Afera 100 milionë USD e Albpetrol, manipulime me 2 tendera

0

hashtag
Një raportim i kompanisë shtetërore Albpetrol mbi shitjet e sasive të naftës bruto në vitin 2014, ka zbuluar se kjo kompani i ka shitur sasitë e naftës 20% më lirë se çmimi i tregut.

Loading...

Të dhënat mbi këto shitje i disponon të analizuara dhe ministria e Energjitikës dhe Industrisë e drejtuar nga z.Gjiknuri.

Raporti ku evidentohet diferenca me 20% ne shitjet e naftes nga Albpetrol

Madje ministria e Energjisë në bashkëpunim me nismën EITI, kanë analizuar dhe çmimet e shitjes së Albpetrolit dhe ka rezultuar se Albpetrol i shiste fuçitë e saj të naftës 20% më lirë se Bankers Petroleum, kjo e fundit operon me çmimin e bursës ndërkombëtare.

Dy tenderët e ekzekutuar në vitin 2014 nga Albpetrol, kanë shitur afro 255 mijë tonë naftë, ndërsa çmimi i shitjes në total shkon në 105 milionë dollarë.

Nëse Albpetrol do të aplikonte çmimin e bursës dhe vlerën reale në treg të kësaj nafte, çmimi do të ishte 128 milionë dollarë dhe jo 105 milionë dollarë. Çka do të thotë se toleranca në çmimin e tenderit shkon në 23 milionë dollarë.

Një zyrtar shtetëror, sqaroi për HashtagAL detaje mbi domethënien e këtyre dy shitjeve:

“Albpetrol e ka shumë të thjeshtë. Mund t’ia lerë Bankersit t’i shesë këto sasi me çmimin e tregut dhe të arkëtonte 23 milionë dollarë më tepër. Fakti që kjo nuk ndodh do të thotë se drejtuesit e Albpetrol kanë dritë jeshile për të abuzuar. Veprimi është shumë i dyshimtë dhe me sa duket ky 20% tolerim, ka shumë gjasa të jetë gjoba e marrë në paradhënie”

Këto sasi Albpetrol i ka shitur në disa kompani private, por kompania që ka blerë pjesën e luanit është “TPD-Trading Petrol & Drilling”, në pronësi të biznesmenit Besnik Sulaj (Beso i Taivanit).

Kjo kompani ka dhe një kontratë shfrytëzimi me kompaninë ARMO dhe ka në përdorim rafinerinë e Ballshit.

Burime të informuara i thanë HashtagAL se ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ndonëse është në dijeni mbi këtë manipulim flagrant me çmimin e shitjes së naftës nga Albpetrol, nuk ka shumë në dorë për të ndryshuar ndonjë gjë.

Albpetrol, drejtohet nga z.Endri Puka, ai më parë ka punuar si administrator i disa kompanive private të z. Koço Kokëdhima, sot Puka punon i qetë nën garancitë politike të z. Kokëdhima.

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri edhe pse ka qenë i informuar në kohë mbi detajet e këtyre shitjeve, nuk ndërrmarë asnjë masë parandaluese, por përkundrazi, ai ka neglizhuar dhe disa informacione denoncuese që kanë ardhur pranë tij mbi këto shitje në vitin 2014. / HashtagAL

 

Loading...

Lini nje pergjigje