Standard.al

Skena e re pensioneve/ ISSH: Deklarimi i të ardhurave i detyrueshëm, ja përfituesit e pensionit social

Pensioni socialPersonat që kanë mbushur 70 vjeç dhe nuk kanë 15 vite punë për të përfituar pension të zakonshëm, do të përfitojnë pension social në masën e 6700 lekë në muaj.

Sejrie Baleta

Skena e re e pensioneve përfshin dhe pensionin social. Ky është një risi për sa i përket kësaj skeme dhe për përfitimin e tij ndiqen një sërë proçedurash. Autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore thonë se kusht është që një person të ketë mbushur 70 vjeç dhe nuk ka 15 vite pune për të përfituar një pension të zakonshëm. Gjithashtu në çdo fillim vit, të moshuarit duhet të paraqiten në zyrat rajonale të ISSH për të bërë deklarim e të ardhurave të tyre. Personat që kanë mbushur 70 vjeç dhe nuk kanë 15 vite punë për të përfituar pension të zakonshëm, do të përfitojnë pension social në masën e 6700 lekë në muaj. Kusht është që këta të moshuar të mos kenë të ardhura të tjera në emër të tyre, kryesisht të ardhura nga aktivitetet ekonomike. Solida Dibra, Drejtore përfitimeve në ISSH sqaron se: Nëse Nuk i kanë 15 vite punë ose nuk kanë kushtet për asnjë nga llojet e pensioneve që parashikohen nga skema e detyrueshme, nuk kanë të ardhura ose të ardhurat e tyre janë më të ulëta sesa masa e një pensioni social që për momentin është 6750 lekë, kanë të drejtë ta marrin këtë pension. Ndërkohë kemi në skemë, vitin e kaluar janë futur mbi 1800 persona për përfitimin e pensionit social. Ajo u kërkon të moshuarve të paraqiten pranë Agjensive Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të rideklaruar gjendja apo të ardhurat  e tyre. Çdo fillim viti do të rishikohen për faktin se personat duhet të paraqiten në të gjitha Agjencitë e sigurimeve shoqërore thjesht për të deklaruar sesi i kanë të ardhurat e tyre dhe nuk kanë për të paraqitur asnjë lloj dokumentacioni. Personi do të paraqitet në Agjenci thjesht për të bërë një deklarim që unë kam të njëjtën gjëndje financiare siç e kisha një vit më përpara. Pensioni social është risi e skemës së re të pensioneve për tu ardhur në ndihmë të moshuarve që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. 1800 është numri i përfituesve dhe këtë shumë mujore të përafërt me atë të ndihmës ekonomike. Pensionin social mund të përfitojnë dhe ata që kanë tokë bujqësore.

FMN: Kujdes me mënyrën si trajtoni pensionet!

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij të fundit për transparencën fiskale, i rekomandion qeverisë që të jetë më e kujdeshme për mënyrën sesi parashikon risqet e politikave të ndryshme dhe një prej tyre është edhe ajo lidhur me pensionet. Konkretisht, fondi vlerëson se skema e re e pensioneve u miratua me një dokument të njohur si “Dokumenti për Politikat e Pensioneve” e prillit të 2014. Pas kësaj, asnjë dokument shtesë që të analizojë risqet dhe të bëjë parashikimet në bazë të zhvillimeve konkrete nuk është hartuar. “Nuk ka parashikime afatgjata fiskale të publikuara. I vetmi raport i këtij lloji është vetëm me një publikim për pesnionet që nuk parashikonte borxhin apo defiçitin total të qeverisë. Risqet afatgjata janë gjithsesi të rëndësishme. Edhe pse Shqipëria ka një popullsi me moshë të re krahasur me shumë vende europiane, popullsia e saj po ulet për shkak të emigrimit dhe rënies së nivelit të lindjeve, kështu që numri i atyre që janë aktivë në punë po bie”, thuhet në raportin e FMN. E sikur të mos mjaftonte kjo, sipas FMN detajimi për skemën e pensioneve duhet të bëhet edhe për skemën suplementare. “Qeveria paguan zyrtarë të lartë, policinë dhe ushtrinë pjesërisht duke ju premtuar atyre pension kur ata të mbushin moshën. Por kostot ekonomike të këtyre premtimeve nuk shfaqen askund në defiçitin e raportuar të qeverisë. Buxheti nuk përfshin ndonjë pagesë për ata që kanë dalë në pension por për faktin se skema e pensioneve për të punësuarit në qeveri është e re dhe pagesat aktuale mund të jenë shumë më pak, sesa rritja e borxhit apo detyrimit të qeverisë për ata që do dalin në pension në të ardhmen. Detyrimi i qeverisë për pensionin mbetet ende i pazbuluar dhe vlerësohet të jetë rreth 1.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, vlerëson FMN.

Comments are closed.