Standard.al

Për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes/Ministria e Gjiknurit kallëzon tre ish-ministrat e PD-së, Ruli, Bode e Mima: Dëm 414 milionë euro

 

 

bode ruli“Auditi vërteton se privatizimi i OSSH-së ishte fiktiv, me një fitues të paracaktuar, ende pa nisur mirë procesi i privatizimit”

 

Gëzim Saliu

 

Qeveria, përmes Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë të kryesuar nga Damian Gjiknuri ka kallëzuar në prokurori tre ish-ministra dhe dy ish-zëvendësministra të qeverisë “Berisha” lidhur me privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Ky kallëzim që vjen vetëm dy muaj pas kallëzimit të kësaj Ministrie në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me çështjen “CEZ”, prek ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Florjon Mima si edhe dy ish-zv.ministrave Enno Bozdo e Neritan Alibali, ish-këshilltaren e ish-kryeministrit Berisha dhe ish-drejtoren e Përgjithshme të Shërbimeve Tregtare në Ministrinë e Ekonomisë, Mimoza Vokshi. Të gjithë këta persona akuzohen nga ministria e Energjisë se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 414 milionë eurosh në privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

 

Auditi dhe kallëzimi

Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë sqaroi dje në njoftimin për shtyp se një audit i saj ka konstatuar se privatizimi i OSSH, është një nga proceset më abuzive të kryera nga qeveria e asaj kohe, i parakohshëm, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore në fuqi dhe me praktikat më të mira të privatizimit në sektorët strategjikë, me elementë të pastër favorizues dhe të shkeljes së barazisë në tendera. Sipas saj, fakte dëshmojnë qartë për një proces tejet fiktiv, me një fitues të paracaktuar, ende pa nisur mirë procesi i privatizimit dhe parashikueshëm që në fillim si një privatizim i dështuar. “Mbi bazën e një analize të detajuar të dokumentacionit të administruar pranë MEI, por edhe të dokumentacionit të vënë në dispozicion nga institucionet e tjera si Kryeministria, MZHETTS, MF, ERE, OSHEE dhe KESH, konstatohet se privatizimi i OSSH, është një nga proceset më abuzive të kryera nga Qeveria e asaj kohe, i parakohshëm, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore në fuqi dhe me praktikat më të mira të privatizimit në sektorët strategjikë, me elementë të pastër favorizues dhe të shkeljes së barazisë në tendera. Fakte që dëshmojnë qartë për një proces tejet fiktiv, me një fitues të paracaktuar, ende pa nisur mirë procesi i privatizimit dhe parashikueshëm që në fillim si një privatizim i dështuar. Rezulton se këto veprime të paligjshme i kanë garantuar shoqërisë fituese të tenderit CEZ a.s. përfitime materiale të padrejta, duke dëmtuar rëndë me anë të veprimeve apo mosveprimeve të tyre, interesat e ligjshme të shtetit, të personave të tjerë juridikë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve shqiptarë”, theksoi ministria. Sipas MEI-së, auditi u ndërmor pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit, në shkelje të standardeve ndërkombëtare të auditimit, kontrolloi vetëm procesin e zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjes dhe jo bazën e lindjes së këtij konflikti. Për Ministrinë e Ekonomisë, veprimet dhe mosveprimet e ish –zyrtarëve kanë qenë të qëllimshme, në kuadër të përfitimeve e privilegjeve të padrejta që i ishin lejuar shoqërisë CEZ që në momentin e shpalljes fitues për privatizimin e OSSH, duke lënë pezull problemet, si dhe duke i lënë kësaj shoqërie kohë dhe mundësi për të filluar procesin gjyqësor ndaj shtetit shqiptar, e madje duke i krijuar CEZ -it hapësira e argumenta edhe për ta fituar këtë proces. Provohet se të kallëzuarit dhe persona të tjerë, duke qënë persona që ushtronin funksionet më të larta publike në ish METE dhe apo në institucione të tjera, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë: nxjerrja për privatizim i një shoqërie të sapo krijuar, por me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjitik të sajin, pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, pa astete të përcaktuara, duke e paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin me shpejtësi të saj; duke ndryshuar tregues të përcaktuar në Deklaratat Rregullatore, e duke marrë pushteti ekzekutiv kompetenca të Entit Rregullator; duke kualifikuar dhe shpallur fitues ofertuesin CEZ, në shkelje të hapur të kushteve minimale të performancës teknike, të cilat ishin shpallur me parë si kritere kualifikuese, e konkretisht në shkelje të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar; duke negociuaar me kompaninë CEZ për nivelin e borxhit të keq që do të pranohej në llogaritjen e të ardhurave të kërkuara nga kompania, në kundërshtim e në kapërcim të kushteve të procedurës konkuruese, të përcaktuara më parë; duke negociuar për treguesin e humbjeve totale, si tregues i kushteve minimale të performancës teknike, i panegocueshëm; duke pranuar gjatë negocimeve të kryera, të gjitha kërkesat e ofertuesit të bëra gjatë paraqitjes së ofertës teknike, nga mosnjohja e situatës, si pasojë e mosfunksionimit real të OSSH dhe mosqënies së saj e gatshme për privatizim”.

 

 

Comments are closed.