Pacolli: Amaneti, të prehet në Tiranë. Berisha: Asnjë kërkesë për varrimin në vend tjetër

0

 

Copy of behgjet pacolliKreu i Fondacionit “Ibrahim Kodra”, Behgjet Pacolli ka ritheksuar se piktori e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë.

 

I ndjeri, mjeshtri Ibrahim Kodra duket se bërë mish për top për politikën shqiptare. Ministria e Kulturës shprehet se mosplotësimi i amanetit të tij për tu varrosur në Tiranë nuk u plotësua në 2006 për moskoordinim mes institucioneve të qeverisë së asaj kohe. Ndërsa ish Kryeministri Sali Berisha, në ata kohë President, ka argumentuar se nuk ka pasur një kërkesë nga fondacioni apo të afërmit që Ibrahim Kodra të prehej në Tiranë. “Ibrahim Kodra u varros 10 vjet më parë në Ishëm me praninë e autoriteteve të larta të vendit dhe drejtuesit e Fondacionit “Ibrahim Kodra” e shoqëruan në banesën e fundit pa paraqitur asnjë kërkesë për t’u varrosur në një vend tjetër.”, shkruan Berisha në rrjetin social Facebook.

 

Kryetari i Fondacionit “Ibrahim Kodra”, Behgjet Pacolli në një reagim të tij ka shpjeguar se cili është amaneti i piktorit të madh.

“Në kuadër të dhjetëvjetorit të vdekjes së Maestro Ibrahim Kodrës, fondacioni jonë u mblodh në shtëpinë e tij ku miq të shumtë kujtuan veprën e madhe të tij. Ne mësuam me kënaqësi të madhe për vendimin e Qeverisë shqiptare për të përmbushur amanetin e piktorit, poetit dhe humanistit të shquar Ibrahim Kodra për tu varrosur në Tiranë, diku në kodrat e Liqenit Artificial. Me shqetësim, por dhe mirëkuptim për banorët e Ishmit, ne mësuam për rezistencën e një grupi banorësh të fshatit Ishëm për të mos lejuar zhvendosjen e eshtrave të Mjeshtrit të madh drejt Tiranës.”, thotë Pacolli. Sipas tij bartësit e amanetit të Kodrës nuk kanë dashur të krijonin polemika publike me këtë fakt, por kanë kërkuar zyrtarisht që më në fund Maestroja të prehej në Tiranë. Ata kanë zhvilluar korrespondenca me autoritetet shqiptare dhe kanë marrë premtime të vazhdueshme në favor të këtij amaneti nga dy krahët e politikës.

“Ibrahim Kodra e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë. 10 vjet më parë, një mungesë koordinimi, mosinformimi në kohë, bëri që mjeshtri të varrosej në Ishëm.”, ka kërkuar të theksojë Pacolli.

Behgjet Pacolli ka dhënë një përgjigje edhe për ish kryeministrin Berisha duke thënë se: “Ne e mirëkuptojmë dhe respektojmë reagimin e Profesor Doktor Sali Berishës, Presidentit të parë të Shqipërisë që e dekoroi Ibrahim Kodrën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. E sigurojmë ish Presidentin që varrimi në Tiranë ishte dëshirë dhe kërkesë e të ndjerit Ibrahim Kodra.”.

Pas kësaj deklarate të Pacollit duket se zhvarrosja e eshtrave të piktorit ishmak është një vendim pa kthim pas.Në 12 shkurt, thotë Behgjet Pacolli do të plotësohet amaneti i Kodrës.  “Vendosja e Ibrahim Kodrës, birit të shquar të Ishmit pranë Panteonit të Rilindasve në kodrat e Liqenit, është nder për Ishmin, për mbarë kombin tonë.”, thotë ish presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli. V.Stafa

Lini nje pergjigje