Standard.al

Kërkesa për azil /Gjermani, bie numri i azilkërkuesve shqiptarë

azilantat-587x396Muaji i parë i 2016-ës konfirmoi atë tendencën në rënie të kërkesave për azil nga shqiptarët në Gjermani. Në Janar, autoriteteve gjermane iu parashtruan 1308 kërkesa nga shtetasit shqiptarë 493 më pak se muaji dhjetor. Shqiptarët renditen të pestët, në listën me dhjetë vendet e origjinës, me kërkesa më të larta për azil në Gjermani. Nga kjo listë është zhdukur Kosova, ku rezulton se kërkesat për azil janë të papërfillshme. Nga Ballkani Perëndimor veç Shqipërisë, figuron edhe Serbia me 910 kërkesa për Janarin. Gjithësesi fushata e ashpër e ndërmarrë nga Berlini për të ndalur fluksin e azilkërkuesve nga Ballkani perëndimor, duke i shpallur shtetet e rajonit si vende të sigurta origjine, ka qenë rezultative në qëllimin e saj. Një tjetër faktor është edhe frika nga përballja me sanksione të ashpra, që arrijnë deri në pezullimin afatgjatë të hyrjes në hapësirën Shengen. Pak ditë më parë revista gjermane der Spiegel bëri të ditur se është pikërisht kjo masë që ka ndikuar në kthimin në masë të azilkërkuesve shqiptarë që ndodhen aktualisht në territorin gjerman, por që nuk kanë asnjë gjasë të përfitojnë azil. Pavarësisht motiveve ekonomike, që nuk përbëjnë arsye për të kërkuar azil në Gjermani, shqiptarët mbajtën vendin e dytë për vitin 2015. me 54 762 kërkesa. Ndërsa sirianët, ardhur nga vendet e konflikteve të përgjakshme dhe pa asnjë shpresë qetësimi të tensioneve, figurojnë edhe për janarin, të parët në listën e azilantëve, me mbi 27 mijë kërkesa, më shumë se gjysma e numrit total për janarin. Sipas zyrtarëve në Berlin mbi 52 mijë është numri total i azilkërkuesve për muajin e parë të 2016-ës, një shifër e lartë që tregon një rritje me 108% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Comments are closed.