Analizë / Kriza Iran-Arabi : Jo luftë frontale, por një destabilizim në rritje

0
129

 

 

arLindja e Mesme do të përballet me një rritje të akteve të destabilizimit, por rreziku i një përballjeje mes Arabisë Saudite dhe Iranit duket i kufizuar, sipas ekspertëve dhe diplomatëve në Gjirin Persik.

“Irani nuk do të hyjë në luftë me mbretërinë saudite”, theksoi një diplomat perëndimor.

Nëse ata shmangin një konflikt të drejtpërdrejtë, zyrtarët në Gjirin Persik përmendin për më tepër përpjekjet për më shumë destabilizim nga ana e Iranit me sulme të mundshme që janë kundër interesave saudite dhe arabe në Lindjen e Mesme.

“Do të ketë gjithashtu më shumë atentate kundër xhamive shiite, veçanërisht në Irak”, shtojnë burime të tjera.

“Nga ana e tij, mbreti Salmane, i cili ka marrë fronin saudit një vit më parë dhe është shkëputur nga politikat hezituese të së shkuarës, është i gatshëm të zbulojë sfidën dhe luftën, kushdo qoftë çmimi, nëse Teherani vendos të vazhdojë përshkallëzimin”, konfirmoi Mustafa Alani, specialist për çështjet e sigurisë dhe drejtor në “Gulf Research Center”.

“Kjo do të jetë shumë më keq ‘me veprimet me prokurim”‘, thekson diplomati, i cili nuk mendon për një luftë frontale mes dy rivalëve të mëdhenj shiitë dhe sunitë të Lindjes së Mesme.

“Nuk është momenti për iranianët të shkojnë të shpërthejnë minat në Gjirin Persik, ndërkohë që ata presin heqjen e sanksioneve pas marrëveshjes për programin bërthamor në muajin korrik dhe që do të fillojnë eksportimin e naftës së tyre”, analizon ai.

Kriza mes Riadit dhe Teheranit shpërtheu nga ekzekutimi të shtunën i 47 terroristëve, mes të cilëve dhe klerikut shiit Nimr al-Nimr, në Arabinë Saudite.

Sulmet hakmarrëse të ndërmarra kundër misioneve diplomatike saudite në Iran kanë shkaktuar ndërprerjen nga Arabia Saudite të marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Marrëdhëniet mes Riadit dhe Teheranit vazhdojnë të jenë të përkeqësuara që prej revolucionit islamik në vitin 1979 në Iran. Dy vendet nuk kanë hyrë kurrë në luftë, por kishin ndërprerë marrëdhëniet nga viti 1987 deri në 1991, pas përplasjeve të përgjakshme mes pelegrinëve iranianë dhe forcave saudite gjatë pelegrinazhit në Mekë në vitin 1987.

Konflikti që filloi në vitin 2011 në Siri ka qenë një faktor i madh për përkeqësimin e raporteve mes Teheranit dhe Riadit.

– ‘Asnjë kompromis’ –

Analistët e pyetur shprehen se përshkallëzimi aktual do të ketë pasoja në konfliktet në Siri dhe në Jemen, ku dy fuqitë kanë interesa konfliktuale.

Kriza do të prekë, sipas tyre, përpjekjet e ndërmarra nën presionin e fuqive të mëdha për fillimin e negociatave në kuadër të zgjidhjeve politike.

Në përpjekje për të shpëtuar procesin, ndërmjetësuesi i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura mbërriti dje në mbrëmje në Riad dhe do të vazhdojë vizitën në Teheran dhe Damask, ndërkohë që ai për Jemenin, Ismaïl Ould Cheikh Ahmed do të shkojë të mërkurën në Arabinë Saudite.

Ambasadori saudit në OKB, Abdallah al-Mouallimi konfirmoi se ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin nuk do të pengonte Arabinë të vazhdonte të punonte fort për të mbështetur përpjekjet për paqe në Siri dhe në Jemen dhe se do të merrte pjesë në bisedimet për paqe për Sirinë parashikuar në parim duke nisur nga 25 janari në Gjenevë.

Sipas ekspertit, Mustafa Alani, sauditët nuk kanë asnjë qëllim për të ushqyer përshkallëzimin e situatës me iranianët. Por nuk do të ketë asnjë kompromis dhe do të ashpërsojnë qëndrimin e tyre përsa i përket Sirisë, Irakut, Libanit dhe Jemenit për të kundërshtuar atë që ata e konsiderojnë si një “politikë agresive” nga ana e Iranit.

“Drejtuesit e mëparshëm saudit kanë vonuar për shumë kohë rezistencën për “sfidën iraniane” në botën arabe duke mbyllur sytë ndaj veprimeve të Teheranit dhe pasardhësit e tyre mendojnë se ka ardhur koha tashmë të përmbushin sfidën kudo”, thekson Alani.

“Duke ekzekutuar, Nimr Baqer al-Nimr, mbretëria saudite ka dhënë gjithashtu garanci klerit konservator vahabist, por ka marrë përsipër rrezikun për të provokuar minoritetin shiit që është i përqendruar në provincën lindore, e pasur me naftë”, theksojnë ekspertët.

“Mbështetja iraniane për sheikun Nimr do të përshëndetet nga shumë shiitë në botën myslimane, madje dhe nga ata që nuk e miratojnë sistemin iranian, sespse ata nuk shohin pothuajse asnjë të flasë në favor të tyre”, nënvizon Jane Kinninmont, nga Instituti “Chatham House” në Londër./
/ec/ ( Nga Rene Slama)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency