Standard.al

Europë/ Juventus shkatërron Udinesen, Reali tregon forcën ndaj Sporting Gijon

 

jjjjBardhezinjtë janë treguar të paparashikuueshëm falë formës së skuadrës të udhëhequr nga Dybala duke marrë kështu fitoren e 10-të radhazi

BBC duket se është kthyer në formë me Zidane duke shënuar pesë gola në pak minuta dhe duke u dhënë një mesazh mjaft të fortë kundërshtarëve

 

I frikshëm, vetëm kështu mund të përkufizohet Juventusi i Massimiliano Allegrit.  Bardhezinjtë koleksionuan fitoren e 10-të radhazi në kampionat, duke lënë pas Interin në klasifikim dhe duke e ngushtuar në vetëm 2 pikë diferencën me Napolin kryesues. Kampionët e Italisë vijuan ecurinë fantastike në këtë fazë të sezonit duke triumfuar lehtësisht me rezultatin 0-4 edhe në transfertën e Friulit përballë Udineses. Me një Paulo Dybala në formë të jashtëzakonshme, por edhe me një skuadër që funksionon si një makineri perfekte, Juventusi zgjidhi gjithçka që në 45 minutat e para duke ruajtuar më pas energjitë për ndeshjen e mesjavës në Kupën e Italisë ndaj Lazios. Ishte pikërisht ish lojtari i Palermos ai që hapi serinë e golave në minutën e 15-të. Dybala ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarte duke lënë të shtangur portierin e vendasve Karnezis. 3 minuta më pas Khedira dyfishoi shifrat. Ky ishte goli i dytë në 2 ndeshjet e fundit për mesfushorin gjerman, i cili me kalimin e javëve duket se po rigjen formën e tij më të mirë. Juventusi vulosi fitoren me finalizimin e Dybalës nga pika e bardhë dhe golin e parë me fanellën bardhezi të Alex Sandros pas një asisti të sulmuesit argjentinas. Asnjë  minutë për francezin Paul Pogba, i cili u la pushim nga trajneri Allegri në këtë sfidë. Tifozët e Romës prisnin diçka tjetër, por debutimi i dytë i Luciano Spallettit në stolin e skuadrës verdhekuqe nuk ishte më i miri i mundshëm. Kryeqytetasit barazuan 1-1 me Veronën e vendit të fundit në “Olimpico”, duke konfirmuar momentin negativ që po kalojnë. Goli i Nainggolan në pjesën e parë u arrit nga finalizimi i Pazzinit nga pika e bardhë e penalltisë në minutën 61-të. Të dyja skuadrat goditën edhe nga një herë shtyllën në këtë përballje. Pavarësisht përpjekjeve të Romës në minutat e fundit në kryeqytetin italian gjithçka u mbyll në barazim 1-1. Në ndeshjet e tjera të javës së 20-të të Serisë A spikat barazimi me shifrat 2-2 ndërmjet Bolognas dhe Lazios. Në “Dall Ara”, Etrit Berisha u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes me portierin shqiptar që ishte i detyryar ta nxirrte topin nga rrjeta në dy raste brenda 18 minutave të para. Megjithatë Lazio reagoi në pjesën e dytë duke barazuar rezultatin me golat  e Candrevës dhe Lulic. Një fitore shumë të rëndësishme arriti Genoa që në stadiumin “Luigi Ferraris” shpartalloi me shifrat 4-0 Palermon, ndërsa tre pike shprese mori edhe Carpi që mundi në shtëpi 2-1 Sampdorian. Përfundoi ndërkohë në barazim 1-1 dueli mes Chievos dhe Empolit.

Reali i Zidanit mposht lehtësisht Sporting Gijon

Reali i Madridit funksionoi në perfeksion vetëm gjatë 45 minutave të para ndaj Sporting Gijon. Por kjo paraqitje e Los Blancos mjaftoi për të arritur një fitore të thellë 5-1 në “Santiago Bernabeu”, e dyta radhazi me goleadë nën drejtimin e Zinedine Zidane. Sfida në kryeqytetin spanjoll pati pak histori pasi brenda 18 minutave lojë vendasit realizuan plot katër herë. Serinë e golave e hapi Bale me kokë  në minutën e 7 në zhvillimet e një goditjeje dënimi, ndërsa dy minuta më pas dyfishoi Cristiano Ronaldo me një goditje të bukur brenda zonës.  Në të 12-ën një krosim i Gareth Bale u finalizua në mënyrë perfekte nga Karim Benzema me një gjysmë roveshatë. Pa u mbushur 18 minuta lojë, Ronaldo e gjeti sërish rrugën e rrjetës i asistuar nga Caravajal, ndërsa Benzema në të 41-tën nuhati parabolën e Iscos, për të shënuar të pestin brenda pjesës së parë. Reali lëshoi disi terren në fillim të fraksionit të dytë, duke i dhënë mundësi Gijonit të realizonte me Lopez pas një kundërsulmi të shpejtë. Pavarësisht rasteve të shumta të krijuara në portën e Cuellar Reali nuk arriti të shënonte në pjesën e dytë. Fitorja në “Mestalla” duket se është kthyer në tabu për Valencian, që u ndal në barazim 2-2 me Rayo Vallecanon, rezultat që është shënuar edhe në dy takimet paraardhëse në këtë impiant në kampionat. Momenti më i bukur i kësaj sfide ishte ai i minutës së 55-të kur Negredo realizoi golin e barazimit 1-1 thuajse nga gjysmëfusha pasi vuri re vendsjen e gabuar të portierit Carlos. Ndërkohë në pjesën e parë për madrilenët kishte shënuar Jozabed. Diego Llorente e kaloi për herë të dytë në avantazh Vallecanon në të 69-ën, për të ardhur me pas te finalizimi i Alcacer që vulosi rezultatin përfundimtar 2-2 dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt.

 

Comments are closed.