PD/ Basha ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat , kërkon të bëhen zgjedhje të reja

0

 

Loading...

Lulzim-Basha-480x254Demokratët kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme, duke vënë në funksion të saj të gjitha strukturat e partisë si në qendër ashtu edhe në bazë.

Mësohet se lideri i opozitës, Lulzim Basha ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, ku ka kërkuar të bëhen zgjedhje të reja në disa prej tyre. Sipas burimeve konfidenciale, Basha ka kërkuar gjithashtu që të përfundojnë organizimet e strukturave të kësaj partie.

Burimet theksojnë se Basha u ka lënë afat drejtuesve aktualë që të përfundojnë punën e tyre brenda muajit shkurt. Urdhri i Bashës konkretisht ka qenë që deri në fund të shkurtit të jenë gati të gjitha degët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike si dhe të bëhen zgjedhjet e Lidhjes së Gruas në këtë parti. Gjithashtu, Basha ka urdhëruar që brenda këtij afati kohor të kenë përfunduar edhe zgjedhjet e reja brenda 61 degëve të Partisë Demokratike.

Duket se zgjedhjet brenda PD-­së dhe organizimi i plotë i FRPD-­së janë sinjale se opozita e vendit po përgatitet për zgjedhje të parakohshme brenda 6­-mujorit të parë të vitit 2016. Qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme janë dy nga kërkesat e PD­-së kundër varfërisë dhe keqqeverisjes nga Rama.

Me fillimin e vitit të ri, kryetari Lulzim Basha pritet ta fokusojë axhendën e tij në dy drejtime: në forcimin dhe organizimin e strukturave të partisë, e paralelisht me këtë me aksionin e protestave.

SEKRETARIATI

Burime nga selia blu bëjnë me dije për “GSH” se kryetari i opozitës, Lulzim Basha do të thërrasë brenda kësaj jave sekretariatin, për të përcaktuar tri çështje të fillimvitit në Partinë Demokratike. Mësohet se në axhendën e kësaj mbledhjeje, diskutimi do të fokusohet për të përcaktuar hapat e fundit për mbylljen e procesit të analizës së zgjedhjeve të 21 qershorit. Po ashtu mësohet se pas përmbylljes së kësaj faze të analizës së zgjedhjeve, në këtë takim do diskutohet për masat dhe grupet e punës të përcaktuara për forcimin e strukturave të PD-­së në bazë, kjo duke iu referuar konkluzioneve të procesit analitik të 21 qershorit. Së treti, në këtë takim parashikohet që vëmendja të fokusohet në aksionin politik të opozitës, ku në themel të tij mbeten protestat kundër qeverisë, deri në krijimin e qeverisë teknike, e më pas mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kështu, në javën e parë të muajit janar Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha do të përcaktojë projeksionet për këtë fillim viti, e këtë do ta përcaktojë në mbledhje me sekretariatin, me të cilin zhvilloi dhe takimin e fundit të 2015­ës. Demokratët kanë nisur protestat antiqeveritare, me kërkesën për krijimin e një qeverie teknike dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme. Këto protesta u ndërprenë për shkak të festave të fundvitit, ndërkohë që pritet të rifillojnë brenda muajit janar deri në largimin e qeverisë “Rama”.

 

Loading...