Zyrihu zyrtarizon largimin e Gjimshitit

0
122

 

ggPërfundon zyrtarisht aventura e Berat Gjimshitit me klubin zviceran të Zyrihut. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, i cili në orët e ardhshme pritet të shndërrohet në futbollistin më të ri të Atalantës, prishi me konsensus kontratën që e lidhte me skuadrën e drejtuar nga trajneri Sami Hyppia deri më 30 Qershor të këtij viti. Ishte vetë klubi i Zyrihut që me një komunikatë në faqen zyrtare bëri të ditur zgjidhjen e menjëhershme të kontratës me Gjimshitin. Klubi i Zyrihut nëpërmjet fjalëve të presidentit Ancillo Canepa e justifikoi vendimin e marrë me faktin se dëshironte t’i jepte mundësinë Beratit të gjente një skuadër të re ku mund të luajë më shumë në mënyrë që të ketë mundësi të grumbullohet nga Shqipëria në Euro 2016. 22-vjeçari ishte bashkuar me skuadrën e parë të Zyrihut në vitin 2012 dhe gjatë kësaj periudhe Gjimshiti ka luajtur 135 ndeshje zyrtare duke shënuar dhe 6 gola. Në fund të komunikatës klubi i Zyrihut i uron fat mbrojtësit të përfaqësueses kuqezi në karrierën e tij të mëtejshme. Këtë të Hënë, Berat Gjimshiti pritet të zyrtarizohet si lojtari më i ri i Atalantës. Padyshim që ky mund të konsiderohet një hap i madh për karrierën e 22-vjeçarit, që debutoi me Shqipërinë në barazimin 0-0 me Danimarkën në Kopenhagen shtatorin e kaluar, për tu bërë më pas protagonist edhe me golin ndaj Armenisë në ndeshjen që vulosi kualifikimin e Kombëtares Kuqezi në Euro 2016.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency