Debati për kryetarin në PS/ Dade në krah të Blushit: Majko u bë Kryeministër për shkak të zbatimit të statutit

0

komisioni i jashtemPas deklaratave të  Majkos në mbështetje të Ramës, Dade: Të gjithë duhet të jenë me statutin dhe zbatimin e ligjit

Gëzim Saliu

Kërkesa e deputetit Ben Blushi për mbajtjen e zgjedhjeve në PS dhe deklarata e ish-kryeministrit Pandeli Majko se vërejtjet e tij ishin të drejta, por se mbështeste kryeministrin Rama u kthyen dje në qendër të diskutimit të deputetëve të Komisionit të Jashtëm në pjesën  “off rekord”. Në pushimin e mbledhjes mes deputetëve demokratë dhe atyre socialistë nisi një diskutim për qëndrimet e Majkos lidhur me debatin e brendshëm në PS, ku u veçua komenti i kryetares socialiste të Komisionit të Jashtëm Arta Dade e cila i doli në krah Blushit. Ky i fundit ishte prezent në mbledhje por nuk komentoi gjatë diskutimit të kolegëve, duke preferuar të ndajë disa qëndrime me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule dhe deputeten socialiste Valentina Leskaj.

Diskutimi

Ndërsa deputeti PD, Eduart Selami, ironizoi qëndrimin e mbajtur nga Pandeli Majko, kryetarja e Komisionit Arta Dade tha dje në Komision se ai u bë kryeministër pikërisht në zbatim të statutit dhe se ndante mendimin se statuti duhet respektuar në çdo rast. Fillimisht ishte deputeti demokrat Kastriot Islami që sugjeroi që në pushimin e mbledhjes të flitej për statutin e PS, duke deklaruar se duhej të diskutohej deklarata e Majkos i cili theksoi se Blushi kishte të drejtë që statuti është shkelur, por se ai mbështeste kryetarin e PS-së, Rama. “Blushi ka të drejtë, por unë jam me Ramën…se marr vesh këtë”, tha demokrati Selami. Ndërsa socialistja Dade i theksoi se,: “Ai tha e mbështes Blushin për statutin, por unë jam me Ramën”. Në këtë kontekst Dade nuk nguroi të shprehë edhe mendimin e saj lidhur me debatin brenda PS-së duke i dalë në krah Ben Blushit. Ajo i kujtoi Majkos se duke u respektuar statuti i PS-së ky i fundit u bë kryeministër në vitin 1998. “Po u them një të vërtetë, Pandi është bërë Kryeministër në ’98 për shkak të zbatimit të statutit. Meqenëse kryetari i partisë dhe ish-kryeministri dha dorëheqjen, në bazë të statutit i vjen radha numrit dy të partisë që të bëhet Kryeministër dhe kështu që u bë Pandi. Në zbatim të statutit, po”. Qëndrimin e saj ajo e përmbylli me deklaratën, “Të gjithë duhet të jenë me statutin dhe zbatimin e ligjit për mendimin tim”. Po ashtu Dade shprehu mbështetjen e saj ndaj Blushit edhe kur ky i fundit po debatonte me ministren e Kulturës Kumbaro lidhur me rivarrimin e Ibrahim Kodrës. Ndërsa ministrja tentoi të ndërpresë pyetjen e Blushit duke tentuar ti përgjigjej për diskutimin e parë të deputetit, kryetarja e Komisionit ndërhyu duke pohuar,: “ Ju lutem zonja ministre këtu mbledhjen e drejtoj unë dhe ju duhet të merrni leje ke unë më parë për të folur… Po vazhdoni z.Blushi..”

 

Lini nje pergjigje