Reforma në drejtësi, Venecia: Tani përgjegjësi e Parlamentit. PD: Koha e tryezës politike

0
158

 

Dy kampet politike më të mëdha në vend, PD-PS, pas miratimit të opinionit përfundimtar për reformën në drejtësi,  tashmë u duhet të shtrohen për një dialog politik mbi bazën e kritereve të Venecias

 

Sava Sota

Komisioni i Venecias në përpjekjet për të afruar opozitën dhe mazhorancën, për të gjetur konsensus duket se të premten ja “dorëzoi” tashmë politikës shqiptare arritjen e reformës në drejtësi. Ndryshe nga sa kërkon mazhoranca që peshën ta mbajnë ekspertët e opinionit të Venecias, qëndrimi i BE-së në Tiranë ka përforcuar bindjen e demokratëve që proçesi i reformës të shtrohet në një tryezë të përbashkët politike. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, tha se tashmë i mbetet Parlamentit shqiptar të bëjë këtë reformë “Komisioni i Venecias miratoi opinionin përfundimtar për reformën në drejtësi dhe falenderoi delegacionin e BE-së për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit të bëjë reformën historike në drejtësinë që kërkojnë qytetarët shqiptarë”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Tiranë. Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi nuk ka marrë një vendim se çfarë hapash do të ndërmarrë pas miratimit përfundimtar nga Venecia. Ndërkohë, socialistët mendojnë se përfshirja e ekspertëve është zgjidhja më e mirë, ndërsa demokratët, që kanë paraqitur edhe 11 vërejtjet e tyre, kërkojnë dialog politik. Raporti përfundimtar i Venecias është ‘zyrtarizim’ i draftit të ndërmjetëm të bërë publik në fillim të këtij muaji.  Ndërkaq mësohet se në dokumentin 20 faqesh të draftit të ndërmjetëm, ekspertët e Venecias kanë renditur konkluzionet përfundimtare. Po ashtu sa i përket debateve të forta politike, se cili do të jetë fati i mëtejshëm i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla pas miratimit të reformës, Venecia u jep këtë verdikt final: “Nëse prokurori i përgjithshëm kalon proçesin e vetingut dhe del i pastër prej tij, atëherë pyetja është se, ku qëndron justifikimi për ta larguar atë më përpara nga zyra, duke e veçuar nga mesi i të gjithë atyre zyrtarëve tek të cilët aplikohet vetingu? Në të tilla kushte, Komisioni i Venecias nuk shikon asnjë arsye për përfundim të parakohshëm të mandatit”, thuhet në paragrafin 81 të faqes 18 të opinionit. Për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët i zgjedh Kuvendi, Venecia rekomandon: “Duke marrë në kosideratë krijimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, Komisioni rekomandon krijimin e një rregulli zgjedhjeje me shumicë të cilësuar për 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga Parlamenti”, thuhet në paragrafin 39, faqja 9. Venecia rekomandon se i duhet kushtuar vëmendje mënyrës së zgjedhjes së organeve të reja në drejtësi. “Nëse forcat politike të përfshira në këtë proçes nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar, anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri, që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione, apo një model tjetër i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në proçesin e zgjedhjes”, sugjeron opinioni. Ekspertët e Venecias kërkojnë bërjen kujdes me proçesin e vetingut për gjykatësit dhe prokurorët. “Komisioni Special i Kualifikimit dhe gjykatësit e Këshillit Special të Kualifikimit janë përgjegjës për proçesin e vetingut, i cili do të jetë 9 vjet pa të drejtë ribërjeje. Ndërsa i gjithë proçesi i vetingut supozohet të zgjasë 11 vjet, apo më pak nëse Shqipëria do t’i bashkohët BE-së në një datë të mëhershme. Kjo kohështrirje është e gjatë. Komisioni e pranon nevojën e vetingut, por me kushtin se duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme dhe në mënyrë strikte, një masë e përkohshme. Komisioni i Venecias nuk është në pozicion të parashikojë se sa kohë nevojitet për të kaluar në sitë një gjyqtar apo një prokuror. Në rastet komplekse, proçedura merr më shumë se 3 vjet, apo më gjatë”, thuhet në paragrafin 55 të faqes 12. Opozita në draftin e saj ngulmon për zgjedhjen me 2/3-tat të organizmave të reja në drejtësi, ndërsa Venecia mendon se: “Është e kuptueshme dëshira e opozitës për zgjedhjen me 2/3-tat, megjithatë Komisioni i Venecias në raportin paraprak nuk rekomandoi 2/3-tat. Kërkesa e 2/3-tave pa një mekanizëm efiçent zhbllokues mund të sjellë çimentim e si pasojë rrezikimin e proçesit të reformës. Komisioni nënvizon se nuk është detyrë e tij të bëjë propozime specifike kushtetuese për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në paragrafin 14 të faqes 5 të opinionit. Venecia i tërheq vëmendjen autoriteteve shqiptare në bërjen kujdes në mos kthimin e ndryshimeve kushtetuese në një “precedent” përgjimesh të pafundme nga shërbimi sekret për njerëzit e drejtësisë.

Halimi: Venecia rekomandoi për konsensus ndërmjet palëve politike

Deputeti i Partisë Demokratike Eduart Halimi përmes një prononcimi për mediat, duke falenderuar punën që bëri Komisioni i Venecias mbi reformën në drejtësi, theksoi se vlerësimi i Venecias mbi shqetësimet e opozitës, janë inkurajuese për këtë të fundit. “Komisioni i Venecias miratoi draftin e Opinionit të shpërndarë pak kohë më parë. Falenderim i jashtëzakonshëm për profesionalizmin, paanësinë dhe parimet themelore që përshkruan bashkëpunimin gjatë këtyre muajve me Komisionin të Venecias. Venecia i cilësoi si legjitime shqetësimet e opozitës për kapjen politike, dhe ka rekomanduar çmontimin e kapjes. Venecia ka rekomanduar që palët politike të arrijnë një konsesus bazuar në parimet dhe kriteret e Venecias” – bëri me dije deputeti Halimi. Po ashtu ai tha: Ndihemi të inkurajuar që çështjet e ngritura në shtator 2015 nga opozita, të ringritura në Janar e Shkurt 2016, janë cilësuar si legjitime dhe i janë lënë marrëveshjes politike për tu dakordësuar. Koha që palët politike të ulen dhe të vendosin për të gjitha çështjet politike, bazuar në një dialog politik mbi kriteret e Venecias.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here