PS i qëndron draftit, Xhafaj: Nuk u rrëzua. Kushti që kemi për ta bërë opozitën pjesë të procesit

0
178

“Opozitën të bëhet pjesë reale e procesit të ndërtimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, me kushtin që organet mos jene “të balancuara politikisht” dhe emërimet e anëtarëve të këtyre organeve të mos kënaqin vetëm interesin politik”

Gëzim Saliu

Partia Socialiste reagoi dje mbi draftin e Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara në lidhje me reformën në drejtësi, duke deklaruar se ai ka konfirmuar strukturën institucionale me modelet dhe zgjidhjet teknike të propozuara në projektin kushtetues. Kreu socialist i Komisionit të Reformës së Posaçëm për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj përmes një bashkëbisedimi me gazetarët nga Kryesia e Kuvendit deklaroi de opinioni i Venecias nuk e rrëzoi draftin e ekspertëve. “Së pari ka mbështetur domosdoshmërinë, rëndësinë dhe urgjencën për kryerjen e reformës në drejtësi edhe përmes disa zgjidhjeve radikale dhe ndërhyrjeve me masa të jashtëzakonshme. Së dyti, ky draft opinion ka vlerësuar pozitivisht të gjithë procesin dhe procedurën e deritanishme të përgatitjes së draftit të amendamenteve kushtetuese. Së treti ka vlerësuar shumë pozitivisht kontributin dhe punën e të gjithë ekspertëve të nivelit të lartë dhe në përgjithësi të të gjithë njerëzve që janë angazhuar në këtë proces. Së katërti në veçanti vlerëson si të pranueshme dhe efikase strukturën e organeve të reja të drejtësisë të propozuara në projektin e ri kushtetues. Është jo vetëm naive, por edhe pa ndonjë dobi dhe përfitim politik, si dhe në kundërshtim me interesin publik, të vazhdohet të thuhet se Komisioni i Venecias ka rrëzuar “projektin e ndryshimeve kushtetuese”- tha Xhafaj. Por pavarësisht këtij listimi nga ana e socialistit, ajo që u vu re në opinionin e Venecias ishte se një pjesë e mirë e piketave të draftit duke nisur që nga Kryeprokurori e deri tek Byroja u rrëzuan.

Qëndrimi për opozitën

Ndërkaq Xhafaj foli edhe për atë që Komisioni i Venecias e cilësoi si rëndësi parësore për gjetjen e një zgjidhjeje për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjen e organeve apo emërimeve të reja. “Ne besojmë se opozita e kupton shumë qartë që Venecia nuk rekomandon që organet e reja që do të krijohen të konsiderohen si parcela të ndara sipas palëve politike, pavarësisht se kush janë, kanë të drejtën ta ndajnë sipas peshës politike që kanë apo sipas oreksit të momentit. Ndaj në përmbushje të këtyre rekomandimeve, ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo zgjidhje që opozitën e bënë pjesë reale të procesit të ndërtimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, por me kushtin që këto organe të mos jene “të balancuara politikisht” dhe ose emërimet e anëtarëve të këtyre organeve të mos kënaqin vetëm interesin politik”, theksoi deputeti i PS. Po ashtu Xhafaj tha se PS e kërkon të drejtë konkluzionin e shprehur në opinionin e Komisionit të Venecias ku thuhet se,: “Ky proces emërimi duhet të garantojë që Parlamenti të zgjedhë midis kandidatëve më të kualifikuar, dhe jo midis të përzgjedhurve politikë”. “Ne kemi shumë të qartë se është shumë e dobishme për kredibilitetin e reformës që opozita të jetë edhe ajo pjesë e saj. Ndaj do të punojmë konkretisht që ajo të jetë pjesë aktive e këtij procesi”. Nga ana tjetër lidhur me shumicën e cilësuar për emërimet, debat ky kryesor mes palëve politike në vend, Xhafaj theksoi se nuk bëhet fjalë për ndikim të opozitës, por që palët politike të jenë aktive në përzgjedhje. “Ka pasur propozime, shumicë të cilësuar me 2/3, shumicë të cilësuar me 3/5 ka projekti, me 2/3 me një kohë të caktuar një tjetër propozim, ka pasur ndërkohë edhe përpjekje për të gjetur zgjidhje të ndërmjetme…Një gjë nuk ka thënë, që opozita të ketë ndikim. Nuk bëhet fjalë për ndikim partiak në formimin, në zgjedhje, sepse ndryshe do të kishim vullnete politike të shprehura në përfaqësime konkrete në përbërjen e këtyre institucioneve të pavarura. Por që palët politike, grupet politike, të marrin pjesë aktive në procedurën e përzgjedhjes pa dhënë një ndarje në përfaqësues të “X” apo “Y” partie, kjo është një gjë normale për sa kohë që investohet ligjvënësi në këtë procedurë”, u shpreh kreu socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here