Standard.al

Ndërtimi i parkut te Liqeni zbardh një tjetër skandal

0

Fotoja-e-punimeve1 Leja me kusht e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) për këndin e lojrave në Parkun e Liqenit nuk është firmosur nga ministrat e LSI-së, anëtarë të KKT-së.

Në fakt, leja duket se është sajuar me ngut, pas fillimit të reagimeve qytetare për paligjshmërinë e ndërtimit. Ajo mban datën 12 shkurt, dy ditë më vonë se fillimi real i punimeve më 10 shkurt. Data 10 shkurt si datë e fillimit te punimeve është fiksuar edhe në tabelën informuese të ndërtimit të vendosur në hyrje të kantierit në park.

Vendimi për lejen me kusht nuk është dhënë në një mbledhje të KKT-së, por është firmosur si “vendim qarkullues”: Kryetari i KKT-së, Zoti Rama, ka përgatitur vendimin dhe ua ka çuar atë për firmë, një e nga një, anëtarëve të KKT-së.

Exit.al ka kopje të vendimit të plotë, faqja e parë e të cilit është bërë publik nga vetë Bashkia. Ministrat e LSI-së, Ylli Manjani, Lefter Koka, Edmond Haxhinasto, si dhe zëvendës ministri i zhvillimit urban Gjon Radovani, nuk e kanë firmosur vendimin. Mungesa më e rëndësishme, është ajo e Ministrit të Mjedisit Koka, që duhet të japë edhe lejen mjedisore, pa të cilën nuk mund të lëshohet leja e ndërtimit.

Tashmë, është e qartë se projekti i këndit të lojrave në park është i paligjshëm. Por, ajo që po zbulohet dita-ditës është se Kryebashkiaku Veliaj nuk ka zbatuar as edhe një kërkesë të vetme ligjore në hartimin dhe zbatimin e projektit. Praktikisht, të gjitha veprimet e urdhërat e Zotit Veliaj kanë qenë arbitrare dhe në shkelje të ligjit dhe proçedurës administrative.

Përveç mungesës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM), lejes mjedisore, lejes arkeologjike, si dhe mos informimit dhe mospjesëmarrjes së publikut në vendim-marrje, një tjetër shkelje është bërë e qartë këto ditë: Bashkia Tiranë i ka filluar punimet pa supervizor, i cili, sipas ligjit, duhet të monitorojë ndërtimet dhe të sigurojë që ato janë konform ligjit dhe standarteve teknike.

Sipas të dhënave të Agjencisë të Prokurimit Publik, Bashkia ka bërë thirrje publike për oferta për supervizor të punimeve vetëm në datën 17 shkurt 2016. Ajo kishte lënë afat deri më 26 shkurt për paraqitjen e ofertave dhe pritet të shpallë fituesin këto ditë. Por, Bashkia duhet të presë 4 javë të tjera, për ankimime të mundshme, para se të nënshkruajë kontratën e supervizimit. Kjo do të thotë që punimet nuk mund të fillojnë pa kaluar të paktën 4 javë nga tani.

Ndërkohë, Bashkia ka filluar, me ngut e proçedura të dyshimta, të plotësojë mangësitë ligjore, për të cilat është bërë përgjegjëse nga qytetarët, përfshi hartimin urgjent të një vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe marrjen e lejes mjedisore.

Ajo që Bashkia do ta ketë, sidoqoftë, të vështirë të manipulojë është zbatimi i detyrimit ligjor për informimin dhe përfshirjen e publikut, e cila sipas kërkesave ligjore kërkon të paktën rreth pesë javë që të përmbushet.

Këtë kërkesë ligjore, Kryebashkiaku Veliaj po përpiqet ta “kompensojë” me proçedura populiste. ekstraligjore dhe ekstraadministrative. Para dy ditësh, ai propozoi që të ngrihet një komision me përfaqësues NGO-sh për të supervizuar punimet e këndit. Ai krey, madje,  një tentativë publike korruptimi duke ju ofruar NGO-ve t’i paguajë nga paratë e Bashkisë që ato të bëjnë supervizimin ekstraligjor.

Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Veliaj vazhdon të deklarojë me arrogancë se këndi i lojrave do të të inagurohet më datën 1 qershor 2016, pra punimet do të kryehen brenda vetëm tre muajve. Ndërkohë, edhe në variantin kur të gjitha aspektet ligjore të ishin të plotësuara, punimet ishin parashikuar të zgjasnin të paktën 6 muaj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.