Ulja e temperaturave, izolohen disa fshatra në Kukës, Dibër dhe Bulqizë.

0

boreUlja e temperaturave në mënyrë të ndjeshme në -10 gradë në rrethin e Bulqizës ka krijuar ngrica të forta në shumë rrugë nacionale dhe rurale. Aksi rrugor Bulqizë-Peshkopi ka reshje të dendura të dëborës, për shkak të erës së fortë. Bulqizë-Krastë lëvizet me zinxhirë dhe me mjaft vështirësi, e po ashtu edhe në aksin Ura e Çerenecit-Ostren. Efektivë të Qarkullimit Rrugor nuk kanë lejuar asnjë automjet të lëvizë pa zinxhirë.
Njësitë administrative Ostren, Trebisht, Martanesh e Zerqan janë pa energji elektrike. Kjo ulje e ndjeshme e temperaturave ka çuar në shtrimin e një numri të madh të banorëve në Spitalin e Bulqizës, kryesisht fëmijë të prekur nga virozat e stinës.

Loading...

Situatë e rënduar vijon të jetë edhe në rrethin e Matit, ku njësitë administrative të Xiberit dhe të Macukullit, që prej mbrëmjes së të shtunës janë të bllokuara, sikurse edhe fshatrat e njësive Komsi dhe Derjan.

Në rrethin e Dibrës, reshjet pushuan gjatë natës, por nisën sërish në mëngjes. Megjithatë situata e akseve rrugore paraqitet e mirë vetëm në rrugët nacionale. Aksi nacional Peshkopi-Qafë Buall kalohet lirisht pa probleme e pa zinxhirë, pasi në të është punuar me 10 mjete borëpastruese, si dhe është hedhur kripë. Aksi Qafë Buall – Martanesh kalohet me vështirësi me zinxhirë. Aksi Ura e Çerenecit – Stëblevë mbetet i bllokuar dhe trashësia e borës varion nga 50-60 cm. Aksi Peshkopi-Kala e Dodës kalohet me vështirësi me zinxhirë, ndërsa pjesa më e vështirë është segmenti Sllovë-Kala e Dodës.

Të izoluara dhe pa energji mbeten njësitë administrative Lurë, Reç, Kala e Dodës, Sllovë dhe Melan. Intensiteti i reshjeve në Kukës vjen duke u rritur që nga orët e para të së dielës. Trashësia e dëborës, nga 30 cm në qytet arrin në 50 cm në zonat malore. Nga erërat e forta dhe stuhitë e dëborës janë krijuar masive në rrugë, që kanë sjellë edhe bllokimin e tyre.

Si çdo vit, në këtë periudhë, rrugët e njësive Zapod, Shishtavec, Topojan, Grykëçaj, Kalis, Arren janë të pakalueshme. Energjia elektrike mungon në një pjesë të njësisë Kolsh dhe Kalimash, për shkak të një defekti të fiderit që furnizon Mamzin. Gjatë natës është punuar për hapjen e akseve rrugore. Në terren janë 18 mjete të mekanizuaara, që po punojnë për hapjen e rrugëve.

Loading...