Greqi/ Vazhdojnë protestat kundër reformës së pensioneve

0

proMijëra pensionistë grekë kanë mbushur rrugët e Athinës, duke ngritur zërin kundër planeve të qeverisë për reformën e pensioneve, të cilat në pesë vitet e fundit janë reduktuar 11 herë. Është protesta e tretë brenda pesë ditëve të fundit kundër një projektligji të diskutuar për reformën e pensioneve, që kreditorët e huaj i kërkojnë urgjent Greqisë, në mënyrë që të kursejë nga shpenzimet shtetërore për pensionet, një shumë prej 1.8 miliardë eurosh në vit. “Ne duhet të ndalojmë këtë plan reformash për pensionet sepse në fund do të mbetemi edhe pa pensione dhe pa kujdesin shëndetësor. Ne çdo paketë shpëtimi vetëm shkurtojnë pensionet”, tha Patra Perantoni, pensioniste. “Kjo është ajo që sjellin reduktimet. Në vend që fëmijët të kujdesen për prindërit e tyre pensionistë, janë pensionistët që ndihmojnë fëmijët e tyre. Të gjithë e dimë se ku kanë shkuar shifrat e papunësisë dhe besoj se do të shkojnë edhe më keq”, tha një tjetër pensionist, Ioannis Terzis. Nga ana e tij, kryeministri Alexis Tsipras që ka thënë se sistemi aktual i pensioneve ndodhet në prag të kolapsit, ju ka dorëzuar kreditorëve për këshillim një projektligj që parashikon rritjen e kontributeve të punëdhënësve dhe të nënpunësve, në mënyrë që mos të reduktohen pensionet e ulëta. Projektligjin, përveç pensionistëve, e kundërshtojnë edhe sindikatat e nënpunësve të administratës shtetërore dhe të sektorit privat, të cilat bashkë me unionet e avokatëve, mjekëve dhe inxhinierëve kanë shpallur një grevë të përgjithshme në datën 4 shkurt. Ndërkohë, ditën e mërkurë fermerët në të gjithë vendin do të bllokojnë rrugët kryesore të Greqisë, nga veriu deri në jug, në shenjë proteste për reformën e pensioneve dhe sidomos për sistemin e ri të taksave ndaj tyre.

Loading...