Standard.al

Zirkon Disha: Unë, “milioneri” protestues përballë “të varfërve” që po gllabërojnë gjelbërimin

0

Flet aktivisti i shoqërisë civile, i përgjigjet kritikave politike e mediatike

“Famija ime është marrë me biznes që para se të rrëzohej sistemi komunist, të më quash milioner është diçka që kërkon guxim ta bësh, disa gazeta e kanë këtë guxim të ligësisë e arrogancës”

 

12734191_10156649017825624_1676726342245434176_n

 

Intervistoi: Gëzim Saliu

Shumëkush e mban mend të veshur me mushamanë e verdhë simbolike gjatë protestave kundër importimit të armëve kimike në Shqipëri, ku për ditë e natë me rradhë së bashku me mijëra shqiptarë qëndroi pa lëkundje në sheshin para Kryeministrisë. Fitorja e përbashkët e arritur në vjeshtën e 2013-ës i dha jo pak famë djalit të njohur për shpirtin protestues. Sot aktivisti Zirkon Disha, së bashku me anëtarë të shumtë të shoqërisë civile ka nisur një tjetër betejë, duke kundërshtuar me cdo mënyrë e mjet ndërtimin e parkut të Lodrave tek Liqeni Artificial. Por si cdo betejë, edhe kjo aktualja ka pasojat e saj. Deri më tani Disha është arrestua dy herë nga policia për protestat e zhvilluara tek Parku, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe akuzat në media. Vetëm pak ditë më parë, media pranë qeverisë nuk nguruan ta cilësonin Zirkonin si njeriun  milioner që në protestat e tij është sponosorizuar nga PD. Këtë akuzë ato e mbështesnin tek pjesëmarrja e mëparshme e Dishës në Lëvizjen “Zgjohu”, lëvizja e cila sipas këtyre medieve ka marrë gjithnjë mbështetjen finaciare nga demokratët. Në intervistën për “standard” , Disha sqaron akuzat ndaj tij, duke folur edhe për ata që i cilëson si “grup i  strukturuar me lidhje klienteliste, ndërtuesish, politikanësh që kanë edhe ndonjë gazetë, portal apo telivizion”. Po ashtu ai bën të ditur detajet e protëstës për Parkun dhe arsyen pse e kundërshton ndërtimin e tij nga Bashkia e Tiranës. “Parku do të shpëtojë. Asgjë s’do të ndërtohet aty”- nënvizon në mesazhin e tij Zirkon Disha.

Zirkon nga aktivizimi si nismëtar tek protesta kundër importimit të armeve kimike tek protesta aktuale kundër ndërtimit te Liqeni… Kemi të bejme me “aktivistin me shpirt protestuesi” apo siç po përcillet në disa media, me njeriun që “proteston për çdo shkak kundër kësaj mazhorance qeverisëse”?

Protesta kundër armëve kimike ishte e motivuar nga reagimi ndaj një vendim-marrjeje arrogante. Qëlloi që kjo të ishte vendim-marrja e një kryeministri. Për mua ajo që ka rëndësi nuk është se kë kundërshtoj, por ajo çfarë kundërshtoj. Çka më motivon mua është kundërshtimi i arrogancës. Shpesh në Shqipëri njerëzit e kuptojnë arrogancën si forcë. Por arroganca është shenja e mendjelehtësisë në përdorimin e forcës. Kur forca shpërfaqet mendjelehtësisht, ajo s’është gjë tjetër veçse arrogancë. Kur forca keqpërdoret ajo është dhunë. Në protestën kundër armëve kimike u përballëm me arrogancën dhe dhunën. Nuk isha i vetëm. Nuk fitohet vetëm. Por as nuk luftohet vetëm për vete. Qëllimi i atyre që duan të na dhunojnë me arrogancë është të na bëjnë të ndihemi të vetmuar, të pashpresë.

Disa media flasin për “Zirkonin milioner” që nuk ka interes parësor kauzat qytetare por përdorimin e tyre për përfitime politike të caktuara… Cila është përgjigja juaj për këto qëndrime?

E pranoj se më dhemb shumë kur më akuzojnë si milioner. Milionerët i keni në kompanitë e ndërtimit, që kafshojnë gjelbërimin ndër dekada. Familja mbahet me biznese që kërkojnë shumë punë dhe përkushtim. Famija ime është marrë me biznes që para se të rrëzohej sistemi komunist, për ti dhënë tregut diçka që vetë shteti nuk kishte interes ta bënte. Të më quash milioner është diçka që kërkon guxim ta bësh, pasi shumë njerëz më njohin në përditshmërinë time. Megjithatë disa gazeta e gjejnë këtë guxim, dhe nuk është çudi. Është guximi i ligësisë, dhunës, arrogancës, meskinitetit. Shqipërinë e sundon kjo dhunë e së keqes. Është dhuna e ligësisë së një grupi të strukturuar me lidhje klienteliste, ndërtuesish, politikanësh që kanë dhe ndonjë gazetë, protal apo telivizion. Në fakt, këta njerëz asnjëherë nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë, por nuk janë këta njerëzit që i mungojnë Shqipërisë.

 

Perfaqesues te AKIP, ambientaliste dhe qytetare te kryeqytetit, gjate nje proteste para godines se Kryeministrise e cila vazhdon prej disa ditesh, kunder shkaterrimit te armeve kimike siriane ne Shqiperi.

 

Si nisi protesta kundër ndërtimit të parkut të Lodrave të Liqeni? Cfare nxiti bashkimin e atij grupimi që po mbron me çdo kusht tezën e tij për “mos prekjen e parkut të Liqenit Artificial”?

Kjo protestë nisi nga një larmi njerëzish, të të gjitha orientimeve dhe të të gjitha ngjyrave. Ajo vazhdon të jetë e tillë. Të gjithë duhet të jenë aty, pavarësisht përkatësive politike, krahinore, sociale. Mbrojtja e parkut të Liqenit nga “Këndi i Lodrave të Liqenit“ është një kauzë qytetare. Ajo është një kauzë shumë më e madhe se çfarëdolloj axhende politike dhe do të jetë e tillë sepse njerëzve u dhimbset ai park më shumë se ç’u dhimbsen partitë. Dhe njerëzit e duan parkun më shumë sesa partitë i duan njerëzit. Njerëzit që mbrojnë parkun mbrojnë para së gjithash dinjitetin e tyre. Dinjiteti është njerëzor para se të jetë politik apo krahinor. Kush përdor ndasitë ideologjike, politike apo krahinore për të përçarë këtë kauzë shkel para së gjithash dinjitetin njerëzor dhe u hap rrugën atyre monstrave të veshur me pushtet dhe të mbuluar me para që duan t‘i presin ato pemë dhe ta dhunojnë atë barin aty. Pemët nuk mund të mbrohen vetë.

Një pyetje konkrete dhe e drejtpërdrejtë. Pse mendon se nuk duhet ndërtuar një park lojërash për fëmijët tek Liqeni?

Ekzistojnë qindra arsye që i kanë përsëritur mijëra herë ata qytetarë, akademikë, ekspertë që janë ngritur për ta mbrojtur parkun. Ky është park i njerezve, ato pemë  u takojnë atyre. Nuk na takojnë vetem neve që jetojmë sot dhe duam të marrim frymë, u takojnë fëmijëve tanë. Dhe me këta fëmijë po abuzohet sot, pikërisht në emër të tyre. Shkatërrimi i pemëve për të hedhur beton për një“Kënd lojërash“ në një vend të mrekullueshëm plot gjelbërim të falur nga Zoti dhe të ruajtur nga njeriu, është diçka që mund ta bëjnë vetëm njerëz që nuk kanë asgjë humane në shpirt .Paraja dhe forca iu kanë zhdukur njerëzoren. Ai park duhet ruajtur jo vetëm për hir të pemëve, por edhe për hir të ruajtjes së pemës së humanizmit brenda nesh. Ato pemë që u prenë dhe do priten janë thjesht filizat e asaj që është njerëzore brenda nesh. Çdo pemë e prerë është simboli i një qytetari që ka mbyllur gojën, që ka ulur kokën, dhe që ka thënë nën zë: “E ç’të keqe ka! Kënd lojërash për fëmijë po ndërtojnë“… Por nuk vendoset djepi i fëmijës mbi barkun e nënës shtatzënë, nuk ngrihet parku me beton mbi ato dy centimetra bar që i kanë mbetur këtij qyteti të sakatuar nga ndërtuesit e pangopur dhe ushunjëzat me pushtet që i pijnë gjakun natyrës dhe njerëzve. Aty po ndërtohet me arrogancë e paligjshmëri, me dhunë dhe urdhëra verbal, me fallsifikim dokumentesh dhe pa një projekt të konsultuar me qytetarët. Kur “i pari“ i qytetit vepron në paligjshmëri, çfarë shembulli i jepet 1 milion banorëve të ketij qyteti!?

Je arrestuar dy herë deri më tani nga policia gjatë protestave për këtë ceshtje. Mendon se ndoshta është më mirë të tërhiqesh disi nga qëndrimet e prera se po rrezikon shumë për dicka që fundja përbën një kauzë që kërkon angazhimin e të gjithëve..

Jam arrestuar dy herë në 3 javë, mund të më arrestojnë edhe njëqind herë. Mund të thonë se jam milioner. Nuk janë grushtat  dhe kërcënimet e para që marr nga civilë, civilë që ushtrojnë dhunë nën maskën e policisë dhe nga njerëz që janë me uniformë si policë, por fatkeqësisht e bëjnë pis atë duke mos e e respektuar. Shpirti i protestës më vjen nga brenda. Mendoj se është gabim i madh që më arrestojnë sepse duke më arrestuar thjesht më shndërrojnë në diçka më të rëndësishme sesa realisht jam. Reagimi duke protestuar është si teshtima, diçka që nuk e kontrolloj as unë, as ata që mendojnë se mund të kontrollojnë gjithçka. Shpirti i reagimit është alergjia që kam ndaj arrogancës, paligjshmërisë, të padrejtës.

Ndërkohë që prej protestes popullore për armet kimike duket se shpirti i protestave me bazë të fortë të shoqërisë civile ka ardhur në rritje. Kujtojmë protestat e studentëve për tarifat universitare apo edhe angazhimet për ish- guvernatorin Fullani. Cfare po ndodh sipas teje, shoqëria është bërë më e ndërgjegjshme apo janë shtuar kauzat që prekin thellë interesin publik?

Shpirtin e protestës e kanë njerëzit, dhe në fund ju do ta shihni se qytetarët do të vendosin, edhe pse monstrat me pushtet përpiqen të luajnë me ne sikur të jemi kukulla në një teatër për fëmijë. Nëse rezistojmë sot, pavarësisht bindjeve tona, nëse u tregojmë “pronarëve të kukullave” se nuk jemi kukullat e kukullave, atëherë ne do ta shembim teatrin e tyre të ndyrë dhe do të bëjmë diçka që do të mbahet mend, sepse nuk do ta kemi bërë për vete. Do ta kemi bërë për fëmijët tanë. Një mesazh kam, që është shumë i pastër dhe i thjeshtë. Parku do të shpëtojë. Asgjë s’do të ndërtohet aty, asgjë s’mund të ndërtohet aty. Nuk kam çfarë të them tjetër, Faleminderit!

protesta-te-liqeni3

“Çdo pemë e prerë është simboli i një qytetari që ka mbyllur gojën. Njerëzit e duan parkun më shumë sesa partitë i duan njerëzit”

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.