Basha: Drogë dhe krekosje, Rama refuzoi përfshirjen e testit të drogës në paketën e dekriminalizimit

0
137

Kreu i opozitës Lulzim Basha përmes një deklarate për shtyp ka reaguar ndaj qëndrimit të Ramës dhe DASH. Ndërsa kjo e fundit nënvizon në raportin e saj se Shqipëria është burimi kryesor i marijuanës, Rama thekson se është arritja më e madhe.   Ndërkohë, Basha nënvizon se në raportin e DASH nënvizohet se Shqipëria është në hartën e zezë të prodhimit dhe tranzitimit të drogës, si burim kryesor.   Deklrata e plotë e Lulzim Bashës   Shqipëria, një burim kryesor i prodhimit të marijuanës dhe pikë kryesore tranziti për drogat e forta, si heroine e kokainë, për tregjet europiane. Kështu deklaron Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e tij për narkotikët. Dhe kjo përkthehet nga Edi Rama si arritje, si raporti më i mire në 25 vite. DASH e thotë për fat të keq, fare qartë. Shqipëria është në hartën e zezë të prodhimit dhe tranzitimit të drogës, si burim kryesor. Një kthim pas në ditët më të zeza, dhe zhbërje e përpjekjes së madhe për ta hequr Shqipërinë nga harta e drogës çka solli anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave dhe që u vlerësua kështu nga raportet e partnerëve:   2010 Raporti DASH, fq 103: “Statistikat Italiane tregojnë se heroina Afgane e sekuestruar në Itali e tranzituar nga Shqipëria mbetet minimale”.   2011 Raporti DASH fq 106: Shqipëria ka bërë progres në përpjekjet kundër trafikimit të drogës. Qeveria e Shqipërisë provon të konfrontohet me agresivitet me elementin kriminal. Të dhënat tregojnë se kontrollet më të mira kufitare dhe policore e kanë ngadalësuar tranzitimin e drogës”. 2012 Raporti DASH fq 96: “Ka prova se Shqipëria po bën progres në fushën kundër narkotikeve. Fusha kryesore e përmirësimit është në operacionet kundër trafikimit si dhe forcimi i kontrollit kufitar, që ka çuar në rritjen e numrit të arrestimeve dhe sekuestrimeve”.   Raporti mbi Ballkanin Perëndimor, Grupi i Dublinit, Miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian me 3 maj 2012,: “Gjate vitit 2011 Shqipëria arriti rezultate të rëndësishme në luftën konstante ndaj krimeve të drogës dhe biznesit ndërkombëtar të drogës. Shqipëria vazhdon të arrije sukses në programin e saj për reduktimin e prodhimit dhe tranzitimit të drogave si dhe për sigurimin e një kontrolli efektiv të kufijve.” Raporti i Vlerësimit të rrezikut kriminal në Europën Juglindore, mars 2012, thotë: “Shtypja që Italia dhe Shqipëria i kanë bërë transportimit të drogës ka çuar në evitimin e Shqipërisë si vend tranzit për ngarkesat e heroinës”.   Por ja ku jemi sot: me Edi Ramën Shqipëria është në krye të hartës së drogës. S’mund të ishte ndryshe vlerësimi, kur vendi është mbuluar nga kanabisi, kur parcelat ruhen me roje të armatosura që mbikqyrën nga shefa të korruptuar policie, kur pikat kyçe të policisë janë pushtuar nga trafikantët, kur vetë ministri qëndron në krye të këtij biznesi kriminal me Habilajt e Shullazin e tij.   Por arsyeja e madhe se pse Shqipëria është burim kryesor për prodhimin dhe tranzitimin e drogës, është Edi Rama i cili ka bërë trafikantë të njohur droge, deputetë, drejtorë, shefa e kryetarë bashkie, i cili refuzoi përfshirjen e testit të drogës në paketën e dekriminalizimit. Drogë dhe krekosje. Ky është në fakt edhe thelbi i tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here