Lajm i mirë për artin kosovar, së shpejti me Teatër të Operas dhe Baletit

0
147

teatriPas shumë vitesh përpjekjeje, më në fund Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka nisur procedurat për ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Me nisjen e këtyre procedurave nënkuptohet edhe shpallja e një thirrjeje ndërkombëtare për idenë e projektit të këtij objekti, që do të përzgjidhet në fund nga një komision profesional.

Objekti pritet të ndërtohet në të njëjtin vend të paracaktuar vite më parë, pranë Fakultetit Teknik në kryeqytet. Por, projekti i parë që u përcoll me shumë parregullsi, bëri që në këtë vend të ndërtoheshin dikur vetëm themelet e objektit.

Ndaj në vitin 2015, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës ranë dakord që bashkërisht të ndërtonin në qendër të Prishtinës një sallë koncertesh, që të mund të plotësonte kushtet e Filarmonisë dhe Baletit të Kosovës.

Por, sipas Vehbi Miftarit, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, Komuna e Prishtinës nuk ka treguar vullnet në caktimin e vendit dhe, si rrjedhojë, janë detyruar të ndërpresin bashkëpunimin.

“Ne kemi pasur disa takime në fillim të vitit të kaluar, pastaj kemi ruajtuar një korrespodencë të vazhdueshme me ta, që është vështirësuar në muajt e fundit, kur tashmë pritej që komuna të merrte realisht vendim për ndarjen e vendndodhjes. Ka pasur edhe disa tentativa që në rrugë zyrtare, përmes letrave që vet ministri Shala i ka dërguar kryetarit Ahmeti, të mësonim për nivelin e angazhimit ose për fazën ku gjendet komuna, për sa i takon ndarjes së vendndodhjes, por nuk ka pasur një komunikim ndërinstitucional. Për rrjedhojë, ne jemi bindur përfundimisht se komuna nuk mundet, ose nuk ka vullnetin, që të përcaktojë këtë vendndodhje, ndaj dhe kemi qenë të detyruar që të kthehemi në vendndodhjen e mëhershme”, tha Vehbi Miftari, këshilltar në MKRS.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sqaron se, objekti që është parashikuar të përshtatej ose të zëvendësohej me një objekt të ri, në të cilin gjendet aktualisht Administrata Tatimore e Kosovës, nuk është pronë e komunës dhe është qeveria, ajo që duhet të merret me çështjen pronësore në atë vendndodhje.

“Mendoj se këto akuza janë banale. Ne vazhdojmë të qëndrojmë prapa vendimit tonë, që duhet të ketë një sallë në qendër, që do të përdoret për koncerte e për manifestime të ndryshme. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë, mirëpo nuk mund ta vendosim vendndodhjen në një tokë që nuk është jona dhe për të cilën nuk është qartësuar çështja pronësore, gjë që i ka mbetur qeverisë. Megjithatë, unë iu them edhe sot: të mos shpenzojnë parà në projekte të reja fizibiliteti, sepse koha e shfrytëzimit të vendndodhjes në vendimin ekzistues ka skaduar, leja duhet të merret në komunë. Të gjitha këto çështje nuk mund të bëhen pa Komunën e Prishtinës”, tha Shpend Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka bërë thirrje ministrisë për bashkëpunim, pasi – siç tha ai, – projekti është nisur nga komuna, me pëlqimin e së cilës duhet bërë edhe planifikimi.

Nisma për ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit është përshëndetur nga drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, i cili tha se, institucioni që ai drejton po përfshihet për herë të parë si pjesë e komisionit, i cili do të bëjë përgatitjen e dokumentacionit për idenë e projektit.

“Mendoj se ky vit ka filluar shumë mirë dhe me hapa konkretë besoj. Jo vetëm me deklarata, por edhe me buxhet të caktuar. Duke u bazuar në përvojën e hidhur të projektit të parë, besoj se do të ishte e paimagjinueshme, që edhe kjo tenativë e dytë të jetë pa krye dhe e pamenduar mirë. Shpresojmë që procedurat të ecin mirë”, tha Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës.

Pas përzgjedhjes së projektit, që pritet të përfundojë këtë vit, Ministria pritet të aplikojë për leje ndërtimi në Zyrën për Urbanizim në Komunën e Prishtinës. Ndërsa, duke pasur parasysh buxhetin e pamjaftueshëm të Ministrisë, është angazhuar një ekip për negocimin me partnerë të mundshëm, në mënyrë që të sigurohet buxheti i nevojshëm për ndërtimin e këtij objekti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency