Atifete Jahjaga ratifikon marrëveshjen për “Gjykatën Speciale”

0
163

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ratifikoi marrëveshjen ndërkombëtare mes Kosovës dhe Holandës, për vendosjen e “Gjykatës Speciale” për krime lufte në Hagë, duke hedhur kështu edhe hapin e fundit në pëmbushjen e të gjitha detyrimeve ndërkombëtare, që lidhen me themelimin e saj.

Me këtë vendim të Presidentes është kompletuar e gjithë baza ligjore për fillimin e funksionimit të “Gjykatës Speciale”, e cila pritet të gjykojë krimet e supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas njoftimit të dërguar nga Presidenca e Kosovës, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ka ardhur pas nënshkrimit mes ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, më 15 shkurt 2016.

Ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Holandën, Presidentja kosovare e ka bërë në bazë të kompetencave kushtetuese, duke u bazuar në nenin 18. Me këtë rast, kjo marrëveshje hyn në fuqi pa pasur nevojë që të ratifikohet edhe në Kuvend, pasi deputetët i kanë dhënë muaj më parë, me dy të tretat e votave të tyre, “dritën jeshile” krijimit të “Gjykatës Speciale”.

Themelimi i “Gjykatës Speciale” ka ardhur pas publikimit të raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, i cili akuzon krerët e UÇK-së për përfshirje në disa krime dhe në trafikim organesh. Pretendimet e Martyt u miratuan nga Këshilli i Europës, i cili ftoi Kosovën për formimin e “Gjykatës Speciale” për trajtimin e rasteve të paraqitura në raportin e senatorit zviceran.

Pas publikimit të raportit, një “task forcë” e ngritur dhe udhëhequr nga kryeprokurori amerikan, Clint Williamson, nuk arriti të gjejë fakte për trafikim organesh, mirëpo pretendimet e tjera për krime lufte u rekomandua se duhet të gjykohen.

Tani që “Gjykata Speciale” është formalizuar dhe do të financohet nga Bashkimi Europian, pritet që të nisë kompletimin e stafit me prokurorë dhe gjyqtarë, për të paraqitur pastaj edhe aktakuzat e para ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here