7 Marsi! Për çfarë t’i uroj mësuesit?

0
219

Dr. Ndriçiim Mehmeti

 

Në prag të festës së mësuesit, janë në dilemën e madhe përse çfarë t’i uroj: Suksese në provimin e kualifikimit, në Portalin “Mësues për Shqipërinë”, ose thënë më saktë “Mësues për Partinë”, për testimin vjetor, për eksperimentet që bëjnë mbi ta, për inspektimet që u rrinë çdo dy muaj, si “Shpata e Demokleut mbi krye”? T’i uroj për rrogën që nuk janë ngritur asnjë lek, për shpërblimin e fund vitit që u bënë tre vjet që nuk e marrin, apo për vendin e punës që nuk e kanë të sigurt për asnjë moment.

Për çfarë do t’i uroj Ministrja e Arsimit mësuesit?

Për shkollat komunitare, me dere të mbyllur, për shkollat plot lagështi, për rrogën që jua a la në vend, për komisarët e partisë që janë bërë drejtor shkollash, për dhunën, për mësuesit e Librazhdit që u pushin kolektivisht nga puna, apo për kushtet mizerabël, në të cilat bëhet mësimi. Ndoshta do t’ju bëj dhuratë një VKM, që mësuesit të paguajnë për nxënësit që shkojnë në shkollë më shumë se 5 km. Vetë mësuesve, ministrja-mësuese, ju hoqi, çdo vështirësi, rimbursimin e lekëve të udhëtimit dhe me siguri të plotë, do të nxjerr një kleçkë, që t’i largoj nga puna. Për çfarë do t’i uroj mësuesit ministrja, për degdisjen që u ka bërë qindra mësuesve prej vendbanimit të tyre në zonat më të thella, me pretendimin se duhet të ngrenë performancën e shkollës, ku janë internuar? Apo ka ndërmend t’i ftoj në valle, si në burgun e grave dhe më pas t’i qerasi me një gotë “Fresh” dhe një biskotë nga më të lirat e t’i përcjelli në shtëpi me lekët e tyre?

Ku janë shkollat e reja, premtimi për ngritjen e cilësisë, për çlirimin e mësuesve nga vargonjtë e politikës. Drejtuesit-ushtar të shkollave, nxjerrin të madh e të vogël nga shkolla, kur ka nevojë Veliaj, Klosi, Rama, Kodheli e cilido që të bëjë një kërkesë për aktivitete politik. Si për t’i vënë vulën politizimit të shkollës, në Gjashtë të Sarandës dhe në fshatra të tjera, shkollat u kthyen në qendra të votimit për delegatët e Kongresit të Partisë Socialiste. Në fushatë shkollat u kthyen në arenën e kërcimit, tërbimit të rinisë, përdorimit të hashashit e kanoçeve të birrave që shkonin lumë nga sponsorët e fushatës.  Si do t’i uroj ministrja-mësuese, mësuesit e lënë pa punë prej saj, vetëm e vetëm se ajo dhe sëra e saj nuk i donte nëpër këmbë. Çfarë do t’i thotë mësuesve të Lushnjës ministrja-mësuese, kur në krye të tyre, vuri një ish-shpërndarëse të ndihmës ekonomike, në Komunën Dushku i Madh? Po mësuesve që u emëroi për drejtoreshë gardianen e burgut? Si do të uroj vogëlushët e fshatit Hidrovor në Manëz, kur shkolla është mbytur në ujë e fekale dhe askush nuk do t’ia dijë? Po nxënësit e shkollës “Fan Noli” që rrinë në oborr me skelat mbi kokë, sepse shkolla po rikonstruktohet, ndërsa afati i përfundimit të punimeve ka mbaruar me kohë? Po shkollën “Jani Vreto” në Ersekë, do ta uroj për drejtorin që e vendosën në atë post, kur ishte pa arsim përkatës? Po shkollën në Trebisht, që bën pjesë në krahinën e vendlindjes së bashkëshortit, do ta uroj për mësuesen veterinere, që jepte mësim kalamajve? Po maturantët, me të cilat u tall deri në shkurt e vazhdon të tallet. Po mësuesit që vitin tjetër shkollor, nuk do të jen në punë, si rezultat i ndryshimit të kurrikulës?

Kryeministri, me siguri do t’i uroj mësuesit

Kryeministri, do t’i uroj mësuesit se aj di kimetin shkollës. Një vërejtje i bëri ish-mësuesja e djalit dhe ai e mbajti vath në vesh. Kryeministri është kujdesur personalisht që mësuesit të mos marrin asnjë lek shtesë, asnjë shpërblim për festa, për punë të mirë, për përkushtim në punë, përveç të përzgjedhurve të tij. Kryeministri do t’i uroj pasi është kujdesur që mësuesit, t’i denigroj sa herë i është dhënë mundësia, t’i quaj të paaftë, të pazot, e gjithfarë epitetesh, për të cilat ai ka mjeshtëri të veçantë. Kryeministri me siguri do t’i ftoji në oborrin e kryeministrisë mësuesit, të flas vetë dy orë, të mos dëgjoj askënd, të bëjë selfie e video me “ajkën e mësuesve shqiptar” dhe më pas t’i harroj si çka bërë tani e tre vjet.

Kryeministri do t’i uroj mësuesit me siguri me shkurtim të numrit të tyre, pasi janë shumë dhe të tepërt. Kryeministri do të kujdeset të mbyllë shkollat artistike, siç po ndodh realisht, sepse arti që mësohet ën shkolla, nuk ka asnjë kuptim. Artisti mësohet në rrugë, duke shkruar, lyer me bojë ku të  mundi e jo në shkolla koti. Një urim të veçantë kryeministri do të letë me siguri, përmes artit të tij, që të lë pa fjalë. Natyrisht “kryeveprat” e tij, që ai modestish i quan shkarravina, jo kushdo do të ketë fatin t’i marri. Po së paku drejtuesit e shkollave që përkojnë edhe me të qenit ish-kryetar qendrash votimi, numërues të dytë e të tretë, kryetar organizate do ta kenë fatin, t’i bie në dorë nga një perlë kryeministrore. Të tjerët duhet të presin fundin e vitit, nëse do të jenë të përzgjedhur, për të qenë pjesë e ballos kryeministrore. Një pritje me shumë mundësi do ta organizoj kryeministri. Nëse vite më parë u fliste për tritolin, kriminalitetin, tani do t’u flas mësuesve për kuponin tatimor dhe luftën kundër informalitetit. Me siguri do të ketë në krah edhe Saimir Tahirin, që do t’u shpjegojë mësuesve sesi fitojnë një rrogë të 13-të nga ulja e taksave. Në pritje do të kemi një paradë suksesesh imagjinare: Nga shkollat e reja që nuk është ndërtuar asnjë, deri tek laboratorët që nuk duken prej tre vitesh në shkollë. Ka edhe suksese të tjetra: Shkolla komunitare, që shërben si treg i marijuanës, kokainës dhe heroinës, kualifikimi i mësuesve, që bëhet nën diktatin e këshilltarëve të ministres. Zakonisht trajnimi i mësuesve fillon me fyerjet drejt tyre dhe përfundon me buzëqeshjen për shitjen e librave. Nuk duhet harruar që këshilltarët kanë qenë urimi më i madh i kryeministrit për mësuesit, pasi vetë  z. Rama është kujdesur, t’i atashoj pranë ministres së arsimit.

Për çfarë t’i uroj mësuesit?

T’i uroj që Zoti t’i ndihmojë e të lehtësojë vuajtjet e tyre: Që Zoti të verë dot tek të paudhët, maskarenjtë, horrat, dallaveraxhinjtë, harbutët, spiunët e sahanlëpirësit, që këta mos t’i bien më qafë mësuesit e shkretë? A do të mundet Zoti, t’u pëshpërisë në vesh kryeministrit, ministres, deputetëve, shtetarëve, njerëzve të thjesht, mediave, të kenë më respekt për mësuesit dhe gjithë kjo gjindje e Perëndisë t’i dëgjojë? Të uroj që të jenë vetë të zot “të nxjerrin qimen nga qulli” dhe më pas Zoti t’i ndihmojë me aq sa mundet. Të gjitha këto mund t’i bëj ose së paku do të përpiqem t’i bëj, por sa herë që nisem, për të bërë këtë kthehem nga rruga dhe mendohem. A janë mësuesit që e kërkojnë vetë këtë trajtim, apo i mundojnë pa asnjë shkak? A kanë mundësi mësuesit të ngrihen si tregtarët, avokatët, noterët, gjyqtarët dhe të mbrojnë të drejtat e tyre? Është dyshimi më i madh që më mundon, sa herë që shkruaj për mësuesit dhe përpiqem të ngre zërin për ta. Mësuesit, këta kalorës fisnikë të dijes të respektuar prej kohëve që nuk mbahen mend në Shqipëri, duhet të meritojnë këtë emër, profesion dhe misionin që kanë në jetë. Përndryshe, çdo ministër do t’i trajtojë si të dojë, do t’i nëpërkëmbi, tallet, t’i shajë, shtyjë e pështyjë. Kryeministri, do t’i ofendoj sa herë që i lind nevoja, t’i përkëdheli, si delet e urta të stanit të vet, t’i bëjë kurban sa herë që ka nevojë. Thjesht mësuesit, duhet të tregojnë se nuk janë ushtarë të askujt, por zot të profesionit të tyre, të fituar me nder e djersë. Nëse nuk e bëjnë, i mbeten shoqërisë borxh, një borxh, që do të dojë breza të tërë, të lahet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here