Problemi i Greqisë me refugjatët

0

 

Loading...

uuuPavlos Zafiropoulos

 

Ishte një valë e pafund gomonesh, që vinin nga Turqia drejt Greqisë. Po papritur në nëntor fluksi ra. “Ne nuk e dinim me se kishte të bënte kjo”, – thotë një punonjës i Ministrisë së Brendshme greke për DW. Vallë nisi Turqia papritur t’u kundërvihet më ashpër kontrabandistëve? A u trembën refugjatët prej ashpërsimit të retorikës së disa politikanëve në BE? Apo thjeshtë ishte moti shkak për këtë? “Jo”, thotë një punonjës i ministrisë, “më vonë ne e gjetëm arsyen. Thjeshtë nuk kishte më gomone, sepse ato ishin shitur të tëra”. Mbi 10.000 vetë në ditë gjatë tetorit ndërmerrnin arratinë përmes kalimit të vështirë të Mesdheut drejt Greqisë, një shifër absolute rekord. Edhe pse me afrimin e dimrit numri i refugjatëve ra disi: kriza e refugjatëve mbetet në përmasa historike. “Kur moti është i keq, kontrabandistët u bëjnë favore në çmim refugjatëve”, – thotë Daniel Esdras, i cili drejton Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit në Greqi. “Ky është një biznes si çdo biznes tjetër. Për ata, që në ditë normale nuk kanë para për të kaluar në anën tjetër të bregut, ky është shansi i vetëm për të gjetur vend në gomone”, – thotë Esdras. Ndaj as që bëhet fjalë për rënien e valës së refugjatëve. Pas rekordit me 10.000 vetë në tetor, sipas kësaj organizate deri tani në dhjetor kanë guxuar kalimin përmes Mesdheut rreth 3300 vetë në ditë. Për krahasim: në korrik ishin rreth 1700 në ditë. Pikërisht tani në fillim të dimrit në dhjetor zyrtarisht u konfirmua, se viti 2015 është i pari, kur kanë mbërritur në Evropë mbi një milionë emigrantë ilegalë. Shumica e tyre përmes Greqisë, konkretisht nga ky vend kanë kaluar rreth 800.000 syresh. 3695 vetë kanë gjetur vdekjen gjatë arratisë.

 

Shumë fjalë, pak iniciativë

Në sfondin e shifrave dikujt përpjekjet e BE-së i duken shumë të vogla. Një shembull për këtë është çelësi i shpërndarjes së refugjatëve, sipas të cilit në dy vitet e ardhshme mes vendeve anëtare do të shpërndahen 160.000 azilkërkues. Ndërsa më 17 dhjetor Greqia dhe autoriteti evropian i mbrojtjes kufitare, Frontex ranë dakord, që një numër më i madh i nëpunësve të Frontex-it t’i mbështesë autoritetet greke në regjistrimin e refugjatëve. Kjo do të fillojë qysh në fund të muajit. Frontex e mbështet Greqinë edhe në kontrollin e ishujve dhe në administrimin e qendrave të sapo krijuara për pritjen e refugjatëve, të ashtuquajturat “Hot Spots”. Përveç kësaj kryetarët e shteteve të BE-së vendosën krijimin e një “policie kufitare”, gjë që është e diskutueshme. Detyra e saj do të jetë madje që edhe të ndërhyjë, kjo përkundër dëshirës së vendeve të veçanta anëtare. Kritikët e konsiderojnë këtë si një strategji, që ka për qëllim të qetësojë ata, të cilët preferojnë mbylljen tërësisht të kufijve të Greqisë. Pavarësisht qëllimeve të mira, shtrohet pyetja, se çfarë do të bëjë kjo polici kufitare, kur has në një gomone të tejmbushur me njerëz, cilat janë opsionet e saj? “Çfarë do të bëjë Frontex-i”, pyet Daniel Esdras, “a do t’i mbysin ato anijet!”

 

Greqia në gjendje të jashtëzakonshme

Autoritetet greke, gjithsesi kronikisht të pafinanciuara si duhet, nuk e përballojnë dot situatën. Refugjatët, të cilëve u refuzohet udhëtimi i mëtejshëm drejt veriut për në Maqedoni, dërgohen fillimisht në Athinë. Atje ata qëndrojnë fillimisht. Këtë mund ta shohësh në sheshin Victoria në qendër të qytetit. Në verë ky shesh ishte kthyer në një pikëtakimi për refugjatët. Pasi policia e zbrazte atë vazhdimisht dhe refugjatët përkohësisht zhdukeshin, tani sërish mund të shohësh njerëz, që flenë aty jashtë. Tani ka shumë marokenë dhe algjerianë. Pavarësisht mbylljes së kufijve në itinerarin ballkanik ata janë të bindur, se që këtu do të mund t’ia dalin për të arritur në veri të Evropës. Por ka edhe nga ata që i kanë hequr shpresat. Në korridoret e Zyrës Ndërkombëtare për Migracionin në Athinë presin shumë burra të rinj – ata përgatisin këtu dokumentet për t’u kthyer në atdhe.

 

Mosbesimi grek

Greqia ka lënë pas një verë dramatike. Vetëm për fije vendi i shpëtoi falimentimit shtetëror. Që BE-ja në krizën e refugjatëve ndihmon me gjysmë zemër, shumë grekë e shohin si një shenjë tjetër, që në BE kanë më shumë peshë interesat afatshkurtra kombëtare se sa humanizmi dhe solidariteti. Plani i BE-së është, që në të ardhmen refugjatët sirianë t’i sjellë direkt nga Turqia në Evropën Qendrore – pasi ata të jenë regjistruar atje më parë. Por se kur do të hyjë vërtetë në fuqi një program i tillë, kjo është e hapur. Ndaj ndërkohë anijet do të vazhdojnë të qarkullojnë midis Turqisë dhe Greqisë edhe përgjatë dimrit. Dhe kontrabandistët i ofrojnë kujtdo që është i gatshëm të paguajë vende të rrezikshme për udhëtimin. DW

 

Loading...