Blushi i përgjigjet tezës së Majkos: Kush do zgjedhje të parakohshme, e do PS-në në opozitë

0
170

Blushi: Kush është garancia që zgjedhjet e parakohshme e bëjnë më të lehtë miratimin e reformës në drejtësi nga ai parlament i ri?

Gëzim Saliu

Teza e hedhura nga deputeti socialist Pandeli Majko për futjen e vendit në zgjedhje të parakohshme nëse Parlamenti dështon të miratojë reformën në drejtësi ka sjellë reagime të shumta në jetën politike të vendit. Opozita nga ana e saj e komentoi këtë qëndrim të ligjvënësit socialist si një paralajmërim për aleatin në qeverisje, ndërsa vetë kreu i LSI-së Meta theksoi me bindje se reforma në drejtësi do të miratohet dhe se për këtë është e domosdoshme përgjegjshmëria dhe konstruktiviteti. Por ditën e djeshme erdhi edhe reagimi i parë brenda socialistëve për këtë qëndrim, ku deputeti Ben Blushi e cilësoi tezën e Majkos si një ide që e çon PS-në në opozitë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, deputeti rebel brenda radhëve të PS tha se kjo deklaratë nuk duhet marrë seriozisht. “Kushdo që do ta çojë PS në opozitë propozon zgjedhje të parakohshme, sepse zgjedhjet e parakohshme sot, këtë përfundim mund të kishin. Nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme pa koalicionin që kemi.   Nëse zgjedhjet e parakohshme janë kërcënim për të prishur koalicionin përfundimi i saj është opozita por unë nuk jam i prirur ta marr seriozisht”, tha ai. Më tej sipas Blushit, edhe nëse do shkohet në zgjedhje të parakohshme, nuk ka asnjë garanci se parlamenti i ardhshëm do të mundësojë votimin e reformës në sistemin gjyqësor. “Nëse e marr seriozisht është ky përfundimi në të cilin unë dal për të thënë që nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme meqë nuk ka vota për reformën në drejtësi, çfarë garancie ka që parlamenti i ardhshëm i ka votat. Kush është garancia që parlamenti i ardhshëm i ka votat.   Kush është garancia që zgjedhjet e parakohshme e bëjnë më të lehtë miratimin e reformës në drejtësi nga ai parlament i ri? E dyta kini parasysh që nuk po jetojmë në ditët më të lumtura në kuptimin ekonomik. Pra zgjedhjet e parakohshme  janë bërë që të trembin zgjedhjet. Jemi sot në deflacion dhe kjo nuk është mënyra më e mirë për t’i thënë tregjeve apo investitorëve që për një apo dy muaj ka zgjedhje si një lojë me peta brenda koalicionit”, deklaroi deputeti i PS-së Ben Blushi.

Qëndrimi i Majkos

Pak ditë më parë, ish-kryeministri socialist, deputeti i PS-së Pandeli Majko hodhi në rrjetin social FB një deklaratë që solli reagime të shumta në ambientin politik dhe jo vetëm. “Si anëtar i komisionit të reformës së drejtësisë nuk kam ndonjë merak të bëhem pjesë e tragji-komedisë për një histori politike që po shkon drejt fundit. Kërkesa që reforma të negociohet politikisht në terma praktikë kërkon ta vrasë atë. Kush dëgjon kundërshtarët e reformës kupton se përpjekja për ta trajtuar atë si një çështje politike e fillon punën nga e para. Bashkë me kërkesën për dialogun e ashtuquajtur politik bie “bashkëpronësia” e deklaruar në publik nga faktori ndërkombëtar për shtyllat dhe parimet e reformës…..Të flasësh në politikë do të thotë të jesh i qartë. Në se kjo situatë vazhdon kështu Partia Socialiste duhet të bëjë një zgjedhje…. Unë kam një propozim për Kongresin e Partisë sime të cilën e dua se dua Shqipërinë. Partia në çdo rast është pjesa. Shqipëria ka brenda edhe kundërshtarët politikë me të cilët ndajmë një atdhe dhe një të ardhme. Pa drejtësi nuk ka të ardhme për vendin tonë. Të vetëm nuk ja dalim dot. Kjo zgjidhje kërkon zgjedhje. Duhet të vendosim”, deklaroi Majko duke hedhur një tezë e cila u artikulua gjatë në media si një paralajmërim jo vetëm për opozitën por edhe për aleatin në qeverisje. Por kjo deklaratë erdhi në një kohë kur rekomandimet e Komisionit të Venecias i dhanë të drejtë në 100% disa shqetësimeve të LSI-së dhe po ashtu shprehën  mbështetje për disa nga kërkesat e opozitës. Gjithashtu në rekomandimin përfundimtar u theksua se çështja e reformës tashmë i takon konsensusit parlamentar, gjë e cila i jep krahë tezës së dialogut dhe tryezës politike të kërkuar nga opozita e të kundërshtuar nga socialistët. Nisur nga kjo PD ka hedhur në tryezë 10 kërkesa mbi bazën e rekomandimeve të Venecias, duke i kërkuar Komisionit të posaçëm parlamentar miratimin e tyre për një reformë me standarde. Por këto kërkesa u kundërshtuan hapur nga socialistët, të cilat theksuan se përmes tyre nuk sigurohet kryerja e reformës në drejtësi. Ndërkaq LSI ndryshe nga PS, i ka lënë vend dialogut dhe konsensusit për këtë çështje, duke vënë theksin tek ekspertët e EURALI-s dhe OPDAT që mund ti japin zgjidhje pikave që kanë paqartësi mes palëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here