Qeveria miraton pr/ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, do monitorohet nga SHBA e BE. Drejtori do emërohet nga ministri

0
201

1455104497vkm-keshlliehsKëshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Ja drafti

Neni 26/1 – Byroja Kombëtare e Hetimit organizohet si strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit. Kjo strukturë ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit. Organizimi dhe funksionimi administrativ i Byrosë përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, me propozim të drejtorit të Policisë së Shtetit. Veprimtaria proceduriale penale e Byrosë drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori.

Një nen i veçantë, ai 26/2 i kushtohet emërimit të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky, me gjasë është edhe neni më i kontestueshëm nga opozita.

Neni 26/2 – Drejtori i Byrosë emërohet nga ministri përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, me propozim të drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimin paraprak me shkrim të Prokurorit të Përgjithshëm për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Drejtori i Byrosë emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit dhe në momentin e emërimit i jepet grada ‘drejtues i parë’. Drejtori i Byrosë kontrollon dhe është përgjegjës për funksionimin e kësaj strukture në bazë të këtij ligji. Prokurori është autoriteti përgjegjës vendimmarrës në lidhje me hetimet e Byrosë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi.

Në këtë projektligj, roli i Prokurorit të Përgjithshëm në Byro trajtohet edhe në një tjetër nen.

Neni 26/4 – Prokurori i Përgjithshëm cakton një ose më shumë prokurorë të Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për të shërbyer me kohë të plotë si prokuror në Byro. Prokurori i Përgjithshëm cakton prokurorin e vetëm, ose njërin prej tyre kur ka më shumë se një prokuror, që të shërbejë si drejtues i grupit të prokurorëve në Byro. Prokurorët e caktuar në Byro nga Prokurori i Përgjithshëm mund të vendosen në ambientet e Byrosë dhe mbikëqyrin të gjithë veprimtarinë proceduriale penale që kryhet nga Byroja. Prokurorët e caktuar në Byro kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet, që lidhen me cilindo hetim të Byrosë dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me punonjësit e Byrosë.

Demokratët kishin kërkuar të enjten e kaluar në Parlament që dokumenti i Byrosë Kombëtare të Hetimit të kalonte nga Qeveria më parë dhe projektligji të vijë në Kuvend si propozim i ekzekutivit.

Kur bënë këtë kërkesë, opozitarët sqaruan se drafti për të cilin flasin është ai i hartuar që në muajin tetor nga OPDAT dhe Ministria e Brendshme, me mbikëqyrjen amerikane, sipas PD.

Demokratët i ndanë qëndrimet brenda mazhorancës, ku sipas tyre, LSI është dakort me variantin e mbështetur nga PD.

“Për këtë draft edhe LSI përmes përfaqësuesve të saj ka qenë dakort. Atëherë ku ngelet puna?! Që në tetor, pse nuk miratohet drafti?! Nga tetori deri më sot përse nuk ka kaluar drafti në Qeveri? Përse nuk miratohet në Qeveri”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Ilir Meta, që foli për herë të parë për çështjen, nuk i kundërshtoi demokratët, por vetëm i këshilloi.

“Atë variant për të cilin Partia Demokratike është dakort ajo mund të depozitojë në Kuvend dhe ai variant mund të ndjekë rrugën sipas procedurave parlamentare dhe ne do ta ndjekim me përparësi, besoj”, tha Meta.

Duke folur për herë të parë lidhur me debatin për kohen e miratimit të këtij projektligji, kryeministri Edi Rama la të kuptohet se gjithçka tashmë është në varësi të reformës në drejtësi dhe draftit final të saj.

“Komisioni i Reformës le të diskutojë dhe le të thotë fjalën e tij. Në momentin që Komisioni i Reformës thotë që ky dokument nuk e cënon Kushtetutën, të jeni të sigurtë  fare se do të votohet pa as më të voglin ngurrim”, tha Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here