T’i japësh formë mjedisit të punësimit

0
120

 

joansËshtë e qartë se bota është në ndryshim të shpejtë dhe të vazhdueshëm, por kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk mund ta menaxhojnë sfidën e madhe që kanë përpara duke nxjerrë përfitime prej saj.

 

Nga  Jonas Prising*

 

Teksa ekonomia globale ndryshon me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë, tregu i punës në shumë shtete jo thjesht po lufton për të mbajtur ritmin, por gjithashtu duket se është thyer në shumë mënyra të rëndësishme. Papunësia e lartë bashkëjeton me vendet e paplotësuara. Produktiviteti në rritje dështon të përkthehet në paga më të larta. Dhe për shumë, mobiliteti i lartë është tej mundësisë, edhe pse ekonomia ka filluar ta marrë veten.

Për fat të mirë, ndryshimi duket se është rrugës. Katër trende globale po riformësojnë botën e punës, duke ndihmuar në zgjidhjen e kontradiktave dhe tejkalimin e mosfunksionimit në tregjet e punës teksa kompanitë, punëtorët dhe qeveritë përshtaten ndaj një mjedisi të ri demografik, teknologjik dhe ekonomik.

Trendi i parë është demografik. Në shumicën e botës, shoqëritë në plakje dhe normat në rënie të lindjes nënkuptojnë që ditët e tregut të pasur po vijnë drejt fundit. Rreth 60 për qind e popullatës së botës jeton në vende me një forcë punëtore të mbetur në vend ose në tkurrje. Popullata e Kinës në moshë pune e arriti pikun në vitin 2010; deri në 2050 më shumë se një e katërta e njerëzve do të jetë mbi 65 vjeç (sot vetëm 8 për qind). Në Gjermani, forca e punës është projektuar të tkurret me gjashtë milionë në 15 vitet e ardhshme.

Teksa tregu i punës bëhet gjithnjë e më i pamjaftueshëm, punëdhënësit dhe politikëbërësit po detyrohen të fillojnë të mendojnë ndryshe rreth ndihmës për talentet. Në Japoni, ku një e katërta e popullsisë është më e moshuar se 65 vjeç, kryeministri Shinzo Abe ka mbrojtur një përpjekje madhore për të sjellë më shumë gra dhe punonjës të vjetër në tregun e punës. Si rezultat, edhe teksa popullata në plakje e Japonisë, është tkurrur me 8 për qind gjatë dekadës së shkuar, forca punëtore ra në total me vetëm 1 për qind.

Gjetkë, strategji të tjera për të mbushur hendekun e punës po shfaqen. Kompanitë e hapësirës ajrore, përballur me plakje të forcave punëtore, janë bërë pioniere e orëve freksibël të punës, daljes në pension me faza, “karrierave të rikthyera” dhe një shumëllojshmërie programesh të transferimit të dijeve për të stërvitur gjeneratën e ardhshme të punonjësve. Kompanitë që nuk mund të gjejnë talentin për të cilin kanë nevojë në një vend po përdorin vendet e largëta për të punësuar njerëz në vende të tjera. Dhe firmat po bëjnë përpjekje për të tërhequr grupe të prezantuara pak, përfshirë gratë, të rinjtë, minoritetet, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe migrantët.

Njëkohësisht, një tjetër trend, rritja e zgjedhjes individuale, po ofron punonjës me fleksibilitet të paprecedent. Me miliona vende pune vetëm një klikim larg, është më e lehtë të kërkosh punë; shumica e të lindurve pas viteve 90 pritet të ndryshojnë kursin disa herë gjatë karrierave të tyre. Në vend të përpjekjes për të qëndruar në një punë gjithë jetën, synimi sot është të mbetesh i punësueshëm – të zhvillohen aftësitë, eksperienca dhe ekspertiza e nevojshme për të ecur përpara pavarësisht punëdhënësit.

Si rezultat, pagat dhe punësimi po bëhen gjithnjë e më shumë të diktuara nga aftësitë në vend të qëndrueshmërisë. Ata me talente moderne kanë më shumë fuqi për të bërë negociata, pasi janë më të aftë të menaxhojnë karrierat e tyre dhe marrin rroga më të larta. Ata që nuk kanë aftësi që kërkohen luftojnë dhe ndihen të padobishëm.

Deri më tani, kjo mungesë e zgjedhjes ka dekurajuar kompanitë për të mos shpenzuar burime në trajnimin e punonjësve, që mund të vendosin më vonë të bashkohen me një konkurrent. Megjithatë, teksa mungesa e talentit përvijohet, nevoja për të mbajtur punonjësit mund ta kthejë peshoren drejt investimit të zhvillimit profesional. Punëdhënësit që ofrojnë mundësi për të mësuar do të bëhen një destinacion për talentin.

Trendi i tretë që riformëson tregjet e punës janë ndryshimet e shpejta teknologjike. Pak industri janë të sigurta nga përçarja. Automatizimi, i lehtësuar edhe më shumë nga inteligjenca artificiale, mendohet të ketë një ndikim madhor mbi punët. Mbi 47 për qind e punëve që ekzistonin në SHBA në vitin 2010 kanë gjasa të kompjuterizohen në dy dekadat e ardhshme. Industritë dhe mundësitë e reja do të zëvendësojnë vendet e humbura të punës, megjithatë tranzicioni do të jetë i dhimbshëm dhe mund të zgjasë për dekada.

Gjithsesi ka një arsye për optimizëm. Edhe teksa teknologjia eklipson industri, lehtëson shfaqjen e modeleve të reja që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problemeve të tregut të punës. PricewaterhouseCoopers vlerëson se pesë sektorët kryesor të ekonomisë së përbashkët – financimi privat, stafi online, akomodimi privat, makinat e ndara mes njerëzve dhe transmetimi i videove muzikore – mund të rritet nga 15 miliardë dollarë të ardhura sot në 335 miliardë dollarë në 2025. Industria është e vogël. Por i ka dhënë jetë një kreativiteti të përqendruar mbi pyetjen bazë si të rregullohet më mirë oferta dhe kërkesa në tregun e punës së botës që ka ritëm gjithnjë e më të shpejtë.

Një trend i katërt global i dukshëm në tregun e punës sot është përqafimi i shpejtë i qasjeve të  bazuara të të dhënat nga punonjësit e sofistikuar teknologjikisht ndaj burimeve njerëzore. Menaxhimi i talenteve ka shkuar nga të qenët një art në një shkencë, teksa organizatat kanë aplikuar të dhënat dhe teknikat e zinxhirit të furnizimit për të rekrutuar dhe mbajtur punonjësit. Me shtimin e të ashtuquajturve analizave të njerëzve, kompanitë i njohin më mirë  se kurrë punonjësit e tyre. Është më e lehtë të shohësh ku ndodhet talenti më i mirë brenda një kompanie dhe ku mund të jenë të metat.

Kompanitë po përdorin këto të dhëna për të menduar më strategjikisht rreth ndihmës ndaj talentit. Për shembull, duke marrë parasysh vështirësinë e qëndrimit në të njëjtin hap me ndryshimin në teknologji, firmat po ia kalojnë menaxhimin e teknologjisë së informacionit ekspertëve të palës së tretë. Kjo, në këmbim, krijon eficenca të reja, që lejojnë ofruesit e sigurisë kibernetike të monitorojnë sulmet kundrejt një shkalle të gjerë të klientëve dhe të ndajnë strategjitë dhe zgjidhjet. Rekrutimi është një tjetër zonë në të cilën kompanitë po i kthehen të dhënave nga jashtë për të ruajtur ekspertizën dhe për të rritur efikasitetin.

Shkurt, unë jam optimist. Periudha e vështirë në të cilën e gjejmë veten do të krijojë mundësi të reja. Kuptimi gjithnjë e më i madh se tregjet e punës kanë ndryshuar thellë dhe përgjithmonë do të nxisë politikëbërësit, punëdhënësit dhe punonjësit të zgjidhin sfidat e reja në mënyra që i sjellin dobi të gjithëve. Ndryshimet e mëdha nuk janë kurrë të lehta, por kur ato menaxhohen siç duhet, mund të na bëjnë më të fortë dhe më të aftë. (Project Syndicate)

* Kryetar dhe drejtor i përgjithshëm i ManpowerGroup

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency