NGA GAMBINO TEK KUMBARI/ “The Perfect Gangster”, jeta e shqiptarit John Alite në mafian amerikane

1
1099

John Alite, amerikani me origjinë nga Gjirokastra, me një histori të veçantë si një gangster.  Në muajin mars Alite do të vijë në Shqipëri, së bashku me të vërtetën e tij si mafioz, në një dokumentar. Njihuni me të, me gansterin perfekt në këtë intervistë eskluzive të dhënë  për “Standard” .

 

Nëse kërkoni nder dhe besnikëri ju mund të shikoni “The Godfather”, por nëse po kërkoni realitetin, duhet të bisedoni me John Alite, amerikanin me origjinë nga  Dunavati i Gjirokastrës. Historia e tij është unike në 25 vjet karrierë si një gangster. Ai nuk i fshihet të kaluarës, por sot ai është një tjetër njeri. Alite rrëfen jetën e bërë sipas rregullave të mafias amerikane në një dokumentar, “The Perfect Gangster”, nga Andi Deliana. Në Intervistën e dhënë për gazetën “Standard”, Alite sqaron për shqiptarët, sesi u përfshi në veprimtarinë kriminale të familjes fGambino. Po ashtu si rrodhën ngjarjet dhe tradhëtinë e familjes Gotti. Ja cila është e vërteta që John Alite do t’ju rrëfejë në dokumentarin me personazhe të vërtetë të vendosur në vendet ku ka rrjedhur edhe historia e jetës së tij.

John Alite, ndër shqiptarët më të njohur për amerikanët. Cila ishte jeta juaj në para se të hynit në jetën e krimit në amerikë?

Kam lindur dhe jam rritur në NewYork, nga prindër me origjinë shqiptare. Gjyshërit e mi emigruan në SHBA në fillimin e vështirë të shekullit të 20 nga Gjirokastra. E gjithë familja e bashkuar në një ndërtesë 5 katëshe, siç ishte traditë në Gjirokastër dhe të të gjithë shqiptarëv në përgjithësi. Ndërsa kushërinjtë tanë jetonin në një ndërtesë tjetër pak metra më larg. Gjyshi im, Aliu, e mbajti familjen të bashkuar deri në fund të jetës së tij. Në shtëpi flitej shqip, dhe festat shqiptare festoheshin rregullisht. Gjyshërit ishin shumë aktivë në marrëdhëniet me komunitetin shqiptar, si dhe me ata pak përfaqësues të shtetit shqiptar të asaj kohe. Kujtoj me nostalgji kur gjyshja dhe gratë e tjera të familjes mblidheshin bashkë, mbulonin flokët dhe hollonin petat e bakllavasë dhe të byreqeve, si dhe përgatisnin ushqime të tjera tradicionale në katin që shërbente për gatim. Isha shumë i lidhur me gjyshen, dhe kaloja shumë kohë me të deri në fund të jetës së saj. Në lagjen ku jetonim ishim të vetmit shqiptarë. Të tjerët ishin kryesisht italiane, dhe ishte shumë e rëndësishme që të ishe “i fortë” në rrugë që të mbijetoje. Ligji që zbatohej ishte ai i rrugës, dhe detyrimisht unë nuk mund të dilja jashtë kësaj. Kontakti i parë me botën e krimit ndodhi në sallat e bixhozit dhe të basteve, kur isha shumë i ri. Në adoleshencën time isha në jetën e rrugës dhe ia dilja për mrekulli. Por ndërkohë, vazhdoja shkollën dhe kisha një jetë sportive mjaft aktive. Sporti ishte traditë familjare, në shtepi ka pasur historikisht edhe ka palestër. Boksi dhe bejsbolli kanë qenë sportet kryesore.

Si u njohët me familjen mafioze Gambino dhe si u bëtë më pas pjesë e veprimtarive kriminale të saj?

Njohja me John Junior Gotti ndodhi rastësisht, por ndoshta ishte e pashmangshme. Të dy kishim dëgjuar për njeri tjetrin, derisa dikush na prezantoi në një bar kafe. Unë isha tashmë mjaft aktiv në rrugë. Ndërsa Jr Gotti ishte djali i një mafiozi me emër, John Gottit. Më vonë, i ati u bë kryetari i familjes mafioze Gambino, ku dhe kishte qenë anëtar, pasi organizoi vrasjen e ish bosit të familjes, Paul Castellano. Menjëherë e kuptuam se të dy mund të bënim shumë punë bashkë. Dhe ashtu ndodhi, suksesi ishte i menjëhershëm. Babai i Junior, Gotti i madh, e nuhati përnjëherë që isha unë ai që i duhej të rrinte më pranë të birit, dhe gjithmonë kujdesej që ne të ishin bashkë. Shpesh herë, edhe ai më merrte me vete në aktivitetet me pjesëtarët e lartë të familjes Gambino. Kështu u bëra dhe si pjesëtar i familjes, si një “djalë” tjetër i Gottit. Shpesh me zinte gjumi në kolltukët e shtëpisë së tyre. Njerëzit thonin që ne ishim shokë, por në të vërtetë unë isha “babysitter” i Juniorit. Shumë herë mora përsipër faje apo përgjegjësi për vepra që nuk i kisha kryer, për të shpëtuar Juniorin, imazhin e tij. Ai ishte djali i bosit, kështu funksiononte… Gjithsesi, karriera kriminale vazhdoi shumë e suksesshme. Fitonim miliona dollar nga aktivitete të ndryshme, kryesisht nga kokaina.

Çfarë ndodhi më pas?

Arrita shumë shpejt një pozitë të larte në familjen Gambino, por, origjina ime shqiptare nuk lejonte që unë të bëhesha “a made man”. Në qoftë se donin një punë që të ishte e mbaruar, mua ma kërkonin. Gëzoja reputacion të lartë në rrugë, të gjithë kishin frikë të përballeshin me mua. Njëkohësisht, e mbaja fjalën e dhënë, i ndihmoja të dobëtit dhe nuk ngacmoja të pafajshmit. Kjo solli dhe njohjen dhe respektimin dhe nga familjet e tjera mafioze. Më quanin edhe “i forti” i butë. Fillimisht u bëja të qartë para se të veproja kundërshtarëve, dhe nuk përdorja dhunën kur nuk ishte e nevojshme. Kjo ngjitje e imja nuk i pëlqeu disa anëtarëve të familjes Gambino, pati edhe xhelozi. Në fund të fundit, unë isha shqiptar, nuk isha italian.

Kur u krisën marrëdhëniet tuaja?

Krisja me Junior erdhi për shumë faktorë, dhe ishte graduale. Gottit i donin anëtarët e familjes të silleshin ndryshe nga si vepronin ata vetë. Ata i donin të tjerët të respektojnë rregullat e mafies, por vetë nuk i zbatonin ato në çdo rast. Konflikti me kunatin e Junior bëri që unë të transferohesha në Florida, ndërkohë që presioni nga FBI dhe burgosjet ishin shtuar shumë ndaj meje. Shumë nga njerëzit që më rrethonin dhe anëtarë të Gambinove ishin arrestuar ndërkohë. Bashkëpunimi i tyre kundër meje po merrte përmasa serioze. Ndërkohë, marrëdhëniet me Junior ishin ftohur ndjeshëm. Rregullat e Gottit ishin që për të shpëtuar vetë, dikush duhet të sakrifikohej. Unë isha sakrifikuar disa herë në rini për të. Pozicioni i im ishte i keq, dhe nga Junior nuk po merrja ndihmën që më detyrohej. Isha përballë këtyre zgjidhjeve: të qëndroja në SHBA, ku rrezikoja seriozisht burgimin dhe dënimin e përjetshëm; të largohesha nga SHBA dhe të fshihesha, ose të pranonja ofertat e pafundme dhe presionet e FBI për bashkëpunim. E treta as nuk çohej nëpër mend, çfarëdo që të ndodhte. Origjina ime shqiptare dhe karakteri im, nuk mund ta pranonin ta bënin këtë. Gjendja ime ekonomike ishte shumë e mirë, dhe bizneset prodhonin të ardhura të mjaftueshme për të jetuar në luks në çdo vend të botës. Atëherë, vendosa largimin nga SHBA. Këtu filloi pjesa më e vështirë… Gjithë kohën në arrati, me frikën se mund të më arrestonin në çdo moment. Por, më shumë më mundonte fakti që fëmijët po rriteshin dhe unë nuk isha pranë tyre për një kohë të gjatë. Ndërkohë që u largova, të gjithë më kthyen shpinën. Shokët më spiunuan, të ndikuar mjaft nga Junior, i cili hodhi gjithçka mbi mua që të shpëtonte veten. Edhe para nga bizneset ku unë kisha pjesë, nuk po më dërgonin. Avokatët më njoftuan që në SHBA e kasha pisk punën dhe se në çdo vend të botës do të më arrestonin. I vetmi vend që nuk kishte marrëveshje ekstradimi me SHBA ishte Brazili. U nisa për atje. Brazili i kishte të gjitha: diell, plazh, muzikë dhe femra të bukura. Mbi të gjitha, më trajtonin si mbret. I ndodhur në një pozicion të tillë, menjëherë vendosa lidhjet me organizatat kriminale të vendit, lidhje që më ndihmuan shumë në burgun më të tmerrshëm të botës, “Ari Franco, ku kalova dy vjet. Njëkohësisht, vizitoja Akademinë e Boksit dhe bëja ndeshje boksi atje. Por kjo zgjati pak, sepse një ditë të bukur, një ushtri forcash speciale të Policisë braziliane më arrestoi për llogari të Interpol. Përfundova në Ari Franco. Pati shumë tentativa për të më eliminuar atje, por mbijetova. Humba të gjitha paratë dhe betejën ligjore kundër ekstradimit. Në SHBA drejtësia më priste me padurim. Goditja më e fortë erdhi kur pashë një dokument, ku Junior kishte firmosur fillimin e bashkëpunimit me FBI. Në rregullat e mafias, firmosja e këtij dokumenti konsiderohet tradhëti, dhe dënimi për këtë është egzekutim. Mbasi më kishte vjedhur, kishte shkelur marrëveshjet, kishte tentuar të më vriste, tashmë erdhi edhe kjo… Nuk mund të më bentë për budalla, këtë nuk e pranova. Kështu erdhi dhe bashkëpunimi me FBI…por, më duhet të them që isha zhgënjyer plotësisht nga jeta si mafioz.

Si ndryshoi jeta juaj pasi dolët nga burgu?

Pasi kreva dënimin, u lirova nga burgu dhe u ktheva përsëri në rrugën ku isha rritur. Nuk pranova të hyj në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Unë nuk njoh frikë. Në lagje më mirëpritën. Tani isha një tjetër njeri, kjo ishte një jetë e dytë për mua. Jam më shumë fat. I kushtoj shumë kohë thirrjes për të rinjtë që të qëndrojnë larg krimit. Më në fund, u përqendrova tek jeta ime e re, puna e ndershme dhe familja.

Pas publikimit të librit tuaj, tashmë ju do të jeni pjesë e një filmi dokumentar “The Perfect Gangster”. Një dokumentar i veçantë ku aktorët janë personazhe të vërtetë të një historie të vërtetë. Cila do të jetë e vërteta juaj?

Pas suksesit të librit të parë nga George Anastasia, si dhe intervistave në televizione botërore me famë, do i vinte radha dhe filmit të parë. Doja ta realizoja këtë me shqiptarë dhe për shqiptarët, pavarësisht ofertave nga Hollyëood.  Bashkëpunimi shumë i këndshëm me regjizorin me origjinë shqiptare, Andi Deliana, do të sjellë daljen e filmit së shpejti, shpresohet në muajin Mars.

Çfarë duhet të presë publiku në këtë dokumentar?

Në këtë film dokumentar, unë dhe të tjerët do të luajmë vetveten. Do ketë intervista dhe filmimet do jenë në vendet reale ku janë zhvilluar ngjarjet. Do kemi shumë sukses, e besoj këtë. Edhe Andi dhe djemtë kanë bërë një punë të shkëlqyer. Po përgatitemi për një turne në Europë, shpresojmë në Mars. Pas vizitave në vende të ndryshme, intervistave, shfaqjeve televizive, etj, do vijë dhe vizita e dytë, por tashmë shumë më ndryshe nga hera e parë: do të jem në Shqipëri.

Në Shqipëri ka patur shumë ngjarje kriminale, si larje hesapesh mes bandash, por edhe krime banale. Çfarë mendoni dhe këshilloni për të rinjtë shqiptarë?

Qendroni larg rrugës dhe krimit, kjo lloj jetë është e pabesë dhe zhgënjyese. Shkoni në shkolla, studioni, bëni shumë sport dhe respektoni familjen. Krimi nuk ka të ardhme. Jetojeni jetën në maksimum, qëndrojuni pranë të afërmve dhe të dashurve tuaj. Mos harroni kurrë traditat e mrekullueshme shqiptare, qendroni krenarë, punoni për veten tuaj dhe vendin tonë, Shqipërinë. Intervistoi V. Stafa

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here