Buka 50 lek, reklama më tërheqëse në shitoret e Tiranës

0
226

Ndriçim-Mehmeti

Dr. Ndriçim Mehmeti

“Ç’kërkonte shqiptari në shekuj? Pak bukë/pak kripë/pak hekur”. Kjo ishte një nga vjershat që duhej ta mbanim mend përmendësh në kohën e komunizmit, pasi fliste për varfërinë e popullit tonë nën Perandorinë Osmanë. Tani që kemi 104 vjet plot, të çliruar prej Perandorisë Osmane, nuk po arrijmë të çlirohemi dot prej vetes. Pas 104, vjetësh, buka mbetet ushqimi më i mirë për të mbushur barkun e shqiptarëve. Thekre, gështenje, misri, gruri, elbi, me peshë të vogël apo të madhe, më shumë me maja e sodë, sesa me lëndën që duhet brenda saj, ajo përsëri, rri në rafte, herë hijerëndë, herë lozonjare, herë e zbukuruara me pak miell sipër e herë me susam.

Buka 50 lek

Kjo ishte reklama që më tërhoqi vëmendjen në magjes, jo në ndonjë fshat të largët, në zona të varfra “ku thërret kiameti”, por tek dyqanet sa kalon rrugën “Ali Demi”, në afërsi të shkollës “Servete Maçi”, tek tregu i ri “Avni Rustemi”. Kjo reklamë, tërheqëse për popullin e papunë përgjithësisht “nga dembelizmi”, duket të jetë një çlirim, për qeset e boshatisura çdo ditë e më shumë. Në realitet, buka 50 lek, është për ata që kanë ndonjë farë leku, se për të tjerët, është trendi i filluar tani e muaj më parë, i blerjes së bukës bajate, 30 lek për copë. Buka që nuk shitet prej një ose dy ditë, tërhiqet në mënyrë të rrufeshme, nga një klientelë, që sa vjen e rritet. Këta klientë, e kanë bukën, bukë, gjellë, djathë, ëmbëlsirë dhe në jo pak raste zëvendëson mishin e munguar. Me pak gjizë, qepë e ullinj, ajo shkon shumë mirë edhe ashtu bajate siç është. E thekur, lere mos e nga: Darka e pasur e fukarait. Mendoni se e teproj? Nëse ju kujtohet ankesa më e madhe e shqiptarëve azilant në Gjermani, ishte se “ne erdhëm për më mirë, por po vdesim urie dhe na i hedhin bukën si qen. Nuk na mjafton buka që na japin”. Është e thjeshtë të thuash se dikush kënaqet vetëm me kritikën, por llogaritë bëhesh  më thjesht se kaq. Një familje me katër persona që konsumon një bukë e gjysmë masive, me ofertën e re të çmimit të bukës, shpenzon 75 lek në ditë. Në këtë mënyrë i kursen vetes 30 lek, nëse do ta blinte bukën me çmimin 70 lek. 30 lek në ditë x 30 ditë që ka muaji, kursehen 900 lek, ose e thënë ndryshe, kjo familje ka mundësinë të blejë 18 bukë më shumë, 2 kg e pak nga djathi 400 lek/kg, që në fakt është qumësht pluhur i presuar, 3 kg vaj misri ose luledielli me ofertë. Po të shtoj edhe 600 lek, një pjesëtar i familje ka mundësinë të pajiset me letërnjoftimin elektronik.

Buka në konkurrencë të fortë me kafen, çajin dhe ujin pa gaz, që shërbehet në bare

Edhe këtë reklamë të shkruar diku me shkumës në një dërrasë, e diku me fleta A4 të ngjituar nëpër mure, e pashë jo shumë larg qendrës, madje në zemër të saj. Në lokalet që rrethojnë 15-katëshin, tek 9-katëshet, në fillim të rrugës “Siri Kodra”, “Rruga e Durrësit”, “Rruga e Kavajës”, në afërsi të Ministrisë së Drejtësisë. Thashë me vete “po ky milet dembel e i papunë, pse nuk e pinë kafen në shtëpi që u bie më lirë, apo kanë trangillik dhe e duan t’u shërbehet nga kamerieri”. Për nder nuk e kuptoj këtë popull. Kanë ballkone, shtëpi, kohë të bukur, ambient që sa vete e bëhet “i pastërt” si kristali, sidomos pas 2013 dhe duan të zbresin të pinë kafe poshtë pallatit, a në qendër të Tiranës. Për kafe dilet tre herë në vit: Ditën e Verës, Shën-Valentin dhe 1 Qershor, të njohura si festat, ku populli feston më shumë se cilado datë tjetër e shënuar. Ditët e tjera, njerëzit duhet të dalin, të mësojnë zanat, gjuhë të huaj, si të bëjnë brumë për pica, byreqe, salsiçe shtëpie, mësimi i alfabetit Mors dhe si të hollojmë kosin, për të shturë sa më shumë vakte. Me barkun thatë dhe kërkojnë kafe, çaj, makiato, dekafeinato, e ku di unë se çfarë. Rri aty mbyllur në shtëpi, e mos bëj zë.

Rrobat e Gabit?

Mbeten shumë të preferuar edhe se bashkia, i hoqi prej trotuareve. Hallexhinjtë, njerëz të veshur shik prej vitesh me këtë mall, të tjerë që afrohen pak me turp si hera e parë, jua kanë gjetur edhe vendbanimin e ri këtyre tregtarëve. Ata presin çdo ditë me buzëqeshje, të rinj, të reja, moshë të mesme, të vjetër, për të shitur mallin e tyre. Nuk maziten asnjëherë. Njësoj si në rastin e bukës dhe kafes, ata i gjen të ulërasin “afrohuni zonja, funde të mira 500 lek, geta 100 lek, të brendshme firmato për një natë nxehtë, vetëm 500 lek. Hajde xhupa se u ftoh koha, dorashka e kapuçë për fëmijët, këpucë me push.” Ashtu si kafenetë, furrat e bukës me ofertë dhe këtë tregti e gjen në mes të Tiranës. Po të shëtitësh pak në mes të ditës, pa pritur mesnatën, në këmbë dhe jo me taksi, se nuk e ke mundësinë e vëzhgimit të hollësishëm, do të gjesh nëna, që tërheqin fëmijën prej dore, i zhveshin këpucët që vetëm lidhëset kanë të hajrit dhe u veshin të përdorurat e Gabit, marrin një bluz e një xhup, që të mbulojë leckat me të cilat ka ardhur nga shtëpia. “Rrofsh moj motër” – i thoshte një zonjë shitëses bujare rome- “se kam një javë që nuk e çoj djalin në shkollë. Shyqyr që më erdhi motra nga Gjermania, më dha 100 Euro fshehurazi dhe unë mendova të blej ndonjë gjë për djalin e burrë ditëziun. Për vete, ka Zoti”. A janë këta të mjerë, më të shumtë, më të paktë? Një shifër të saktë nuk e di. Vetëm se di që janë shumë afër zemër së metropolit.

Kafshatë që kapërdihet asht o vlla mjerimi!

Me bukën 50 lek, kafe, çaj, ujë, pa gaz me të njëjtën ofertë, dengjet e rrobave ku ulen këmbëkryq, njerëzia për të gjetur veshjen e tyre, mjerimi nuk është më kafshata që s’kapërdihej, si në kohën e Migjenit. Ajo kapërdihet, me pak ujë Selite që vjen në shtëpitë tona me autobote, me pak hir djathi dhe në jo pak raste me ndonjë gotë raki veresie. Varfëria, jo vetëm që shtyhet, por nuk ta mban të thuash që jam i varfër, përndryshe meriton leksione filozofie, mbështetur mbi frazat: “varfëria është në mendjet e njerëzve, jo në realitet”, “nuk ka të varfër, por dembela që nuk punojnë”, “kush do të punojë e gjen veten” etj, etj. Mjerimi është zëvendësiar me krenarinë qeveritare, të cilës, i shkon përshtat shprehja” “B…. në diell e hunda në qiell”. Tani të mjerët quhen dembel dhe me shumë mundësi, kanë për t’u dënuar me burgim, si në Anglinë e kohës së gardhimit. Të tregosh varfërinë, mizerjen ku jeton, sëmundjen që ka pllakosur fëmijët, është blasfemi, që dënohet me masën më të rëndë për një shoqëri: Heshtje, përbuzje, mospërfillje.

Prandaj mjerimi është bërë një kafshatë që kapërdihet. Pak me vështirësi, por shkon poshtë e në stomak me ndihmën e lotëve, kur s’ke gjë tjetër. Mjerimi shkon poshtë edhe kur të lenë në mes të rrugës, të tallin, shtyjnë e pështyjnë. Sa më shumë të zhytesh në mjerim, duke kujtuar se do të rilidhsh, aq më shumë je i nënshtruar prej frikës së shportarit të tënd dhe dhunës së sundimtarëve që quhen qeveritarë. Por faji nuk është i këtyre të fundit. Jo dhe jo. Për sa kohë mjeranët, mbajnë sytë nga qielli, shikimin tek banakët e mbushura me lloj-lloj gjërash që ata nuk i kanë provuar e nuk i provojnë dot, me shpresën se Zoti, do t’i ndihmoj, sa të dëgjoj lutjen e tyre, qeveritarët nuk u kanë asnjë borxh. Ditën që do të ngrihen furishëm, t’ja përplasin fytyrës mizerjen që i ka zënën këmbët, t’i tregojnë se janë zot të vetes dhe jo tekave të qeveritarëve, që do t’i hedhin në koshin e historisë, si paraardhësit e tyre të lavdishëm, atëherë ata s’do të jenë më në zyrat që me gjakun e njerëzve po i mbajnë të pushtuara. Deri tani kjo s’ka ndodhur. Mjerimi nuk është shumë kilometra larg syve tanë. Ai është ulur këmbëkryq në mes të Tiranës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here