2016, burimi i pashtershëm për lajm në mediat ndërkombëtare, është Shqipëria

0
161

 mehmetiNga Dr. Ndriçim Mehmeti

Fillimi i vitit 2016 ka sjellë një bum lajmesh, reportazhesh, shkrimesh e kronikash të mediave më prestigjioze në Evropë e në botë, në qendër të së cilave është Shqipëria. “Shqipëria vendi i parajsës për pensionistët italian, Shqipëria, parajsa e kanabisit për ISIS, shqiptarët po rekrutohen nga ISIS, 10 vendet në të bukura të Shqipërisë, femrat shqiptare te bukura si mbretëresha e të ëmbla si trileçja, ish-Sekretar i NATO-s me origjinë nga Shqipëria e Greqia”.

A ka në këtë mes, thjesht një interes mediatik, për vendin më të harruar dhe më të përbuzur të Evropës, ndër dekada?

Nëse do ta shihnim në këtë këndvështrim, Shqipëria, vendi i Skënderbeut, Kadaresë, Nënë Terezës e shumë e shumë figurave të tjera, nuk do të njollosej, me  të padrejtë si vendi, nga ku do t’i vijë e keqja Evropës. Edhe nëse do ta shikonim si parajsën, ku duhet të marrin shembull të gjithë, përsëri do të ishte naive ta mendoje. Dikur vendi ynë njollosej e damkosej si vendi i prostitutave, kriminelëve të vegjël në rrugë që të rrjepin gjithçka ke me vete. Tani është ngritur steka e përbaltjes deri aty, sa Shqipëria të quhet një bazë e sigurt e ISIS. Mediat italiane shkojnë edhe më tutje, duke e vënë gishtin e rrezikut drejt fqinjit të saj “që aq shumë e duan”, sipas të gjitha deklarimeve të dyanshme, politikanëve shqiptar dhe atyre italian. Faktet e dhëna, të marra si të pakundërshtueshme, i atribuohen, “burimeve të sigurta”: Politikanëve maqedonas, ish-shefave të sigurisë së Maqedonisë, shërbimit sekret rus, de facto shërbimit sekret serb, e ndonjë të dhëne të shërbimeve italiane. Duke parë këtë përzierje të çuditshme të informacioneve, natyrisht krejt “rastësore”, lind pyetja: A është thjesht një interes mediatik për vendin e gjithë kjo fushatë? Natyrisht që jo. Ka një përpjekje të dukshme, që Shqipëria të klasifikohet si një vend, mysliman, me tendenca radikale, larg rrugës evropian e madje një kërcënim për Bashkimin Evropian e më gjerë. Pas berihait të mediave të huaja, shkuan edhe mediat vendase, të cilat, pasqyruan një lajm, pa i dhënë shumë mundësi institucioneve të flasin. Lazarati u kthye në vëmendjen e mediave ndërkombëtare si bazë stërvitje e ISIS dhe furnizuese e kanabisit, prej fshatit të damkosur drejt Londrës. Një linjë e re ndërkombëtare, e rrugëtimit të kanabisit prej Lazaratit në Londër, u quajt fakt i kryer prej “Daily Mirror”. Po sesi ndodh kjo, vështirë ta kuptoj njeri

A mund të merren faktet e supozuar si të vërteta?

Një reportazh i paradokohshëm i një televizioni italian, i cili, kishte në qendër qytetin e Rrogozhinës, e bëri lesh arapi, historinë e vendit tënd, përqindjet e religjioneve fetare, ngatërroj lumenjtë e veriut me të jugut, shkurt hesapi, një abuzim i pastër gazetaresk. Pastaj reportazhi i dytë na flet për rrezikun e ISIS, pastaj vjen një reportazh tjetër, që flet për Shqipërinë si vendin e ëndrrave për pensionistët italian. Reportazhe të tjera flasin, për biznesin italian të call center dhe spitalet po ashtu, lanë gjetur tregun e duhur në vendin tonë. Me këtë bombardim mediatik, një gjë nuk është fort e qartë: Shqipëria është parajsë fiskale, jetese, studimi apo vendi nga ku priten të zbarkoj ISIS në dyert e Italisë dhe mbarë Evropës Perëndimore? A është Shqipëria vendi i kalorësit të krishterimit, model i tolerancës fetare, apo vendi ku xhihadistëve, që armatosen, stërviten, rekrutojnë, njerëzit e duhur për pushtimin e Evropës? Nëse kjo përrallë e njerëzve që nuk e njohin Shqipërinë në rastin më të mirë dhe në rastin më optimal, kanë marrë shumat e duhura për të nxirë, Shqipërinë, do të kishte një grimë të vërtete brenda, kjo do të thitë, se të gjitha strukturat e shtetit dhe ato të vendeve mike, kanë fjet gjumë për vite e vite me radhë. Nuk mund të besohet se në një vend, anëtar të NATO-s, të ketë kaq fushë të lirë veprimi të terrorizmit. Aq më tepër që kjo përrallë është shumë e njohur për shqiptarët. Vite më parë, dalja në skenë e UÇK-së në Kosovë, ju atribuua, pikërisht luftëtarëve xhihadistë të Pakistanit. Pak vite më vonë, vrasja e një grupi shqiptarësh civil prej policisë maqedonase, u justifikua me faktin se ishin xhihadistë. Dy vite më parë, [Parlamenti Evropian, miratoi një rezolutë, ku njihte meritat e heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në ruajtjen e vlerave të krishtërimit dhe të qytetërimit evropian. Pas dy vjetëve, vendi ynë behet shtrati i sigurt i radikalizmit fetar.

Kujt i intereson që shqiptarët, të damkosen si problemi i Evropës?

Ka shumë të tillë. Prej fqinjëve të afërt e të largët e deri tek një kategori shqiptarë në Shqipëri dhe më gjerë. Ka shumë vende, që janë të paduruar, për ta t’i radhitur shqiptarë, në racën, shoqërinë, që nuk bën dot shtet, që janë të lidhur me obskurantizmin, nuk ja kanë haberin Evropës. Është riaktivizuar ideja e një Turqie të vogël në Ballkan, të një shoqërie me mentalitet mesjetar, të pagdhendur e të pakulturuar. Në këtë rast, të huajt, të painformuar, dashakeq, gazetarë të paguar ose jo, ndihmohen fuqishëm nga brenda vendit. Tendenca për t’i paraqitur shqiptarët, si njerëz që pështyjnë e shurrojnë kudo e ngado, që nuk dinë të fshijnë as hundët, administratorë të zgjedhur vetë me kujdes e që më pas i anatemojnë si turkoshak, lëkundjet e politikës së jashtme njëherë nga Lindja e njëherë nga perëndimi, pas asnjë lloj orientimi e boshti, ndihmojnë shumë në këtë aspekt. Ka padyshim edhe shkrimtar – politikanë e politikan-shkrimtar, “intelektual të pavarur”, opinionist, që në librat e tyre nuk lënë pa përmendur faktin se “Turqia na la mbrapa, myslimanizmi, po godet shpirtin e krishterë të shqiptarëve” e deri tek thirrjet për kthim në identitet, të bëhemi të gjithë të krishterë, si në mesjetën e hershme. Nëse bëhemi “katolik se Papa”, më evropian se vetë evropianët, nëse nuk respektojmë ndryshueshmërinë mes nesh dhe të tjerëve e nëse në fund të fund të fundit nuk respektojmë veten, vështirë se na respektojnë të tjerët.

Janë të njohura prej shekujsh, grupime politike, biznesesh, njerëz të “elitës kulturore evropiane”, që nuk e njohin qytetërimin shqiptar, rolin e Shqipërisë, si një vend paqësor, nuk duan përparimin ekonomik të vendit tonë në dëm të interesave të tyre. Po ashtu këto grupime me shumë kërshëri, ndjekin, përgëzojnë dhe mbështesin financiarisht, çdo përpjekje të shqiptarëve për përparim. Nëse do të ishte krejt ndryshe, të mendonin se nuk ka njerëz, të cilët nuk janë të interesuar për destabilitetin e Shqipërisë, atëherë ose jemi shumë naiv, ose besojmë në atë që nuk ekziston: Botën e idealizmit apo se të mëdhenjtë, ndihmojnë gjithnjë të vegjlit dhe nuk duan t’i hanë apo më keq t’i zhdukin. Porse nga ana tjetër duhet të pranojmë po aq se përpara se të tjerët të na bëjnë gropën, vendin e zgjedhim vetë, madje fillimisht kazmën e parë e hedhim po vetë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet, që Shqipëria shteti 104 vjeçar, është më shumë objekt i përbuzjes, modelit të keq në Evropë, sesa shteti që mbush 8-vjeç që është Kosova.

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë zë vend shprehja e Konicës se “armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët”. Sa më shumë dëgjojmë lajme të tilla, aq më shumë vlen shprehja, “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”. Përkundër të gjitha këtyre sulmeve, shqiptarët përsëri, mbeten pro-evropian, politikanët, i përulen me respekt edhe zyrtarit më të rëndomtë, mjafton që vjen nga Brukseli, Uashingtoni apo Londra. Kur flasin keq, shajnë e linçojnë shqiptarët, në gazeta të huaja, ka një përgjigje, shumë të lëmuar: “Kemi respekt për gazetën, por gazetari duhet të jetë i painformuar”.

E kam të vështirë të besoj se ende sot ne jemi “parajsa mbi tokë për t’u zbuluar”, “plazhet e virgjëra, që s’i ka askush etj”.  Nëse jemi kështu, duhet të pyesim veten e po aq të trokasim me forcë në dyert e Evropës e të pyesim: A jemi vendi i parajsës, apo i maskarallëkut, terrorit ndërkombëtar etj., etj.?

Këtë përgjigje, duhet ta kishim marrë me kohë, nëse do të kishim interes për të vërtetën dhe një grimë dinjitet për veten.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency