Themelohet Dhoma e Tregëtisë Shqipëri – Serbi/Cuka: Marrdhëniet tregtare ndihmojnë popujt për një jetë më të mirë

0

 

dEdhe pse në 10-vjeçarin e fundit marëdhëniet tregëtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Sebisë kanë patur një rritje jashtëzakonisht të madhe duke u paraprirë atyre politike dhe kulturore, mesdy vendeve “çuditërisht”, ka munguar një organizim siic është ai i Dhomës së Tregëtisë. Por më në fund edhe ky kompleks është tejkaluar me nismën e një grupi biznesmenësh të sukseshmëm nga të dy vendet. Vetëm pak ditë më parë, është themeluar Dhoma e Tregëtisë Shqipëri-Serbi, e cila zgjodhi edhe drejtuesit e sajë. Në krye të saj u votua një inxhinier I ri 30 vjeçar, biznesmeni Vladimir Cuka, I cili përveçse angazhimit të tij në fushën e biznesit është edhe kryetar I Partisë Social Demokrate për Qarkun e Dibrës si dhe drejtues I shoqatës “Nënë Tereza”, po aty. Por si lindi idea për krijimin e kësaj Dhome Tregëtie, cilat janë synimet e sajë për çuarjen përpara të marëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dikur “armiq”, por që sot janë vetëm një hap larg bashkimit në një familje, atë të Bashkimit Europian? Për të gjitha këto dhe të tjera, rrëfehet kryetari i kësaj Dhome, Vladimir Cuka, në një intervistë për gazetën “Standard”.

Para pak ditësh u themelua Dhoma e Tregëtise Shqipëri – Serbi e cila u prezantua u nëpërmjet jush në cilësinë e Kryetarit të kësaj Dhome. A mund të na prezantoheni para lexuesve ?

Natyrisht që po. Kam kryer shkollën e mesme e më tej studimet e larta. Kam vite që merrem me aktivitet privat në fushën e biznesit. Në një shoqëri demokratike marrëdhëniet e tregëtisë së lirë në sektorin privat të krijojnë mundësi për të provuar e për të konkuruar. Mendoj se aftesitë personale në fushen e menaxhimit më kanë ndihmuar që të hedh hapa të kënaqshëm në ndërtimin e marrëdhënieve me partnerët si dhe në fushën e biznesit. Ndërtimi i marrëdhënive dhe aftësia për të komunikuar e për tu organizuar janë kyçi i suksesit.

Si ju lindi idea për të themeluar Dhomën e Tregtisë Shqipëri – Serbi?

Në punën time kam patur marrëdhënie mjaftë të mira me Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë. Kam marrë pjesë thuajse gjithmonë në aktivitetet në nivel kombëtar që ajo ka organizuar. Më kanë tërhequr shumë dhe më krijuan bindjen se nëpërmjet bashkepunimit dhe organizimit arrihen gjithmonë rezultate. Në aktivitetin tim kam bashkëpunuar veçanërisht këto vitet e fundit me mjaft biznesmenë dhe kompani serbe. Por jo vetëm unë, por edhe mjaft kolegë të mij biznesmenë, prej shumë vitesh bashkpunojnë. Ata shkojnë në Serbi dhe anasjelltas, përfaqësues të kompanive serbe vijnë në Shqipëri. Tregëtia, biznesi, ekonomia i bashkojnë njerëzit, i bëjnë të punojnë së bashku për një jetë më të mirë, për standarte më të larta, për të qenë sa më dinjitozë në familjen e madhe europiane dhe rajonale. Ndodh që politika edhe i pengon njerëzit për zgjidhjen e drejtë të problemeve, ndërsa tregëtia, ekonomia, bisnesi vetëm i ndihmon ata drejt zhvillimit dhe mireqënies. Kolegët e mi në Shqipëri, ashtu si edhe unë, jemi shumë të kënaqur nga korrektësia me të cilën punojnë e bashkëpunojnë biznesmenët Serbë. Kështu që na lindi idea për të themeluar Dhomën e Tregëtisë Shqipëri – Serbi, me qëllim që kjo marrëdhënie të institucionalizohet dhe të organizihet edhe më mirë. Kjo Dhomë do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet dy vendeve sepse Shqipëria dhe Serbia janë dy vende të rëndësishme në Ballkan. Pas disa takimve në Tiranë dhe në Beograd me kolegë biznesmenë ramë dakort për themelimin e Dhomës së Tregëtisë.

Si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, cilat janë objektivat tuaja?

Unë kam bindjen se forcimi i bashkpunimit midis Shqipërisë dhe Serbisë në fushën e tregëtisë, industrisë dhe ekonomisë do të rrisë edhe më shumë nivelin ekonomik të dy popujve tanë. Ky është edhe misioni i Dhomës së Tregëtisë Shqipëri – Serbi. Paqja, harmonia dhe miqësia duhet të udhëheqë dy popujt tanë, të cilët në të shkuarën kanë përjetuar ngjarje të dhimbshme e të rënda. Por tani është koha që të shohim drejt të ardhmes. Gabimet dhe ngjarjet e të shkuarës duhet të na shërbejnë për të ndërtuar sa më mirë të ardhmen midis dy popujve tanë. Shqipëria dhe shqiptarët janë një faktor shumë i rëndësishëm në rajon, po ashtu edhe Serbia. Sa më shumë të rritemi e të forcohemi ekonomikisht, sa më të larta t’i kemi standartet e jetesës, aq më dinjitozë do të jemi në familjen europiane. Mendoj se çdo shtet integrohet në BE me identitetin dhe integritetin e tij, asnjeri nuk duhet të imitojë dhe të cënojë e aq më pak të humbasë karakteristikat kombëtare që e dallojnë nga të tjerët. BE është si një tufë lulesh, ku secila lule ka bukurinë dhe erën e saj.