinë llogaritëse dhe bënte shumëzimet-pjesëtimet e nevojshme për të dhënë totalin e interesave që përfitoheshin.

Në disa raste, nëse shuma e depozitës ishte e madhe, për shembull sa për të blerë një apartament, atëherë dhe shuma e përfituar nga klienti ishte e ngjashme me një qira të kënaqshme mujore, por për të cilat nuk ekzistonte shqetësimi nëse qiramarrësi do të paguante në kohë detyrimin. Në ditët e sotme, situata ka ndryshuar ndjeshëm. Bankieri e merr makinën llogaritëse, por shpesh ka sigurinë që nga rezultati klienti do të mbetet të paktën i habitur. Normat e depozitave në tregun bankar në Shqipëri kanë pësuar rënie në vitet e fundit dhe aktualisht janë nën 1% për depozitat në valutë dhe pranë 1% për ato në Lek, por tendenca duket se do të vazhdojë të jetë rënëse. Vitin e kaluar, uljes së normave të interesit iu shtua edhe rritja e tatimit mbi interesat e fituara nga depozitat nga 10% në 15%, si rezultat i paketës së re fiskale. Atëherë pse depozituesi shqiptar duhet të depozitojë para në Bankë?

Siç po e tregon gjithmonë e më shumë eksperienca, mbajtja e parave në bankë më shumë se përfitimet në interesa, ofron garancinë e të ruajturit të tyre në një vend të sigurt dhe me kosto apo risqe shumë më të ulëta se sa mbajtja e tyre diku tjetër. Madje në vendet e zhvilluara, situata me normat e depozitave është edhe e komplikuar. Teksa bankat qendrore kanë filluar aplikimin e interesave negative, edhe bankat tregtare kanë reaguar në të njëjtën mënyrë. Mund të përmendim Bankën Qendrore të Suedisë, e cila në mesin e muajit shkurt e uli në -0.5% normën e interesit nga -0.35% që ishte më parë. Në situatën e re të krijuar, bankat tregtare suedeze gjetën si alternativë vendosjen e komisioneve më të larta mujore për mbajtjen e parave në depozitë, duke mos aplikuar drejtpërdrejt interesa negative për klientët, por që përkthehen në të njëjtin rezultat. Fenomeni i aplikimit të normave negative të interesit, nuk ka dhënë as në kushtet e interesave negative efektet e supozuara në lidhje me tërheqjen e fondeve nga depozituesit.

 

Monedha

Duke u kthyer në tregun tonë bankar, një pyetje mjaft me vend që klientët bëjnë është: Në cilën monedhë t’i vendos kursimet e mia? Historikisht depozitat në Lek kanë ofruar norma më të larta se sa ato në valutë dhe e njëjta situatë është edhe sot. Por, nisur edhe nga diferencat relativisht të vogla të interesit midis valutave, duket më oportune të mendosh mbi nevojat reale të monedhës që do të zgjedhësh për të mbajtur kursimet të lidhura me planifikimet që ka individi, apo parashikimet e këmbimeve valutore, pa u ndikuar aspak nga variancat në normat e depozitave.

 

Afatgjatë apo afatshkurtër

Pyetja tjetër mjaft e rëndësishme që ka nevojë për përgjigje është e lidhur me afatin e depozitës: “Është më mirë vendosja e kursimeve afatgjata apo ato afatshkurtra?”

Për të zgjedhur afatin, sigurisht që gjëja e parë që duhet të bëjë çdokush, është të përpiqet të planifikojë sa më saktë se kur mund t’i nevojiten fondet, në mënyrë që të shmangë mbylljen e depozitës përpara maturimit. Nga ana tjetër, nëse individi nuk ka të planifikuar se kur i nevojiten fondet, është më e logjikshme që ato të lihen në depozita afatgjata, për të cilat edhe interesat që përfitohen janë më të larta.

Tregu bankar në Shqipëri, aktualisht ofron një larmi afatesh për produktet e kursimit, për rrjedhojë duke bërë një zgjedhje të kujdesshme dhe të zgjuar, mund të gjesh midis bankave produktin afatgjatë tek i cili aplikohen penalitete të reduktuara në rast mbylljeje përpara afatit. Në këtë mënyrë, pra duke zgjedhur një depozitë, të themi 5-vjeçare, klienti ka garancinë që për këtë periudhë, normat e kontratës nuk ndryshojnë, pavarësisht nëse tregu mund të ketë rënie të interesave. Ndërsa nëse tregu do të shënojë rritje të interesave, atëherë depozita mbyllet përpara afatit dhe investohet duke përfituar normat e rritura. Nëse është zgjedhur produkti i duhur, penaliteti në interesa është minimal.

Një formë tjetër që mund të ndihmojë në mbajtjen e kursimeve është ndarja e tyre në dy ose më shumë depozita, qoftë edhe në afate të njëjta maturimi. Në këtë mënyrë, në rast të ndonjë nevoje të paparashikuar për një pjesë të fondeve, prishet vetëm njëra nga depozitat, duke mos e prekur tjetrën. Si përmbledhje mund të thuhet që Banka mbetet alternativa më e mirë për mbajtjen e kursimeve, ndërkohë që zgjedhja e monedhës dhe afatit mbetet e ndikuar nga nevojat individuale dhe jo nga tendenca për të fituar më tepër interesa. Duke zgjedhur bankën dhe produktin e duhur, si dhe duke i ndarë kursimet në dy apo tri depozita, ulet dhe më tej risku i marrjes së përfitimeve të reduktuara, në rast prishjeje para kohe të depozitës. Sidoqoftë, është e qartë që në një të ardhme të afërt, interesat nuk do të kthehen në nivelet e para disa viteve kur ofronin përfitime maksimale.

Ku t’i investoj 500 mijë lekë të reja?

Po japim një shembull se cilat janë alternativat për të depozituar një shumë prej 500 mijë lekësh dhe sa fitohet nga secila:

  1. Llogaria e kursimit – e cila është llogari likuide dhe mund t’i tërheqësh fondet në çdo moment, pa penalitet. Por, nga ana tjetër, ofron interesa të ulëta, pra është e përshtatshme për persona që mund të kenë nevoja afatshkurtra për fonde.
  2. Depozita 1-vjeçare, e cila është afatmesme, ofron interesa të pëlqyeshme dhe mundësinë e tërheqjes në çdo kohë. Mbetet një produkt klasik, mjaft i zgjedhur nga klientët, por i cili nuk ka fleksibilitetin e produkteve të tjera, në treg.
  3. Dy produkte depozitash afatgjatë:

– E para me afat 5 vjet, e cila ka normë shumë të lartë, por që nuk ofron fleksibilitet në rast tërheqjeje të fondeve përpara afatit, pra humbet interesat.

– E dyta, me afat po 5 vjet, me norma interesi në rritje, me normë mesatare më të ulët se depozita më sipër, por e cila mbart avantazhin që në rast prishjeje të depozitës, përfitohet një pjesë e mirë e interesave.

Në tabelë jepen përfitimet për secilën alternativë, pas një viti dhe pas tre vitesh.

Si përfundim, nëse një klient nuk e ka të qartë se për sa kohë do t’i vendosë kursimet në Bankë, do t’i këshillonim një depozitë fleksibël 5-vjeçare, e cila ofron interesa ndër më të lartat, por nuk e penalizon klientin në rast të tërheqjes së fondeve para afatit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here