Kush do ta blejë INSIG-un? Në lojë Samir Mane dhe Duraku i PS

0
280

Pasi u katandis në një kompani me pjesë të papërfillshme të tregut të sigurimeve, që mbahet gjallë me institucionet shtetërore, kompania shtetërore shitet lirë…

 

Ervin Kaduku

Po luhet akti final në tragjikomedinë me emër INSIG. Dje u hapën ofertat për tenderin e kompanisë së vetme në tregun e sigurimeve, me pronësi 100 për qind shtetërore. Kompania që ka ofruar më shumë ka qenë Eurosig, me 2.2 miliardë lekë, pra afro 16 milionë euro. Më pas, është vënë re rikthimi në biznes nga ana e ish-manjatit të naftës, që provoi edhe fatin në fushën e politikës, në krahët e Partisë Socialiste, Shyqyri Duraku, me 2.1 miliardë lekë. Nuk mund të mungonte blerësi masiv i pasurive të vendit, Samir Mane, me grupin e tij Balfin, që madje e uli stekën në nivelin e 1.6 miliardë lekëve.  Fituesi pritet të shpallet nga Ministria e Financave pas disa ditësh.

Çfarë ka ndodhur, që qeveria shqiptare ka rënë dakord të shesë një pronë të tillë publike me çmim qesharak? Le të kujtojmë se, në vitin 2008, kompania amerikane Reserve Life Insurance, fitoi tenderin për shitjen e INSIG, duke ofruar 52.8 milionë dollarë, por, për fat të keq të shqiptarëve, shoqëria u tërhoq pas fillimit të krizës globale financiare, që rastisi pikërisht në atë vit. Tetë vjet më vonë, në janar 2016, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Qeveritare në Ministrinë e Financave njoftoi tenderin për shitjen e 100% të paketës së aksioneve përINSIG sh.a, ku vlera e 100% të aksioneve të shoqërisë INSIG sh.a u katandis në 15.3 milionë euro. INSIG kishte në Shqipëri, në fund të dhjetorit 2015, vetëm 5.8% të tregut të sigurimeve të jo jetës, duke u renditur e dyta nga fundi në një segment që qarkulloi gati 100 milionë euro. Në tregun e sigurimeve të jetës, që gjithsej realizoi 7.3 milionë euro prime sigurimi në 2015-n dhe ka tre operatorë, INSIG mori vetëm 8.4% të tij (rreth 66% i kishte Sigal Life dhe 26% Sicred).

Çmim absurd

INSIG vlerësohet sot nga qeveria shqiptare më pak se gjysma e asaj, që vlente në vitin 2003 (e indeksuar vetëm me inflacionin vjetor, 25 milionë euro të asaj kohe vlejnë sot rreth 33 milionë euro), ndërkohë që, përveçse në mars 2000 kishte hapur degë në Kosovë, në 2004-n filloi dhe aktivitetin në Maqedoni. INSIG zotëron tre licenca sigurimi jo jetë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe një licencë tjetër të sigurimit të jetës në Shqipëri. Vetëm vlera e këtyre licencave shkon deri në 10 milionë euro, në rast se do të kërkohej që të aplikohesh nga e para për t’i marrë ato. INSIG ka një gjendje të lartë të cash-it në bankë dhe bonove të thesarit kryesisht të qeverisë shqiptare, të cilat janë krijuar si rezultat i aktivitetit 25-vjeçar të kompanisë. Sipas bilancit të 2014-s, INSIG kishte rreth 29 milionë euro depozita me afat në banka dhe investime të mbajtura në maturim dhe tregtim (bono thesari). Depozitat me afat ishin 18 milionë euro (10 milionë euro në Kosovë, 4.5 milionë euro në Maqedoni dhe 3.5 milionë euro në Shqipëri), ndërsa investimet janë rreth 11 milionë euro (bono thesari kryesisht të qeverisë shqiptare dhe pak të asaj maqedonase). Por, në bilancin e kompanisë rëndojnë tri dëme të fundit të vitit 2015. Janë tri vjedhje bankash, me një total dëmi për t’u paguar prej rreth 5 milionë eurosh dhe nuk dihet cili do të jetë ndikimi i tyre në vlerën e INSIG.

Por ka edhe një segment, ku INSIG ka njohur rritje në 2015-n, që janë të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm i automjeteve në Shqipëri (zgjerim 11% në rreth 4.2 milionë euro, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare), por edhe këtu është ndihmuar nga fakti që tarifat e TPL-së u shtrenjtuan rreth 30%.

Asetet

Pozitiv në bilanc është gjendja e “cash”-it te INSIG-ut, rreth 30 milionë euro, të cilat pronari i ri mund t’i investojë dhe shfrytëzojë shumë më mirë se tani. Për më tepër, që detyrimet paguhen në të ardhmen dhe kompania nuk kërcënohet nga mungesa e likuiditetit. Së dyti,pjesa e tregut e shoqërisë së sigurimeve mbetet e garantuar, për vetë mënyrën se si ndahen policat dhe me një negocim mëtë mirëtë kësaj pjese mund të rrisë ndjeshëm të ardhurat e kompanisë. Së treti, arsyeja kryesore që INSIG ka arritur në këtë pikë është keqmenaxhimi i shoqërisë nga qeveria Rama. Me një staf më të kualifikuar dhe me uljen drastike të shpenzimeve, performanca e INSIG mund të rritet ndjeshëm. Së katërti, tregu i sigurimeve në vend mbetet i shfrytëzuar nën potencial. Shqipëria ka industrinë e sigurimeve më pak të zhvilluarën në rajon, e reflektuar kjo dhe në numrin e ulët të primeve të shkruara bruto për frymë, prej vetëm 30 eurosh në vit (sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare) nga rreth 80 euro që ishte ky tregues në Serbi, mbi 110 euro në Mal të Zi, 120 euro në Bullgari, 940 euro në Slloveni, rreth 100 euro në Rumani dhe mbi 1000 euro për frymë në vendet e zhvilluara të Europës. Ajo që nuk thuhet në këtë rast, si edhe në raste të ngjashme të privatizimeve strategjike, në plazhet më të bukura të Shqipërisë, etj, ku fitimi është i garantuar dhe me rendiment të lartë, është se cila do të jetë “thela” që do t’i shkojë kryeministrit dhe sekserëve të tij…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here