Publikohet ligji i pronave, gati dërgimi në Kushtetuese

0

tt– Rreth 75 për qind e pronarëve presin kompensime që nuk i kanë marrë asnjëherë deri sot. Ligji i ri hyn në fuqi nga 23 shkurti 2016
Ervin Kaduku
Ditën e djeshme është publikuar në Fletoren Zyrtare ligji i ri i pronave, sipas të cilit ndryshon mënyra dhe sasia e shpërblimit financiar të ish-pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist. Kjo do të thotë që, pas 15 ditësh, konkretisht më datë 23 shkurt 2016, ky ligj do të hyjë në fuqi, duke lënë dorë të lirë për qeverinë që të shkelë mbi gjithë praktikën e ndjekur deri tani nga administratat shtetërore të njëpasnjëshme, duke ulur jashtëzakonisht kompensimin për tokat e konfiskuara duke filluar nga viti 1945. Shtysa kryesore për të rishikuar tërësisht gjendjen e pronave në Shqipëri erdhi nga Gjykata Europiane për të drejtat e njeriut, ku shumë pronarë shqiptarë po fitonin gjyqet me shtetin e tyre. Bashkimi Europian i ka vënë pronat në qendër të detyrave të Shqipërisë për integrim të mëtejshëm. Qëllimi i reformës është të ulë në minimum padrejtësitë e bëra në kohë të ndryshme me pronën. Por, nuk mund të thuhet se formula e re zgjidh problemet shumëvjeçare, përkundrazi.
Pronarët
Ndërkohë, mësohet se pronarët kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për pronat. Përfaqësuesi i një prej shoqatave të pronarëve thotë se ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi i heq të drejtën e kthimit të pronës pronarëve. Axhem Ymeri thotë se “ai ligj është kontestuar fort nga i gjithë bashkimi i pronarëve shqiptarë, në mënyrë të veçantë nga shoqata ‘Krahina Jonë’ e Gjirit të Vlorës. Ai ligj bie në kundërshtim me interesat e pronarëve dhe mohon totalisht kthimin e pronës”. Ligji i ri parashikon trajtimin financiar për pronarët. Ky është elementi i dytë që shoqata kundërshton, pasi vlera nuk llogaritet me çmimin e tregut. Pronarët pretendojnë kthim të pronës aty ku është e mundur. Në rast të kundërt, kompensimi financiar me vlerën aktuale të tregut. “Të gjithë ato dosje atje të depozitua do të vlerësohen me kompensim financiar. Çmimi i vlerësimit është katastrofik në raport 1 me 200 krahasuar me të kaluarën, sepse ligji i ri i referohet zërit kadastral të pronave të vitit 1945, që i përket kohës kur janë sekuestruar pronat”. Me kërkesën e mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, Shoqata e Pronarëve kërkon të shfuqizohet ligji nr. 133, datë 05.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Axhem Ymeri, kryetar i kësaj shoqate, thekson se ligji bie në kundërshtim edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Pse kundërshtojnë pronarët
Sipas pronarëve, me zbatimin e këtij ligji ekziston rreziku i pasojave të pariparueshme për të drejtat dhe liritë themelore të pronarëve të ligjshëm, duke shkaktuar një dëm të pallogaritshëm. Sipas tyre, ekziston njëkohësisht rreziku i tjetërsimit të pronave përmes ankandeve të pasqyruara me këtë ligj. Duke pretenduar se prona duhet të shkojë tek i zoti dhe jo tek “më i zoti”. Sipas përfaqësuesit juridik të shoqatës, në argumentet e tyre theksojnë se parimi i shtetit të së drejtës, i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, është një nga parimet themelore dhe aspekte të tij janë edhe siguria juridike dhe mbrojtja e të drejtave të fituara e pritshmërive të ligjshme. Pikërisht këtu, sipas tyre, cenohet e drejta e tyre.
Për pronarët, ligji nuk jep garanci dhe krijon ambient pasigurie për një masë të madhe pronarësh, pasi nuk ofron zgjidhje përfundimtare. Pronarët pretendojnë se skema e ofruar në ligjin për pronat, bie ndesh edhe me disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Presidenti
Më parë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vendosi të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ndërsa Parlamenti e votoi për herë të dytë atë, pasi ai e ktheu për rishqyrtim. Presidenca pati njoftuar se z. Nishani e ktheu ligjin në Parlament me shpresën për një debat më serioz, profesional dhe të kujdesshëm rreth tij. Sipas Presidentit Nishani, “ky ligj cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut, si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ai theksoi se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe ndikon drejtpërdrejt në përparimin e vendit, ndaj është përcaktuar si një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Qeveria shqiptare u angazhua për të trajtuar çështjen e pronarëve, me synimin për t’i eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike. Ky ishte argumenti i prezantuar në komisionet parlamentare gjatë diskutimit të ligjit. Përfaqësuesit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave theksuan se ligji sjell barazi të të gjithë pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë. Problemet e pronësisë vijojnë t’i krijojnë një faturë të majme buxhetit të shtetit. Pronarët e kanë hedhur shpesh në gjyq qeverinë shqiptare në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe në të shumtën e rasteve kanë fituar.
Opozita
Përfaqësuesja e Partisë Demokratike të opozitës, Jorida Tabaku, deklaroi që kur akti ishte ende në project se projekt-ligji i qeverisë synon ta kthejë gjendjen e pronave në vitin 1976, pra 40 vjet prapa dhe se ky është projektligji më i ashpër kundër pronarëve. Projekt/ligji parashikon rivlerësimin e pronave dhe dokumentave që pretendohen, si dhe ngritjen e një institucioni që kryejë kompensimet sipas vlerave aktuale, nëse kthimi fizik i pronës nuk është i mundur, tha ajo. Opozita votoi kundër gjatë procesit të diskutimit të ligjit, i cili, megjithëse u kthye për rishikim nga presidenti i Republikës, gjithsesi u la në fuqi vetëm me votat e mazhorancës.