Reforma në Drejtësi/ PD dhe LSI do të paraqesin të hënën propozimet e tyre

0
133

 

rrLëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike do të paraqesin zyrtarisht të hënën propozimet e tyre mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese si pjesë e reformës në drejtësi. Sipas burimeve pranë LSI-së, ata pohuan për gazetën “Shqip” se drafti i tyre me vërejtje është i njëjtë me qëndrimin e mbajtur në mbledhjen e komisionit të posaçëm nga ana e deputetit Spartak Braho dhe se pritet vetëm që t’i bëhen ndryshime të vogla teknike. Zyrtarisht, LSI-ja pritet ta shpallë të hënën variantin e saj për ndryshimet kushtetuese, i cili dukshëm është i ndryshëm me atë të grupit të Nivelit të Lartë të Ekspertëve, që mbështetet nga ana e Partisë Socialiste, aleatja e LSI-së në koalicionin qeveritar. Lëvizja Socialiste për Integrim konteston pikat kyçe të paketës së komisionit, duke dalë kundër emërimeve jashtë karrierës në gjykata, si dhe kundër ndërprerjeve të mandateve anëtarëve apo dhe prokurorit. Por ajo që bie në sy te propozimi i aleatit kryesor të PS-së, është se kërkohet konsensus dhe realizimi e një skeme siç realizohet për caktimin e anëtarëve të KQZ-së, ku opozita gëzon të drejtën për të propozuar për numër të caktuar përfaqësuesish. Ndërsa është kundër krijimit të Gjykatës së Lartë Administrative. Këto përplasje mes mazhorancës, PS-së dhe LSI-së, për reformën në drejtësi kanë bërë që dy partitë të dalin me dy drafte të ndryshme, të cilat do t’ia paraqesin Komisionit të Venecias.
Paketa e PD-së
Të hënën pritet që edhe demokratët të paraqesin listën me propozimet e tyre mbi paketën e reformës në drejtësi. Nuk dihet akoma se si do ta cilësojnë, një draft të tyre apo një opinion mbi paketën e grupit të nivelit të lartë të ekspertëve. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar se opozita nuk do të ketë një draft paralel për t’iu drejtuar Venecias. Shmangia e kapjes së sistemit të drejtësisë, do të jetë shtylla e qëndrimit në letrën e PD-së. Opozita do të ngrejë shqetësimin për mosreflektimin e 11 nga 139 rekomandimeve të këtij komisioni, duke veçuar mbi të gjitha, emërimet me 84 vota të krerëve të institucioneve të drejtësisë. Partia Demokratike, sipas burimeve, deri ditën e djeshme nuk e kishte finalizuar ende opinionin e saj me të cilën do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, por mësohet se demokratët do të mbështeten te oponenca ndaj procesit të njëanshëm për rishikimin e draftit dhe thyerjen e marrëveshjes së 9 janarit për të bërë një draftim të përbashkët konsensual të amendamenteve kushtetuese. Ndërkohë, votimi me shumicë të cilësuar të anëtarëve të drejtësisë, nuk gjen mbështetje as nga LSI-ja, e cila gjithashtu do të dërgojë opinionet e saj te Venecia. Dy ditë më parë, Komisioni i posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi nuk arriti që të gjejë konsensus, sa i përket dërgimit të një drafti të vetëm për marrjen e opinionit final nga ana e Venecias. Nisur nga kjo situatë, u vendos që drafti i grupit të ekspertëve të komisionit t’i dërgohet Venecias, i shoqëruar me opinionet e PD-së dhe të LSI-së. Në muajin mars pritet që të dalë opinioni final i Venecias sa i përket procesit të ndryshimeve kushtetuese si pjesë e reformës në drejtësi. Ndërsa më datë 21 dhe 22 janar pritet të mbërrijë një grup i ekspertëve të këtij organizmi, që varet nga Këshilli i Europës për zhvilluar konsultat e fundit me palët politike përpara se t’i vendosë vulën opinionit final. Për një muaj, partitë do të qëndrojnë në pritje të “Venecias”, ndërsa është arritur një paqe e përkohshme mes dy drejtuesve kryesorë të koalicionit të majtë, Ramës së PS-së dhe Metës së LSI-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency