Zbardhen faktet/ Crown Agents letër Ramës: Ja korrupsioni në Dogana

0
116

albanian-revenue-teamKompania, e cila jep asistencën për qeverinë shqiptare, “Crown Agents” denoncon korrupsionin në radhët e doganave dhe kontrabandën, si shkakun kryesor në rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Në një raport të gjatë të nisur në Kryeministri dhe në Ministrinë e Financave, në 17 shkurt të 2015­ës, “Crown Agents” kundërshton akuzat për paaftësi në përmbushjen e kontratës që ka me qeverinë, për mosrealizimin e të ardhurave në buxhet.

 

Britanikët nuk kursejnë që të denoncojnë raste të korrupsionit sistematik, por edhe pengesat që ata kanë hasur shpesh gjatë punës së tyre kur kanë ushtruar kontrolle në terren.

Arsyet se përse nuk është realizuar plani:

Qëndresa që kanë dëshmuar disa punonjës të doganës për të kryer kontrollet në mënyrën e duhur dhe në veçanti mungesa e vullnetit për të vendosur penalitetet e duhura për rastet e shkeljeve të regjimeve doganore

Niveli dhe kompleksiteti i korrupsionit të organizuar e sistematik në dogana, i krijuar në mënyrë të qëllimtë për të mbështetur mashtrimin me të ardhurat

Mungesë bashkëpunimi nga ana e një numri Degësh Doganore, Kryetarësh të Degëve Doganore si dhe juristësh e të tjerëve nëpërmjet dëshmimit të mungesës së njohurive, paaftësisë e, në disa raste, edhe pengim të qëllimshëm

Mungesë e të dhënave të kompjuterizuara, përfshirë mungesën e një sistemi për regjistrimin e rasteve të zbuluara, veprimeve kriminale dhe informacionit të përpunuar kriminal

Britanikët shprehen se janë penguar të bëjnë punën e tyre nga drejtoritë e doganave, ku në rastin më të mirë thonë ata, kjo ka qenë një paaftësi.

“Gjatë pesë muajve të parë të Programit, “Crown Agents”, ka hasur pengesa të konsiderueshme dhe mosmarrëveshje në të gjitha fushat me stafin e doganave nëpër rrethe, dhe, në të gjitha rastet, vlerësimi nga ana e doganës ishte me e ulët se vlerësimi i kryer nga ekspertët e “Crown Agents”.

Situata në lidhje me këtë çështje, tashmë është përmirësuar ndjeshëm, megjithëse, kufizimet dhe pengesat lidhur me shpërndarjen operacionale efektive të skuadrave tona mbetet një çështje shqetësuese”, thuhet në raport.

Por kjo gjë ka sjellë një ulje të të ardhurave në vlerën 12.37 milion euro plus 5.68 milionëve të tjerë si pasojë e mosvjeljes së gjobave.

“Ne vlerësojmë se vlera totale e identifikuar në lidhje me humbjen e mundshme të të ardhurave nga tetë skuadrat operative është 12.37 milion EURO gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu, ne vlerësojmë se të ardhurat totale shtesë referuar gjobave, si rezultat i punës së skuadrave operative, nëse do të ishin vjelur në mënyrë korrekte, kapin shifrën e 5.68 milion EURO”, thotë raporti.

E kontaktuar nga Vizion Plus, Ministria e Financave thotë se nuk mund të reagojë ndaj një raporti që ka një kompani, e cila paguhet për ta këshilluar atë.

Por mosrealizimi i planit nga doganat ka sjellë kohët e fundit një reagim të ashpër nga vetë kryeministri, i cili ka shkarkuar 3 nëndrejtorë të saj përpara një muaji.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency