PD paraqet 10 pikat kundër draft-reformës së drejtësisë

0
197

Partia Demokratike shpalosi para Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi pikat që ajo kundërshton në draft-reformën aktuale.

Deputeti demokrat, anëtar i këtij komisionit, Eduart Halimi tha se opozita nuk kushtëzon reformën vetëm me shumicën e miratimit, madje ai shtoi se as 2/3 dhe as 3/5 nuk kanë rëndësi për Partinë Demokratike, por janë arsye krejt të tjera.

Së pari, demokratët nuk janë dakort me ngritjen, ekzistencën dhe përbërjen e Këshillit të Emërimit.

Së dyti, opozita kundërshton skemën institucionale dhe procesin e emërimit të funksionarëve në sistemin e drejtësisë si shumë të komplikuar që nuk kontrollon balancat dhe nuk garanton as pavarësinë.

Së treti, PD kundërshton edhe strukturën e Gjykatësë së Lartë, që ndahet në dy të tilla, ajo për çështjet civile dhe penale dhe tjetra ajo Administrative. Partia Demokratike thotë se struktura e Gjykatës së Lartë nuk u takon ekspertëve, por politikës. Lidhur me këtë institucion, opozita kundërshton edhe emërimin e gjyqtarëve nga jashtë sistemit, që e konsideron si një çështje që mund të shfrytëzohet politikisht.

Së katërti, Partia Demokratike nuk është dakort me ndërprerjen e mandateve për organet kushtetuese.

Së pesti, PD mbështet procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i ashtuquajturi veting, por kundërshton strukturën dhe mohomin e ankimimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Së gjashti, opozita ka rezerva edhe mbi procesin e emërimit dhe funksionet e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ku procesin e zgjedhjes me 3/5 për një mandat 9-vjeçar të Inspektorit të Lartë e politizon këtë institucion dhe e vendos në varësi të maxhorancës.

Së shtati, PD kundërshton përbërjen e Tribunalit Disiplinor. Opozita thotë se pavarësisht se reflekton konstatimet e opinionit të ndërmjetëm, por anëtarët janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe këtë PD e sheh më shumë si mundësi për korporatizimin e sistemit sesa për kapjen e tij politike. Opozita thotë lë shteg për abuzimin.

Së teti, Partia Demokratike nuk është dakort me formulën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Së nënti, PD kundërshton përfshirjen në sistem si prokurorë dhe gjyqtarë të individëve që nuk kanë përfunduar shkollën e Magjistraturës. “Duhet të ketë zero hyrje jashtë Magjistraturës”, thonë demokratët.

Së dhjeti, opozita nuk është dakort me mënyrën e zgjedhjes së pesë anëtarëve të politikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Pas kësaj, fjalën e mori Pandeli Majko. Ai akuzoi opozitën se po bën lojë me reformën në drejtësi dhe si i mungon vullneti për këtë.

“Me këto 10 pika që ngrini ju nuk ka reformë në drejtësi. Tani kë duhet të besojmë ne, kryetarin e PD që del nga oborri i partisë dhe duke tundur draftin e Venecias thotë që kjo është zgjidhja, apo ju që na dilni me 10 pika këtu?! Megjithatë, unë dua t’ju falenderoj ju që na bëtë të qartë për herë të parë se për çfarë nuk jeni dakort”, deklaroi Majko.

Ndërkohë, përmes Spartak Brahos, Lëvizja Socialiste për Integrim u shfaq optimiste për gjetjen e një konsensusi politik.

“Miratimi me konsensus dhe nuk ka mënyra të tjera. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe duhet të vazhdojmë punën në këtë Komision. Unë jam optimist që këto dhjetë çështje janë plotësisht të zgjidhshme”, tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here