Basha me kongresmenët: “Po” Byrosë nën Prokurori sipas Venecias

0
146

Kreu i PD, Lulzim Basha nga SHBA ka deklaruar se PD është për krijimin e Byrosë së Hetimi nën varësinë e Prokurorisë, por ashtu siç e ka sanksionuar Venecia.

Gjatë takimit me kongresmenët amerikanë Lulzim Basha tha se testi i parë për Edi Ramën për të treguar nëse vërtet e do reformën në drejtësi  është miratimi i  Byrosë Kombëtare të Hetimit, miratimi i akteve kushtetuese dhe ligjore që i hap rrugë kësaj vegle që lufton korrupsionin në nivele të larta.

Lulzim Basha: Qëndrimi ynë për Byronë Kombëtare të Hetimi ka qenë i prerë dhe i qartë që prej fillimit. Po Byrosë Kombëtare të Hetimit nën Prokurorinë, ashtu siç ka sanksionuar Komisioni i Venecias.Ky është edhe testi i sinqeritetit për maxhorancën: E do me të vërtetë reformën në drejtësi apo ishte e interesuar vetëm kur kjo t’i mundësonte kapjen e drejtësisë?! Sot që Komisioni i Venecias është shprehur qartë prova, barra e provës është në anën e Edi Ramës. Nëse është gati për reformën në drejtësi, testi i parë është Byroja Kombëtare e Hetimit. Është së pari miratimi i akteve kushtetuese dhe ligjore për t’i hapur rrugë kësaj vegle që lufton korrupsionin në nivele të larta. Dhe së dyti, implementimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta përmes kësaj Byroje dhe monitorimi i këtij implementimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Gjatë takimit në SHBA, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e kongresmenëve amerikanë për sfidën që ka sot përpara jo vetëm Partia Demokratike por çdo qytetar shqiptar, pastrimi i politikës nga të inkriminuarit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme si dhe reforma në drejtësi.

David Jolly: “Siguria juaj është siguria jonë por kjo vjen bashkë me përgjegjësitë dhe një qeverisje etike. Prandaj ne do t’ju inkurajojmë dhe mbështesim në  zbatimin e ligjit të dekriminalizimit  si dhe në zbatimin e reformës në drejtësi sapo ajo të miratohet. Sigurisht edhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, një prej pritshmërive që SHBA-të gjithmonë kanë. Në të njëjtën kohë në këtë kontekst ne do t’ju mbështesim si vend me statusin kandidat në BE dhe pjesë e NATO-s dhe jam shumë i lumtur që të punojmë me ju në të ardhmen”.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka asnjë dilemë mes reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve pasi sipas tij do të ketë reformë në drejtësi dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Lulzim Basha: “Kjo nuk është një çështje zgjedhjesh: O reformën në drejtësi ? O zgjedhje të lira e të ndershme? Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reformën në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë, para ligjit zyrtarët e korruptuar. Për të vënë para ligjit kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkërisht shkelin ligjin duke i imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar për vete me privilegjet e tyre, me korrupsionin e tyre mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën”, tha Basha.

Në ditën e dytë të qëndrimit në SHBA, lideri i opozitës u takua me kongresmenët Dana Rohrabacher, kryetar i Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan Robert Aderholt dhe David Jolly, me drejtorin për Ballkanin në Departamentin Amerikan të Shtetit Thomas Yazdgerdi, si dhe u prit në një takim të veçantë në Këshillin e Sigurisë  Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. SHBA-të kanë pritshmëri se po punojnë me partner të besuar  dhe këtë duhet ta tregojë qeveria shqiptare, theksoi kongresmeni amerikan Jolly.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here