Ndërtuesi i shtëpisë së Edi Ramës do të rikonstrukutojë Albcontrol-in për 530 mijë euro

0
153

shtesa-e-kontrates-150x150Më 17 nëntor të vitit 2014, ish-Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror (sot Albkontrol) ka shpallur një tender me objekt “Rikonstruksioni i godinës Teknologjike të “Albcontrol” për përmirësimin e kushteve”.

Vlera e tenderit ishte 73 milionë e 876 mijë lekë pa TVSH ose rreth 530 mijë euro.

A ishte e domosdoshme shpenzimi i mbi 500 mijë eurove “për përmirësimin e kushteve” në një godinë pothuajse të re?

Njoftimi për shpalljen e tenderit nga “Albkontrol”

Shpallja e tenderit për rikonstruksion bëhet vetëm 3 vjet pas ndërtimit të godinës që kushtoi mbi 12 milionë euro.

Godina e re e kontrollit të trafikut ajror është përuruar në 3 maj të vitit 2011. Në atë godinë janë të vendosura edhe zyrat e “Albkontrol”.

Po pse drejtoresha Belinda Balluku vendosi të harxhojë edhe gjysmë milioni euro?

Ku shkuan dhe si u menaxhuan këto para?

Pas shpalljes së tenderit, në buletinët e mëvonshëm duhet të publikoheshin edhe detajet e procesit të vlerësimit dhe shpallja e fituesit. Kjo është kërkesë ligjore.

HashtagAL verifikoi buletinet elektronike të Agjensisë së Prokurimeve Publike pas datës 17 nëntor, por shpallja e fituesit nuk ekziston në buletinet elektronike të APP.

Sipas ligjit, njoftimin duhet ta dërgojë për botim enti prokurues, në këtë rast “Albkontrol”.

Shpjegimi ndoshta gjendet tek emri i firmës fituese. Bëhet fjalë për kompaninë “Eurocol” në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli, i cili prej disa muajsh është vënë dhe në “shënjestër” të opozitës, e cila e cilëson z.Carapuli si  ndërtuesin e vilës së kryeministrit Rama në Surrel.

Edhe pse emri i fituesit nuk ishte shpallur në buletinet elektronike të tenderit fillestar, emri del në një njoftim tjetër të APP.

Shtesa e kontratës ndërmjet “Albkontrol” dhe “Eurocol”

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar është bërë edhe një shtesë kontrate për rikonstruksionin e
godinës. Ndërmjët shoqërisë “Albcontrol” dhe kompanisë “Eurocol” është lidhur një kontratë tjetër që plotëson kontratën e parë.

Prokurimi i ri ka si objekt “Shtesë kontrate për rikonstruksionin e godinës Teknologjike të Albcontrol sha për përmirësimin e kushteve”.

Vlera totale e kontratës së lidhur ishte 14 milionë e 161 mijë lekë. Ekuivalent i 100 mijë eurove, për shtesën e kontratës. /HashtagAL

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency