Trashëgimia kulturore e Ali Pashë Tepelenës në jug të Shqipërisë

0
200

 

Nga Dorian Koçi

 

Përvecse ambicieve për pushtet, dhe një shtet të centralizuar, Ali Pashë Tepelena, ndërtoi një rrjet të admirueshëm rrugësh dhe urash. Ky rrjet rrugor dhe urash ndihmoi shumë në rritjen e volumit te tregtisë. Mirëmbajtja dhe vënia e tyre në shërbim të turizmit malor do të sillte një ringjallje ekonomike për zonat. Trashëgimia kulturore e Pashallëkut të Ali Pashës është e larmishme dhe  në gjithë Shqipërinë u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike, të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative. Sipas Pouqueville, me porosi të Ali Pashë Tepelenës, arqitekti  shqiptar Petro Korçari, ndërtoi në Epir më shumë kala se ç’rrënoi qytete në kohë të tij konsulli romak Paul Emili. Hobhausi në librin e vet përshkruan selitë më preferuara të Ali Pashë Tepelenës, ku mes të tjerash radhitet Preveza ku ai vinte shpesh si dhe një saraj në fshatin Karkapullo, në afërsitë e Janinës. Pas marrjes së Prevezës në vitin 1798, Ali Pasha Tepelena ndërtoi aty kështjellën dhe pallatin e tij, që Hjuzi e konsideron më të bukurën mes rezidencave të shumta të tepelenasit. Ali Pasha kishte ndërtuar fortesa të vogla ose kulla në Çamëri në vende si Suli, Parga (Aja), Muzina, Butrinti( pranë daljes së kanalit në det). Përveç kështjellave dhe godinave administrative, Ali Pasha zotëronte edhe një numër shtëpish pushimi, të cilat kishin paraqitjen e sarajeve të vogla që i gjejmë të banuara në vitet 1806-1809, sidomos në viset përreth Janinës, si në Muzhar, në Xhegelovë,Stravaq, Zicë,Delvinaq, në Artë, Kaciko-Pazar pranë Artës. Po kështu në një shtrirje të madhe ishin dhe veprat publike si hane, çesma publike, kanale rregullues dhe lundrues etj. Pouqueville përmend disa hane si ai i Lavenit pranë Filatit, të Lorit që ishte i madh e fort i bukur me paraqitjen e një pallati apo ai Pesë Puseve i përmendur nga Hughes. Zhvillimi i tregtisë dhe rritja e shkëmbimit të mallrave jo vetëm me Korfuzin por edhe më tej bëri të mundur edhe realizimin e veprave inxhinierike si Kanali i Lurit që u bë i lundrueshëm dhe lidhej me detin në gjirin e Prevezës dhe lehtësonte transportin e mallrave për Janinë. Udhëtarët e huaj kanë lënë shënime edhe për nivelin e lartë të rrugëve që ndërtonte Ali Pashë Tepelena. Hughes flet për rrugën Sallagorë-Artë, gjatë bregut të detit , dhe e cilëson si më të mirën që kishte njohur deri në atë kohë në viset që vizitoi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here