Moskë/ Pasojat e krizës ekonomike, radhë të gjata varfërie në Rusi

0
135

 moskaPasojat e krizës ekonomike kanë filluar të ndjehen në jetën e përditshme në Rusi: papunësia është rritur, po ashtu edhe çmimet, deri në 13%. Një në shtatë rusë jeton nën kufirin e varfërisë.

Një kishë e bardhë dhe e vogël në Moskë që mund të të humbasë kollaj nga sytë, ashtu e fshehur mes fasadave të qelqta dhe godinave shumëkatëshe, pak hapa larg nga rruga e famshme e blerjes Tverskaya. Para portës së kishës presin më shumë 100 vetë për një pjatë gjellë. Shumë janë të pastrehë, të veshur me pallto të zbërdhylta, fytyra të lodhura, disa tërheqin në një karrocë të gjithë pasurinë që kanë. Është ftohtë në Moskë: Termometri shënon minus 15 gradë.

Njëri nga të varfrit që presin e ka emrin Ilja. I veshur me një xhaketë të kuqe, kapuç të zi, aty tek mesi i të 50-ve. “Nuk kam rrugë tjetër, veç të vij këtu. Për fat ka iniciativa të tilla që na japin ushqim”, thotë Ilja. Ilja bën pjesë tek një shtresë e re nevojtarësh, ata që janë goditur nga kriza aktuale ekonomike.

 

Shtrenjtim i artikujve ushqimorë

Ekonomia ruse është goditur dukshëm nga kriza: Çmimi në rënie i naftës është helm për financat ruse, pasi buxheti i vendit varet dukshëm nga eksportet e lëndëve të para: kështu nafta dhe gazi janë burimet kryesore të të ardhurave për arkat ruse. Sanksionet tregtare të perëndimit dhe kundërpërgjigjja e Moskës me sanksione vetëm se e keqësojnë më tej gjendjen.

Së fundmi ministri rus i Financave, Anton Siluanov bëri të ditur shkurtimet buxhetore në vlerë 10%. Vërtet presidenti Putin ka deklaruar disa herë se kriza ekonomike ka marrë fund, por sipas një sondazhi aktual më shumë se gjysma e rusëve pret keqësimin e gjendjes. Inflacioni është rritur, kursi i këmbimit të dollarit dhe euros i pafavorshëm. Por problem më të madh përbën rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë. Zyra Ruse e Statistikave bën të ditur se ka një rritje prej 13% të çmimeve të artikujve kryesorë krahasuar me fundvitin 2014. Produkte si konservat e peshkut, sallatorë turshi apo majoneza janë shtrenjtar me 30%. Edhe automjetet dhe pushimet jashtë janë bërë më rusët më të shtrenjta.

 

“Situata e përgjithshme është keqësuar”

Kur kisha e vogël në qendër të Moskës hap dyert, njerëzit shtyjnë njëri-tjetrin për të hyrë, gjithsecili do të jetë i pari. Tavolinat janë shtruar në mënyrë festive. Shumë rusë ndihmojnë vullnetarisht me ushqime ose vijnë të bisedojnë me njerëzit në nevojë. Natalia Markova organizon shpërndarjen e ushqimit për organizatën “Drusja na ulitze” – “Miqtë nga rruga”. Edhe ajo pohon se situata është përkeqësuar. “Këtë vit kemi pasur më shumë njerëz që vijnë se të gjitha vitet e mëparshme. Ka njerëz nga ata që kanë banesë, madje dhe punë, por fitojnë aq pak, saqë ne nuk duhet t’u ofrojmë ushqim”. Denis, një djalë 20-vjeçar është njëri prej tyre. I riu është ulur në një nga tavolinat për të ngrënë sallatën. Tani ai punon si postier dhe mund të paguajë një dhomë, por jo ushqimin. “Mund të blej diçka, vetëm kur më mbeten para në dorë, nganjëherë ha vetëm dy herë në ditë, shpesherë vetëm një herë”. Pa ndihmën e kësaj organizate do të ishte e vështirë, thotë Denis. Po t’i pyesësh vizitorët se kush e ka fajin për këtë, merr shumë përgjigje – disa shohin forca të errëta në qeveri, të tjerët kapitalizmin pa shpirt, apo administratën. Por vetëm Putini nuka ka faj. “Ai është një president i mirë”, thotë Karina, një vizitore e mensës së të varëfrve. “Por ai nuk mund t’i bëjë vetëm të gjitha”. DW

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency