Standard.al

Prokuroria: Krimet e 2015-ës, trefish më shumë se në 2014-ën

proPër vitin 2015, veprat që kanë qenë më shqetësuese dhe që kanë njohur rritje, për Prokurorinë e Tiranës janë ato kundër pronës dhe kundër personit.
Gjatë analizës me dyer të mbyllura, prokurorët evidentuan se kanë njohur rritje të veprave që lidhen me pronën, ato kundër autoritetit të shtetit dhe kundër personit.

Krimet që kanë kryesuar, sipas organit të akuzës janë vjedhja e energjisë elektrike, ndërtimi i paligjshëm, korrupsioni aktiv dhe shpërdorimi i detyrës. Në lidhje me veprat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, organi i akuzës thotë se ka kërkuar “arrest me burg” në 76 raste në gjykatë.

Më të rëndësishmet prej tyre, ajo e mashtrimin për rimbursimin e ilaçeve, dosja e Rezart Taçit për mospagim të taksave në shumën e 900 milionë lekëve, dosja e INUV me 27 inspektorë të marrë të pandehur – për 531 raste të ndërtimeve pa leje, – dosja e Kastriot Ismailajt dhe dosja “Becchetti”.

Prokuroria shprehet se, oficerët e Policisë Gjyqësore vijojnë të jenë shqetësim edhe për organin e akuzës së Tiranës, për të cilët, ashtu si në takimin mes prokurorit të Përgjithshëm dhe 4 ministrave, u kërkua që të jenë më aktivë në fazën e verifikimit të materialeve kallëzuese. Kjo, pasi puna e ngadaltë e oficerëve të Policisë Gjyqësore është bërë shkak, sipas prokurorëve, që dosjet të zvarriten.

Gjatë 2015-s, në Prokurorinë e Tiranës u regjistrua një fluks prej 17 mijë kallëzimesh. Prokrurorët shprehen se, përgjatë një viti, gjykatat në Tiranë kanë shpallur 137 vendime pafajësie, një rritje e ndjeshme, gati trefish më shumë me 2014-n.

Prokurorët janë shprehur se, këto pafajësi të dhëna nuk kanë qenë të bazuara në prova dhe ligj, pasi ata këmbëngulin se kanë pasur provat e mjaftueshme për të marrë vendime fajësie. Prokuroria ka ngritur shqetësimin për mjaft urdhra të gjykatës për asgjësim prove, të cilat nuk konfirmohen zyrtarisht.

Comments are closed.