Rama bën një gjysmë prapakthehu: Do vendosë Kongresi nëse do ketë zgjedhje për kreun e PS

0

blerinaEdhe pse kishte shprehur një qëndrim të qartë se nuk do ketë zgjedhje për kryetarin por vetëm rikonfirmim mandati, duket se kritikat e vazhdueshme të Ben Blushit për shkeljen e statuti kanë ndikuar sadopak për ti hapur mundësi garës së brendshme në PS. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, deputetja socialiste Blerina Gjylameti tha se do të jetë Kongresi i partisë që do të vendose nëse do të ketë apo jo zgjedhje për postin e kryetarit. “Edhe pse shumica dërrmuese ishte e mendimit se duhet të adoptojmë modelin e Partisë Laburiste, ku kryeministri apo kryetari i mandatuar të mos vihet në peshë, vendosi që t’ia kalojë Kongresit këtë vendimmarrje që të vendosë për Kryetarin e PS-së. Meqenëse kemi deputetë që thonë se prioritet është zgjedhja e Kryetarit të Partisë dhe jo mirëqeverisja, atëherë do jetë po Kongresi që do të vendosë”, deklaroi Gjylameti. Deklarata e deputetes socialiste erdhi pak pasi deputeti Ben Blushi foli për një dosje ku kishte renditur të gjitha shkeljet e statutit të partisë nga kryesocialisti Rama.