Historiani Paulin Zefi: Ministria po rrezikon përçudnimin e monumenteve

0
191

Shembull flagrant i abuzimit me monumentet është sot përdhosja e bërë me Kalanë e Lëkursit

 

 

Historiani Paulin Zefi e sheh me sy të dyshimtë udhëzimin për dhënien me qera të monumenteve. Zefi thotë se kërkohet monitorim intensiv për të mos humbur autenticitetin e monumenteve. Ai uron që ky vendim të mos jetë  mallkimi i radhës për trashëgiminë kulturore.

 

Nuk është pritur mirë nga specialistët e trashëgimisë kulturore udhëzimi i firmosur nga ministja Kumbaro në tetor 2015 dhe i mbajtur i fshehtë deri ditën e djeshme, kur ai u bë public nga mediat. “Monumentet e kulturës do të rijetëzohen dhe shfrytëzohen nëpërmjet dhënies me qira; nëpërmjet krijimit të partneritetit publik-privat me partnerë privatë dhe/ose publikë, të cilët mund të administrojnë apo të marrin me qira monumentet e kulturës; nëpërmjet personave juridikë të krijuar nga MK-ja dhe/ose institucione të saj të specializuara. Administrimi i monumenteve të kulturës do të kryhet nga bashkëpunimi me persona fizikë, persona juridikë fitimprurës, persona juridikë jofitimprurës (OJF); Partnerë strategjikë të MK-së dhe qeverisë shqiptare; Persona juridikë të krijuar nga MK-ja dhe/ose institucione të saj të specializuara, të cilët vetë apo në marrëdhënie me partnerët privatë/publikë administrojnë pasuritë kulturore pa të drejtë fitimi,”, kështu thuhej në udhëzimin e Kumbaros. Historiani Paulin Zefi  i cili kundërshtoi ashpër dhënien me qera të Kalasë së Lezhës në kohë kur u bë ky propozim nga ministria e atëherëshme, shprehet se: “ Dhënia me qera e disa objekteve të veçanta të cilat janë Monumente Kulture duhet të trajtohet si një proces shumë delikat dhe mos të zhvillohet në sinkron me koncesionet e frikshme që po jepen aktualisht sepse po të vazhdohet duke ndjekur të njëjtin ritëm që citova më sipër, atëherë duhet ti japim lamtumirën edhe Trashëgimisë tonë Kulturorë.”. Ashtu sikurse ka ndodhur më parë edhe sot ky udhëzim dyshohet se do ti ti hapë rrugën qiramarrësive të objekteve apo monumenteve të ndërtojnë për ti përshtatur këto pasuri për vendin. Historiani Zefi kërkon të veçojë një fakt se: “Dyshimet lindin krejt natyrshëm edhe për vetë faktin se në vitin 2013 mazhoranca aktuale dhe specialistët e saj të njohur të cilët sot janë në pozicione të larta drejtuese, e kundërshtuan fuqishëm këtë vendim të marrë tashmë nga Ministria e Kulturës në kohën kur mazhoranca e sotme ndodhej në opozitë e sidomos specialistët e njohur të PS të cilët reaguan fuqishëm kundër aferave koncesionare për Kështjellën e Lezhës të cilët sot, pikërisht po të njëjtët specialistë, të gjithë së bashku miratojnë në heshtje të njëjtat afera koncesionare ku do të përfshihen rreth 2700 objekte të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare që i kundërshtuan zellshëm rreth 3-vite më parë!!!…”.

 

Ministria e Kulturës ka firmosur së fundi një udhëzim për dhënien me qera të monumenteve të kulturës. Çfarë do të thotë kjo?

Idenë për dhënien me qera të disa objekteve të Trashëgimisë tonë Kulturorë Kombëtare të cilët gëzojnë statusin si Monument Kulturë, e kam propozuar nëpërmjet një shkrese zyrtare që në muajin gusht të vitit 2014 duke iu referuar një monumenti këtu në qytetin e Lezhës i cili fatkeqësisht është rrënuar plotësisht në fillim të muajit janar të këtij viti. Më konkretisht bëhej fjalë për banesën popullore qytetare të Sali Bajram Zekës në lagjen e vjetër karakteristike “Varosh” në qytetin e Lezhës e cila ju nënshtrua fatit të saj të zi duke u rrëzuar brenda vetes ndërkohë që Ministria e Kulturës e ka bërë veshin e shurdhër që prej më shumë se dy vitesh. Unë kisha gjetur një biznesmen shqiptar nga Lezha i cili zotëron një zinxhir restorantesh në Itali dhe fatmirësisht u bashkua me propozimin tim që kjo banesë karakteristike në rrënim e sipër të kthehej në një restorant tradicional dhe bujtinë duke konservuar të gjithë elementët e saj arkitektonike konform çdo detaji ekzistues, por duke e konsoliduar dhe restauruar plotësisht në bazë të zbatimit rigoroz të një projekti të miratuar nga Këshilli shkencor i Instituti i Monumenteve të Kulturës në Ministrinë e Kulturës. Fatkeqësisht kërkesa ime ra në vesh të shurdhër si në DRKK-Shkodër, IMK dhe MK dhe këta të fundit duke mos pasur mundësi financiare dhe ndoshta as vullnetin më të vogël për të ndërmarrë një hap konkret për shpëtimin dhe konservimin e objektit në fjalë. Kjo neglizhencë u pasqyrua në rrëzimin e plotë të këtij monumenti kaq unik jo vetëm për qytetin e Lezhës, por për të gjithë veriun e Shqipërisë.

 

Cili është opinioni juaj si duhet vepruar me këtë proces?

Opinioni im personal është që dhënia me qera e disa objekteve të veçanta të cilat janë Monumente Kulture duhet të trajtohet si një proces shumë delikat dhe mos të zhvillohet në sinkron me koncesionet e frikshme që po jepen aktualisht sepse po të vazhdohet duke ndjekur të njëjtin ritëm që citova më sipër, atëherë duhet ti japim lamtumirën edhe Trashëgimisë tonë  Kulturorë dhe shumë objekteve të çmuara të cilat mundet që të bien pre e babëzisë së shumë bizneseve dhe sipërmarrjeve private. Pra, me pak fjalë, dhënia me qera e çdo objekti duhet që ti nënshtrohet një procesi të mirëkontrolluar, me projekte serioze konform detajeve arkitektonike ekzistuese duke mos cënuar autenticitetin. Duhet të kryhet një monitorim intensiv nga specialistë të kësaj fushe në mënyrë që gjatë punimeve restauruese, konsoliduese dhe konservuese të mos dëmtohen, tjetërsohen apo përçudnohen objektet në fjalë. Kuptohet shumë qartë që subjektet private të cilat do të marrin me qera disa objekte të caktuara, normalisht që do të kryejnë ndërhyrje adaptuese duke ndryshuar strukturën, por edhe anën vizuale të një objekti i cili do ti nënshtrohet një transformimi të caktuar për t’ju përshtatur qëllimit dhe nevojës së subjektit privat. Shembulli më flagrant dhe më i shëmtuar sesi mundet të përfundojë një Monument Kulture në qoftë se bie pre e abuzivizmit të një biznesi apo subjekti privat i cili merr në shfrytëzim një objekt të Trashëgimisë Kulturore është pikërisht Kështjella e Lëkurësit e cila ndodhet pranë qytetit të Sarandës ku çdo detaj arkitektonik i kësaj fortifikate është përçundnuar dhe përdhosur n mënyrën më të shëmtuar të mundëshme. Shpresoj dhe besoj që vendimi i fundit zyrtar i Ministrisë së Kulturës të mos jetë mallkimi i radhës për rreth 2700 Monumente Kulture të cilat ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe duke uruar me gjithë zemër që këto objekte të mos pësojnë fatin e Kështjellës së Lëkurësit.

 

A është konsultuar ministria e Kulturës me specialistë të trashëgimisë kulturore, një çështje e kundërshtuar shumë fort pak vite më parë prej tyre?

Ky lloj vendimi i Ministrisë së Kulturës në lidhje me administrimin nëpërmjet dhënies me qera të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimin e tyre nëpërmjet krijimit të partneritetit publik-privat ngjall dyshime të shumta duke qenë se ky udhëzim i është miratuar pa u konsultuar paraprakisht me specialistët e trashëgimisë kulturore apo me grupet e interesit. Dyshimet lindin krejt natyrshëm edhe për vetë faktin se në vitin 2013 mazhoranca aktuale dhe specialistët e saj të njohur të cilët sot janë në pozicione të larta drejtuese, e kundërshtuan fuqishëm këtë vendim të marrë tashmë nga Ministria e Kulturës në kohën kur mazhoranca e sotme ndodhej në opozitë e sidomos specialistët e njohur të PS të cilët reaguan fuqishëm kundër aferave koncesionare për Kështjellën e Lezhës të cilët sot, pikërisht po të njëjtët specialistë, të gjithë së bashku miratojnë në heshtje të njëjtat afera koncesionare ku do të përfshihen rreth 2700 objekte të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare që i kundërshtuan zellshëm rreth 3-vite më parë!!!…Monumentet tona të Kulturës janë asetet më të çmuara që përbëjnë pasurinë më të vyer të atdheut tonë dhe si të tilla përfaqësojnë shtyllën kurrizore të identitetit tonë Kombëtar të cilat deri më sot ishin lënë në mëshirë të fatit dhe në rrënim e sipër, por duke nisur që nga dita e sotme, këto objekte do të rijetëzohen në formën më të shëmtuar të mundshme si motele, restorante, kazino, bujtina tradicionale apo resorte turistike me fusha golfi…. P. Stafa

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here