Partia Demokratike përfundon hartimin e 4 platformave për përmirësimin e jetës së shqiptarëve

0
196

pd-3-300x200 Partia Demokratike njoftoi të dielën se ka përfunduar hartimin e 4 platformave të programit të saj. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet, PD thotë se në krye të prioriteteve të platformave janë zhvillimi, punësimi, përmirësimi i jetës, ulja e taksave dhe thjeshtimi i procedurave. Po ashtu, janë prezantuar edhe platformat në fushën e sigurisë kombëtare dhe kulturës.

Sipas njoftimit, departamentet e Sigurisë Kombëtare, Financave Publike, Punësimit dhe Çështjet Sociale, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë zhvilluar diskutimet dhe konsultimet me anëtarët e departamenteve, deputetët  dhe ekspertët e fushës. Më pas do të vijohet me procesin e tryezave publike mbi programin e PD.

“Departamenti i Financave Publike, gjatë prezantimit të programit u përqendrua në uljen e taksave me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit në Tatim-Dogana. Vendosja e taksës së sheshtë në nivelin 9% mbi të ardhurat dhe kontributet, ulja e normës së TVSH në nivelin 15%, eliminim i taksave të fshehta apo tarifave administrative paralele siç janë taksat mbi karburantet dhe ambientin dhe lehtësim të procedurave, parashikon platforma fiskale e demokratëve. Një prej drejtimeve kryesore të programit është reforma për zhvillimin e biznesit përmes politikave të reja të kreditimit të ekonomisë dhe transparencës on line të procedurave tatimore, doganore, etj”, bën të ditur PD.

Departamenti i Punësimit dhe Çështjet Sociale, sipas njoftimit të PD-së, u fokusua tek programi i punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës, nëpërmjet rritjes së pagës minimale dhe rritjen e masës së ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë. Orientimet e programit të PD për këta sektorë, bëhet e ditur se mbështeten dhe në korrigjimin e skemës së kontributeve, duke eliminuar rritjen abuzive të kontributeve për profesionistët e lirë, ngritjen e skemave efiçente për shërbimet sociale për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar.

Ndërsa sipas PD-së, departamenti i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve diskutoi programin me ekspertë dhe artistë të njohur, duke u përqendruar në fuqizimin e institucioneve të artit dhe kulturës, rivitalizimin e monumenteve të trashëgimisë, ngritja e strukturave përgjegjëse për të drejtën e autorit, programet për rininë dhe hartimin e një strategjie me standarde evropiane për fuqizimin e saj, si dhe promovimin e sportit në të gjitha zhanret.

Platforma e sigurisë kombëtare, thotë PD, synon ti rikthejë Forcave të Armatosura statusin dhe misionin e tyre, sipas standardeve të Aleancës së Atlantikut, reformave të lëna pas dore dhe të kapura nga interesat klanore gjatë këtyre viteve të qeverisë së majtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency