Lindje e Mesme/Irani, akuza të reja sauditëve: Bombarduan ambasadën tonë në Jemen

0
118

llllllllllllllllllTensionet mes Iranit dhe Arabisë Saudite vazhdojnë përshkallëzimin pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e ngërçit diplomatik të krijuar ditë më parë nga ekzekutimi i një kleriku të njohur shiit. Teherani akuzoi dje koalicionin e drejtuar nga sauditët se ka bombarduar në mënyrë të qëllimshme ambasaden e Republikës Islamike në kryeqytetin e Jemenit, Sana. Media shtetërore iraniane citoi një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme të pohojë se, nga sulmi ajror kanë mbetur të plagosur disa pjesëtare të stafit të ambasadës. Banore të Sanas rrëfejnë gjithashtu se ka pasur me dhjetëra bombardime të koalicionit që lufton rebelet Huthi. Aleatët nuk i mohojnë sulmet nga ajri, për të cilat këmbëngulin se kanë shënjestruar platformat e lëshimit të raketave të kryengritësve e për këta të fundit thonë se, për operacionet e veta kanë shfrytëzuar godina misionesh të braktisura diplomatike. Megjithatë, përmes gjeneralit të brigadës Ahmed Asseri, koalicioni i udhëhequr nga sauditët sqaroi se do të nisë një hetim mbi akuzat e Iranit. Asseri, i cituar nga Reuters, pranoi se bombardime të rënda gjatë natës ka pasur vërtet. Por pavarësisht kësaj, ai shtoi se pretendimet që të jetë sulmuar ambasada e Iranit mbështeten në informacione të ofruara nga Huthët dhe lajmet që vijnë nga rebelët sipas tij nuk kanë asnjë besueshmëri. Përplasja e fundit mes Teheranit dhe Rijadit vjen në kohën kur Irani ndaloi importet e të gjitha produkteve të prodhuara në Arabinë Saudite. Vendimi, sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, u mor gjatë një mbledhje të kabinetit të drejtuar nga presidenti Hasan Rouhani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency